“Dëmshpërblimet për dy tërmetet duhen mbyllur”- Shoqëritë e Sigurimit takohen me drejtorin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ja çfarë diskutuan

Jun 9, 2020 | 17:15
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Në takim u diskutua mbi ecurinë e tregut të sigurimeve, në veçanti për efektet e pandemisë COVID-19 dhe mbylljen e procesit të pagesave të dëmshpërblimit pas dy tërmeteve të vitit të kaluar.

takimmesiguruesit

Mete vlerësoi menaxhimin e situatës pas tërmetit nga ana e shoqërive të sigurimit, si edhe ecurinë e procesit të dëmshpërblimit, ndërsa kërkoi përmbylljen pa vonesa të të gjitha pagesave të mbetura pezull.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv kërkoi nga shoqëritë e sigurimit marrjen e masave për të rishikuar planet e vazhdimësisë së biznesit në rastet e krizave dhe situatave të jashtëzakonshme. Ai vuri në dukje se tregu i sigurimeve ka nisur të rikuperojë me daljen e vendit nga izolimi.

“Situata e krijuar nga pandemia ekspozoi varësinë ndaj sigurimit TPL, duke vërtetuar nevojën e zhvillimit të tregut të sigurimeve. Gjithashtu, dixhitalizimi është thelbësor, për raportimin, inspektimin apo e-shërbimet.

Kjo do të sjellë uljen e kostove, heqjen e barrierave dhe do të rrisë efiçencën në tregun e sigurimeve”, u shpreh Mete.

Ai u kërkoi drejtuesve të shoqërive të sigurimit marrjen e masave për të parashikuar në kontratat e sigurimit specifikime lidhur me situatat e krizave, në funksion të transparencës ndaj personave të siguruar.

Në takim u diskutua edhe në lidhje me çështje të tjera në funksion të zhvillimit dhe mirë rregullimit të tregut, përmirësimit të raportit dëme/prime, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura