Dëmtimet e diabetit në këmbë, të rënda por të parandalueshme. Flet mjeku endokrinolog

Dec 15, 2019 | 11:10
SHPËRNDAJE

Diabeti, nëse nuk trajtohet rregullisht, mund të sjellë komplikacione, një prej të cilave është edhe këmba diabetike. Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji, thotë se kjo problematikë po haset shpesh dhe shkaqet e përkeqësimit duhen kërkuar te mosmjekimi dhe mosekuilibrimi si duhet i vlerave të sheqerit në gjak si edhe te neglizhenca e problematikave të lëkurës dhe higjienës së këmbëve në tërësi.

“Çdo diabetik i tipit 1 duhet të ekzaminohet për dëmtime të këmbëve, çdo vit, pas 5 viteve të para. Të diabetikët e tipit të 2-të, ky vlerësim bëhet çdo vit që nga momenti i diagnostikimit. Rëndësia e kontrolleve periodike për dëmtime të këmbëve merr me tepër rëndësi po të kemi parasysh që mbi 5% e diabetikëve rrezikojnë për të amputuar gishta apo struktura tjera të ekstremiteteve”, këshillon doktori, i cili na njeh edhe me masat që duhen ndërmarrë për të bërë të mundur edhe parandalimin e dëmtimit të këmbës.

DR. DASHAMIR GJERGJI

dr

Dëmtimet në gjymtyrët e poshtme janë shumë të shpeshta në të sëmurët me diabet të sheqerit. Diabeti, si sëmundje kronike, nëse nuk trajtohet rregullisht, me kalimin e kohës bëhet shkak për dëmtime serioze të organeve të ndryshme. Kjo sëmundje është shkaku kryesor i amputimeve të gjymtyrëve përveç aksidenteve. Koncepti i këmbës diabetike është shumë i njohur dhe i trajtuar në diabetologji.

Në bazë të dëmtimeve të këmbës diabetike qëndrojnë dëmtimet e nervave, enëve të gjakut të plagëve që nuk mbyllen normalisht etj. Rreth 25 deri 30 % e të sëmurëve diabetikë, gjatë jetës së tyre, pësojnë dëmtime të anësive të poshtme në forma të ndryshme. Fatkeqësisht, nga viti në vit, po shtohen problematika të tilla në vendin tonë. Shkaqet e përkeqësimit të këtyre fakteve duhen kërkuar te mosmjekimi dhe mosekuilibrimi si duhet i vlerave të sheqerit në gjak, neglizhencës së problematikave të lëkurës dhe higjienës së këmbëve në tërësi.

FAKTORËT E RREZIKUT Kur sëmundja e diabetit nuk mjekohet dhe trajtohet si duhet, herët a vonë fillojnë të shtohen problemet në këmbë. Shanset për të pasur dëmtime të këmbëve te diabetikët shtohen nëse pacientët paraqesin një nga problematikat e mëposhtme: Kur kanë pasur me parë plagë në këmbë, eksperienca ka treguar se të sëmurët që kanë kaluar në të shkuarën plagë diabetike në këmbë edhe nëse janë shëruar plotësisht, kanë probabilitet të lartë që kjo situatë të përsëritet sërish më vonë. Të sëmurët duhet të bëjnë kujdes që t’i adresojnë problemet e tyre që në fillim, ndaj duhet të bëjnë vetë këqyrje të këmbëve çdo ditë.

Nëse vënë re ndryshime në lëkurë, të ngjyrosjes së saj (skuqje, mavijosje, nxirje etj.) prezencën e kallove, ulcera apo plagë gërryese, menjëherë duhet të paraqiten te mjeku. Kur kanë dëmtime të nervave periferike. Dëmtimet e nervave periferike te diabetikët janë komplikacioni më i shpeshtë i kësaj sëmundjeje dhe vetë ky komplikacion, me kalimin e kohës, çon në ulje të ndjeshmërisë si dhe dobësim të muskujve përkatës. Dëmtimet e mësipërme bëjnë që sado dëmtime të vogla të ketë te këmbët e tyre, nuk ndodh normalisht rikuperimi apo shërimi i tyre.

Dëmtimet e nervave gjithashtu predisponojnë për keqformime të këmbës deri në prekje të kockave dhe artikulacioneve Artopatia Charkot. Kur kanë deformime të strukturës anatomike të këmbës. Jo rrallëherë, të sëmurët diabetikë kanë deformime të formës së këmbëve. Keqvendosja e këmbës si në rastet e mosmbështetjes së mirë në ecje, p.sh. “dystabanët”, kanë risk më të madh për të bërë ulcera dhe plagë të rënda diabetike. Atrofite muskulore mund të bëhen shkak për të shtuar presionet fizike në pjesë të caktuara të këmbës dhe predisponon për plagë në pikat mbështetëse që mbajnë këtë presión. Kur kanë dëmtime të qarkullimit lokal të gjakut.

Vlerat e larta të sheqerit në gjak, me kalimin e kohës, sjellin dëmtime të enëve të gjakut në këmbë dhe për pasojë do të kemi shtim të ulcerave dhe plagëve të këmbëve. Gjithashtu, dobësimi i qarkullimit të gjakut kontribuon negativisht në shërimin e plagëve, çka bën që të shtohet mundësia e infektimit të plagëve. Kur ulcerat e lëkurës prekin shtresat e thella të lëkurës dhe strukturat kockore, kemi të bëjmë me formën më të rëndë të këtij komplikacioni, që njihet ndryshe si Gangrena Diabetike. Kujdes duhet të bëjnë edhe ata pacientë që përdorin një medikament të klasës SGLT2, sidomos Canaglifozine. Këto pacientë kanë një risk të shtuar për të pasur plagë në gishtërinjtë e këmbës dhe jo rrallëherë në të tilla raste kërkohet amputimi i gishtit të madh.

EKZAMINIMI KËMBËVE Fokusi i vlerësimit. Vetë pacienti apo trupa që e trajton duhet të kërkojnë për shenjat dhe simptomat që mund të tregojnë për dëmtime të këmbëve. Ulcerat mund të fillojnë thjesht me një leson të vogël në lëkurë e të përparojnë me thellë. Mpirjet, dhimbjet, djegiet dhe humbje të ndjeshmërisë së këmbëve, reflektojnë prekje të nervave periferike të diabetikët.

Vetëvlerësimi i këmbëve duhet bërë në mënyrë rutinë çdo ditë nga vetë i sëmuri. Mundet që gjatë procesit të larjes ose para gjumit, të këqyrin me kujdes hapësirat e lira ndërmjet gishtave, si dhe lëkurën e trinës dhe tabanit të këmbëve. Në kushtet e vlerësimit profesional, duhen përdorur filament i hollë ose diapazoni për të vlerësuar stadin e dëmtimit të nervave periferike.

Matje të pulsit dhe të fluksit periferik të gjakut, vlerësim të reflekseve dhe të temperaturës lokale. Çdo diabetik i tipit 1 duhet të ekzaminohet për dëmtime të këmbëve, çdo vit, pas 5 viteve të para. Të diabetikët e tipit të 2-të, ky vlerësim bëhet çdo vit që nga momenti i diagnostikimit. Rëndësia e kontrolleve periodike për dëmtime të këmbëve merr me tepër rëndësi po të kemi parasysh që mbi 5% e diabetikëve rrezikojnë për të amputuar gishta apo struktura tjera të ekstremiteteve.

PARANDALIMI I DËMTIMEVE TË KËMBËS TE DIABETIKËT Mbajtja normale e glicemisë. Parandalimi më i mirë i të gjitha komplikacioneve të diabetit dhe këmbës diabetike në veçanti mbetet kontrolli strikt dhe mbajtja në vlera normale të niveleve të sheqerit në gjak. Të gjitha rastet që nuk janë të mirekuilibruar nuk duhen të humbasin kohë, por të angazhohen dhe së bashku me stafin mjekësor të bëjnë ndryshimet e duhura drejt normalizimit të glicemisë (sheqerit në gjak.)

Stop duhanpirjes! Lënia e menjëhershëm dhe e plotë e duhanit është një nga elementet baze që përmirëson qarkullimin e gjakut të diabetikët e për pasojë redukton në mënyrë rrënjësore rrezikun për të pasur dëmtime të këmbës diabetike. Mënjanim i aktiviteteve që mund të sjellin dëmtime të këmbëve, disa aktivitete fizike mund të rrisin rrezikun për dëmtime dhe djegie të gjymtyrëve. Rekomandojmë që diabetikët të mos përdorin ujë të nxehtë apo material të nxehta në këmbë, nuk duhet të qëndrojnë pranë zjarrit, nuk duhet të ecin zbathur.

Duhet të evitojnë ecjet mbi rërën e detit në sezonin e verës kur temperaturat janë shumë të larta. Kujdes në prerjen e thonjve! Thonjtë duhen prerë ngadalë, kur këmba të jetë e pastër dhe e butë. Nuk këshillohet prerja e thellë e tyre, po ashtu edhe të mos dëmtohet lëkura gjatë këtij procesi. Edhe zonat e dëmtuara, nëse gjenden, duhet të trajtohen nga pediatri apo specialistë të fushës. Pastrim dhe kontroll i përditshëm i këmbëve, pastrim të përditshëm të këmbëve me ujë të vakët dhe sapun. Mund të aplikojnë kremra ose locione zbutëse. Zgjidhni me kujdes çorapet dhe këpucët që vishni.

Çorapet duhet të jenë me përbërje pambuku, jo shumë të ngushta, dhe nuk duhet harruar që duhen ndërruar çdo ditë. Këpucët duhet të jenë komode, me hapësirën e nevojshme të ajrosjes së këmbës, të mos qëndrojnë të ngushta dhe të mos i shtrëngojnë shumë nëse janë me lidhëse. Duhet bërë kujdes që shtroja dhe pjesa takuese e këpucës të sigurojë mbështetje maksimale dhe të barabartë të të gjithë këmbës për të mënjanuar presionet në pika të ndryshme.

Nëse diabetikët vuajnë edhe deformime të këmbëve, atëherë këpucët duhen porositur që të përshtaten sa më mirë. TRAJTIMI I KËMBËS DIABETIKE Plagët dhe ulcerat sipërfaqësore. Ulcerat sipërfaqësore prekin vetëm pjesën e sipërme të lëkurë dhe trajtimi i tyre konsiston në: pastrim të plagës dhe heqje të pjesëve të nekrotizuara (qeliza të vdekura). Ky trajtim ofrohet nga individë të specializuar dhe ky proces trajtimi konsiderohet si “debridement” ose pastrim i plotë i plagës.

Realizohet me bisturi, gërshërë ose teknika të ndryshme. Pas këtij pastrimi rrënjësor, plaga mbyllet me garza apo materiale sterile, që të mbahet sa më pastër. Zakonisht, kjo procedurë kryhet dy herë në ditë. Duhet të eliminohet sa më tepër të jetë i mundur kontakti i pjesës së dëmtuar me pjesë të forta dhe pesha të mos bjerë në këtë anësi. Nuk këshillohet që gjatë qëndrimit ndenjur të kryqëzohen këmbët mbi njëratjetrën Në qoftë se plaga është e infektuar, duhen përdorur edhe antibiotikë në terapi.

Plagë dhe ulcera me të thella kur ulcerat e këmbëve janë shumë të thella që shoqërohen me prekje të muskujve dhe kockave apo siç njihet ndryshe edhe si gangrena diabetike, si rregull duhet të trajtohet në kushte spitalore dhe nga një grup ekspertësh. Trajtimi i detyruar nënkupton mjekimin bazë si të plagës sipërfaqësore me eliminim të qelizave të vdekura, pastrim total të plagës, përdorim të antibiotikëve në rrugë venoze. Jo rrallëherë kërkohet edhe ndërhyrje kirurgjikale për të drenuar apo hequr pjesë kockore të infektuara.

Në disa klinika përdoret edhe teknika e presionit negative mbi plagë, që realizohet me vakum dhe synon shtimin e qarkullimit të gjakut në anësinë e sëmurë. Terapia hiperbarike me oksigjen ndihmon shumë në trajtimin sa më të shpejtë dhe cilësor të plagëve diabetike. Në shumë raste, kjo terapi ka parandaluar prerjen e anësive Fatkeqësisht, kur plagët janë të rënda, të lëna pas dore e të patrajtuara, në disa raste, terapia, sado e fuqishme të jetë, mund të dështojë. Në të tilla situata, ndërhyrjet janë me radikale dhe shoqërohen me amputime apo prerje të gjymtyrëve në nivele të ndryshme të tyre. Gangrenat e patrajtuara mund të jenë kërcënuese për jetën e të sëmurit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura