Dëmshpërblimi, ndryshon ligji për ish-të përndjekurit

Apr 26, 2016 | 16:04
SHPËRNDAJE

Ndryshon ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Gazeta zbardh sot ndryshimet finale që përmban drafti, i cili pritet shumë shpejt të kalojë në Qeveri për miratim. Sipas kreut të Institutit për Integrimin e ish-të përndjekurve, Bilal Kola, dy janë ndryshimet e përfshira.

Së pari, ai për rihapjen e afatit, që do të bëjë të mundur përfshirjen në proces dëmshpërblimi vetëm të kërkesave që janë depozituar nga të dënuarit që janë gjallë, dhe, së dyti, heqja e nenit të terrorit. Në intervistën dhënë për gazetën, Kola thekson se në variantin përfundimtar të projektligjit nuk është marrë në konsideratë propozimi i bërë për të internuarit.

Bilal Kola

Këta të fundit gëzojnë të drejtën për t’u trajtuar me dëmshpërblim, por kjo nuk është realizuar deri më tani për shkak të ngërçit ligjor. “Ligji u njeh këtyre personave për të përfituar dëmshpërblim, ndërkohë ligji i 2007-s thotë që këta persona duhet të paraqesin vendimin e dënimit. Askush prej tyre nuk ka një vendim dënimi. Ne propozuam në projektligjin fillestar zgjidhjen e këtij ngërçi. Mjaftonte që këto familje të depozitonin dokumentin e statusit”, tha Kola.

Por ky propozim për shkak të mungesës së fondeve është rrëzuar, duke e lënë në këtë mënyrë ende pezull dhe të pazgjidhur këtë çështje. Ndërkohë, lidhur me ndarjen e kësteve, kreu i Institutit për Integrimin e ishtë përndjekurve shprehet i pakënaqur me ritmet me të cilat po punon Ministria e Financave. Kjo neglizhencë, sipas tij, ka sjellë pakënaqësi nga radhët e të dënuarve dhe familjarëve të tyre.

Ministria e Financave ka ngritur një sistem të ri elektronik për kryerjen e pagesave ndaj ish-të përndjekurve. Zyrtarisht është komunikuar që listat e përfituesve do të publikohen tri herë në vit, përkatësisht në datat 20 janar, 20 prill dhe 20 shtator. Keni dijeni ju për këtë?

Jo, ne nuk jemi vënë në dijeni për këtë, por jemi në dijeni të një projektudhëzimi që Ministria e Financave është duke e përgatitur. Sa u përket datave që ju përmendët, nuk besoj se janë në këtë udhëzim, por nëse do të ishin, qëndrimi ynë do të ishte kundër, pasi të vendoset në mënyrë apriori një datë apo një tjetër sa i përket disbursimit të pagesave, kjo nuk na duket aspak normale.

Çfarë ka në përmbajtje ky udhëzim që është në proces hartimi?

Ky projektudhëzim nuk ka lidhje me këto data, por përcakton qartazi mënyrën dhe hallkat për përmbylljen e ndarjes së fondit vjetor. Para pak ditësh kemi kërkuar nga Ministria e Financave që edhe ne si institucion të përfshihemi në etapat e përpilimit të dosjeve që bëhen gati për dëmshpërblim. Ky udhëzim përcakton të gjitha hallkat proceduriale për disbursimin e parave. Detajet është herët për t’i diskutuar.

Në çfarë pike jemi me pagesat e të dënuarve?

Ende nuk është përmbyllur kësti i pestë për kategorinë parësore, pra, ata që jetojnë. Gjykoj që kemi të bëjmë minimalisht me një neglizhencë nga drejtoria e pagave dhe dëmshpërblimeve në Ministrinë e Financave. Ka një mungesë të theksuar të koordinimit në punën e kësaj drejtorie. Ulja e ritmeve për ndarjen e pagesave na bën të pakënaqur. Kjo ngadalësi është jo vetëm e papranueshme, por edhe e pajustifikueshme. Kësti i pestë për ata që nuk e kanë marrë, duhej të ishte ndarë në muajin janar.

Ankesa ka pasur edhe nga të përndjekurit dhe familjarët e tyre…

Është e vërtetë. Ka shumë ankesa nga ish-të përndjekurit. Për sa kohë që buxheti i shtetit ka alokuar shumën përkatëse, kjo shumë ndahet më tej në kategori, për rrjedhojë duhej të kishim një rendiment më të lartë pune nga drejtoria e dëmshpërblimeve.

Pse ka ardhur kjo?

Arsyet pse ka ardhur janë të natyrës jo politike. Arsyet nuk lidhen me mungesën e vullnetit nga ana e Qeverisë për të alokuar fondin. Kjo përjashtohet. Arsyet e tjera janë në gjykimin tim thellësisht të një neglizhence të stafit të asaj drejtorie, të cilët nuk janë duke bërë punën.

Ritmet janë ngadalësuar edhe për trashëgimtarët…

Duke thënë që akoma nuk kemi përmbyllur këstin e pestë të dëmshpërblimit për ata që jetojnë, sigurisht që për trashëgimtarët ritmet janë edhe më të ngadalta. Vetë ligji e trajton me përparësi kategorinë parësore. Natyrisht që edhe ndarja e pagave këtë trend ndjek. Dy vitet e fundit disbursimet janë fokusuar më së pari te të dënuarit, të cilët jetojnë. Kur ka mbaruar fondi për këtë kategori, e gjithë vëmendja pastaj është përqendruar te trashëgimtarët.

Zyrtarisht, çfarë ju komunikohet?

Na bëhet e ditur se janë duke punuar për plotësim dokumentacioni dhe jemi në kushtet ku akoma nuk ka disbursim.

Në këto kushte, mund të thuhet se kur do të mbyllet kësti i pestë?

E pamundur të thuhet sepse gjysma e atyre që duhet të marrin këstin e pestë akoma s’e kanë përfituar. Me ritmet e ecura deri më tani i bie që në shtator të përmbyllet kjo pagesë. Ndërkohë që fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria mjafton për të shpërndarë të gjithë këstin e gjashtë brenda këtij viti kalendarik. Hapat e ngadaltë me të cilët po operohet vënë në rrezik ndarjen e kësaj pagese, duke i detyruar të përndjekurit të presin vitin pasues.

Nisur nga listat zyrtare të Ministrisë së Financave ka ende nga ata të dënuar që jetojnë, të cilët kanë marrë vetëm një këst…

Arsyet që nuk kanë përfituar janë të lidhura me mungesën e dokumentacionit që kërkohet të depozitohet nga ana e tyre. Nuk ka pengesa të tjera për këtë kategori.

Ata të cilët kanë marrë një këst, mund t’i përfitojnë të tria pagesat e mbartura njëherazi?

Jo, kjo nuk është e mundur. Ligji e ndalon dhënien e më shumë se një kësti, në rast përjashtimor bëhet kur vlera totale është më pak se 1 milion lekë të reja. Kur është mbi këtë vlerë, nuk lejohet askush të marrë më shumë se një këst.

Kësti i tretë për trashëgimtarët, sa gjasë ka të nisë brenda këtij viti?

Nisur nga fondi i miratuar që kap vlerën e 6 milionë dollarëve dhe numri i dosjeve që presin të dëmshpërblehen, pak gjasë ka që të teprojë për këstin e tretë. Shkak kryesor mbetet pamjaftueshmëria e fondit. E rëndësishme është të vijojë pagesa e këstit të dytë për të cilin ka fond.

Kur pritet miratimi i projektligjit për përfshirjen në proces dëmshpërblimi të dosjeve jashtë afatit?

Ne në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale kemi marrë pjesë në hartimin e një projektligji që është finalizuar në shtator të vitit të kaluar. Këto ndryshime ligjore, nëse do të miratoheshin, do të preknin të gjitha elementet e pazgjidhura të dëmshpërblimit. Aktualisht në projektligjin që ka marrë formë zyrtare, shumë pak prej këtyre elementeve qëndrojnë. Midis të cilave qëndron edhe pjesa për hapjen e afatit për dosjet që janë në Ministrinë e Drejtësisë. Afati nuk do të hapet për të gjithë, por vetëm për ata që bëjnë pjesë në kategorinë parësore. Pra, nuk do të ketë hapje të afatit për të gjitha dosjet që janë dorëzuar me vonesë pas datës 1 korrik 2009, por vetëm për ata të dënuar që janë gjallë.

Çfarë ndryshimesh të tjera ka projektligji që pritet të miratohet?

Ne kemi kërkuar që të ketë një harmonizim midis të drejtave që ligji i ka njohur shtresës së ish-të përndjekurve dhe të drejtave që ligjet e mëvonshme ua kanë hequr. Ligji i statusit i vitit 1993 u njihte një mori të drejtash. Gjithkush që është pushkatuar pas datës 8 nëntor 1941 i njihet e drejta e dëmshpërblimit, ndërkohë që ligji i dëmshpërblimit thotë që e përfitojnë vetëm ata persona që janë pushkatuar nga data 30 nëntor 1944. Ne këtë e kishim të adresuar në projekt. Sa u përket të internuarve me tela me gjemba, ligji u njeh këtyre personave për të përfituar dëmshpërblim, ndërkohë ligji i 2007-s thotë që këta persona duhet të paraqesin vendimin e dënimit. Askush prej tyre nuk ka një vendim dënimi. Ne propozuam në projektligjin fillestar zgjidhjen e këtij ngërçi. Mjaftonte që këto familje të depozitonin dokumentin e statusit, i cili është përpiluar nga tre institucione, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Institucioni për Integrimin e ish-të përndjekurve që në 1995. Kërkuam po ashtu që ata që kanë qenë pjesë e nomenklaturës të mos trajtohen me dëmshpërblim.

Nga këto propozime, çfarë është marrë në konsideratë dhe është përfshirë në variantin zyrtar që pritet të miratohet?

Është marrë hapja e afatit për kategorinë parësore dhe heqja e nenit të terrorit për ata persona që janë dënuar gjatë kohës që kanë qenë duke vuajtur dënimin në burgjet politike.

Për internimin? Jo, nuk është marrë në konsideratë mekanizimi që ne përjashtuam për zgjidhjen e ngërçit.

Keni nisur një tur takimesh me komunitetin e ish-të përndjekurve në disa qytete. Cili është qëllimi?

Këto takime janë kërkuar nga komuniteti për të evituar ardhjen e tyre deri në Tiranë. Diskutojmë për të gjitha të drejtat që ligji ka njohur, por që në realitet po gjejnë vështirësi në zbatim. Kërkesat që ngrihen nga komuniteti ne do t’ua përcjellim institucioneve kompetente për zgjidhjen e tyre.

Në çfarë faze ndodhet projektligji? Është dërguar në Qeveri për miratim?

Jo, ende nuk është dërguar në Qeveri për miratim, por është dërguar për marrje mendimi në ministritë e linjës. Ky projektligj nuk është integral, varianti që ne kishim propozuar për zgjidhjen e të gjitha problematikave, të cilat nga pikëpamja ligjore njihen, por që nga pikëpamja e zbatimit kanë ngërçe nga më të ndryshmet.

Pse mendoni që nuk u morën në konsideratë propozimet tuaja?

Fondet e pamjaftueshme. Kjo është përgjigjja që na është dhënë.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura