Demokracia, pikat e çatisë dhe lagështira e themeleve

SHPËRNDAJE

 

ÇAPAJEV GJOKUTAJ ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Dy partitë e mëdha, sado që rrallë, i kanë ndërruar kryetarët. Partitë e vogla u ngjajnë kioskave, jo nga madhësia, por sepse ekzistojnë si prona private, të hipotekuar në emër kryetarësh të përjetshëm.

Kjo të kujton historinë e biçikletës. Po ia hipe, duhet të ecësh. Po ndale, duhet të zbresësh. Po ndale dhe nuk zbret, thyen qafën. Sado ta vrasësh mendjen, vështirë se e gjen pse nuk kanë po këtë fat edhe liderët e partive të vogla, që prej kohësh s’tunden nga posti, megjithëse ‘biçikletat’ e tyre kanë kohë që kanë stopuar.

Pa mbaruar mirë me këtë tipologji titullari, të vjen në mend zhurma që u bë para një viti për Akademinë e Shkencave ku synohej të përsëritej një rokadë: kryetari t’ia linte postin nënkryetarit, që dikur kishte qenë kryetar. Kjo ngjarje në kufijtë e anekdotës të vjen në mend e shoqëruar me humorin që ngjalli atëbotë në rrjetet sociale. Njëri thoshte se shkencëtarët nuk zbulojnë dot një kryetar të ri, merre me mend sa zbulime sjellin hulumtimet e tyre; tjetri kujtonte një bejte të hershme, ‘ndrroi rrobat Tare Sheshi, veshi prap’ ato që xheshi’…

Pa mbaruar mirë me Akademinë e Shkencave, të kujtohen dhjetëra OJF që, qysh ditën që janë krijuar, këtu e dy-tri dekada më parë, drejtohen nga i njëjti person. Ngjyrimet komike dalin më sheshit kur kujton se një pjesë e mirë e këtyre OJFve kanë si fokus zhvillimin e demokracisë, punojnë që qytetarët të njohin e përvetësojnë normat dhe sjelljet demokratike, paçka se vet kanë drejtues të përjetshëm, borde formale dhe punonjës që, në rastin më të mirë, nënshkruajnë kontrata pune njëvjeçare. Dhe vetiu të kujtohet ai kleriku i proverbit që tha ‘bëni si them unë, po sakën s’e bëni si bëj unë’.

Kjo puna e antitezës mes të thënit dhe të bërit të sjell në mend disa redaksi mediash. Punojnë e rropaten gjithë ditën për të mbrojtur norma demokratike, që lidhen me votime, kode zgjedhore, alternimin e pushtetit etj., etj., po reporterët dhe gazetarët e thjeshtë punojnë në të zezë, rrogat jo gjithnjë i marrin në kohë, paguhen keq, madje tmerrësisht keq krahasuar me rrogat që marrin shefat e redaksive a drejtuesit e emisioneve, d.m.th. ata që i kanë vënë gjoksin luftës për norma demokratike në rang vendi. Demokraci në predikimet makro, despotizëm në funksionimin mikro.

Po të vazhdosh meditimin kësaj hullie, lista mund të shkojë gjatë, madje shpesh pasurohet sipas motos së asaj anekdotës, ‘sa më thellë, aq më dërdënge’. Kështu mund të kujtosh universitete private ku liria akademike shpallet në letra, por në realitet nuk bëhet çap pa viston e pronarit; apo, turp e faqe e zezë, sindikata me kryetarë të përjetshëm, por pa lëvizje punëtore.

Pavarësisht se lista zgjatet e zullumi trashet, në fund konkluzioni mbetet po ai: me demokracinë dhe normat demokratike jemi pjekur hënajashtë. Dhe faji për këtë nuk bie vetëm mbi qeveritarët, ligjvënësit, politikanët e të tjerë banorë të kateve të sipërme të ngrehinës sonë sociale.

2. Nuk është dhe aq e lehtë të veçosh një shkak të vetëm për të shpjeguar pse kemi kaq shumë institucione, organizata, bashkësi që uzurpohen nga një apo pak persona dhe kanë probleme serioze me normat e funksionimit demokratik.

Natyrisht që tradita luan rolin e vet, deri vonë kemi qenë shoqëri tradicionale, me norma të theksuara patriarkale, me hierarki të ngrira që, më shumë se nga meritat dhe bëmat e individit, buronin nga fisi, familja, seksi, mosha, zakoni etj. Vetëkuptohet, tradita krijon inerci dhe bën trysni që modelet e veta të mbijetojnë edhe në kohët e reja.

Doemos që ky handikap buron edhe nga kultura e mekët demokratike. Individë që uzurpojnë postet dhe bëhen shtojcë e kolltukut të pushtetit, mund të kenë bollëk në shumë gjëra, por janë tejet të vobektë në kulturë demokratike e virtyte sociale. Mbase po kaq të vobektë janë edhe ata që janë poshtë dhe mbyllin një sy ngaqë e shohin bashkësinë a organizatën ku bëjnë pjesë si grup tribal, me hierarki të ngrira dhe liri e të drejta të nëpërkëmbura.

Gjithsesi, qoftë tradita, qoftë kusuret me kulturën demokratike janë aktorë potencialë, hyjnë në skenë dhe luajnë rol aktiv kur gjejnë terren grishës. Ashtu si organizmat e gjallë, edhe organizmat socialë si institucionet, organizatat, bashkësitë etj. kanë një prirje të brendshme dhe thuajse të vetvetishme që të degradojnë e të tjetërsohen, t’u ikin funksioneve sociale për të cilat ekzistojnë, të mos i shërbejnë shoqërisë, por vetëm vetes, d.m.th. grupit përbërës.

Vetëkuptohet se rruga më efikase për të shmangur tjetërsime të kësaj natyre është trysnia që ushtrojnë mbi grupin kërkesat e shoqërisë, të mbrojtura nga shteti, kuadri ligjor, tregu, konkurrenca etj. Duket se te ne kjo trysni është e dobët. Jo vetëm pse kulturën civile e kemi të mekur, por edhe se një pjesë e konsiderueshme e këtyre organizatave, institucioneve etj. lindin e mbeten formale, vijnë më shumë si mall importi sesa si produkt kërkesash e zhvillimesh të brendshme.

Janë të padiskutueshme p.sh., ndihmesat që kanë sjellë e sjellin një varg OJF-sh, por sot e kësaj dite edhe më të mirat syresh mbeten mall importi, në kuptimin që mbahen kryesisht me fonde donatorësh të huaj; kontrollohen, aq sa mund të kontrollohen, vetëm prej këtyre dhe rrjedhimisht lidhjet me bashkësitë përfituese i kanë të zbehta, larg rregullatorit ‘kërkesë-ofertë’ dhe përgjithësisht jashtë dhënies llogari, transparencës etj. Si të tilla të kujtojnë një pemë që synon të ushqehet nga degët. Lidhjet ‘ofrues-përfitues’, garanci qoftë për cilësinë e shërbimit, qoftë për shëndetin demokratik të vetë OJF-ve mbeten të zbehta edhe falë mendësisë ‘kali i falur nuk shihet nga dhëmbët’.

Shumë më formale dhe jashtë tregut mbeten partitë e vogla politike, që ekzistojnë jo si alternativa qeverisjeje, as si amortizatorë në ndeshjen mes dy partive të mëdha, por si grupe mercenarësh të bashkuara nga parimi: japim një grusht votash dhe diç marrim kur mbaron beteja elektorale e ndahet preja. Të shumtën e rasteve, kryetarët e këtyre partive janë të ndarë më dysh: jetojnë në hollet e të mëdhave, por legjitimitetin e kërkojnë në hauret e partive që drejtojnë.

E tepërt të përmendësh sindikatat pa anëtarësi, pa kuotizacione, pa lëvizje sindikaliste, që ravijëzohen si ngrehina efemere dhe të kujtojnë bejlerët e rënë nga vakti në kohën e Baba Qemos.

Pozicioni ‘jashtë tregut’ bëhet më i perceptueshëm në rastin e një pjese të mirë të universiteteve private, ku gjithë trupa akademike bie barkas para interesave të pronarit. Formaliteti këtu është disi më i stërholluar: renditen mirë nga agjencitë e specializuara se renditja bëhet kryesisht mbi bazën e dokumentacionit, por cilësia e ‘produktit’, d.m.th. e diplomave, verifikohet pas një dekade a më shumë. Kjo specifikë bën që universitetet të jenë të privilegjuara, po të ishin fabrika e të nxirrnin në treg sallam skarco, të nesërmen do të përballeshin me zemërimin e publikut dhe me forcën e ligjit.

3. Vërtet që kemi shumë organizata e bashkësi, të cilat mbeten formale dhe veprojnë jashtë tregut, mund të thotë shumëkush, po shyqyr që i kemi. Po qe se funksionon pluralizmi dhe shteti ligjor, gradualisht dhe me kalimin e kohës edhe këto do reformohen e do funksionalizohen, se edhe pema që është pemë kërkon ca vite të japë fruta. Dhe mund të ketë të drejtë, por historia ofron edhe shembuj që dëshmojnë se rruga e reformave sa për sy e faqe dhe e organizimeve formale ka kosto të lartë.

Perandoria Otomane p.sh., i nisi reformat oksidentalizuese qysh në fillim të shekullit të 19-të, por për njëqind e kusur vjet ato mbetën përgjithësisht sipërfaqësore dhe nuk sollën transformime të dukshme. Ndër arsyet kryesore të kësaj ngadalësie ishte dhe fakti që reformat nuk buruan nga poshtë, në shumicën e rasteve u imponuan nga lart, madje edhe u konceptuan si ‘ryshfet për Europën’, siç do të thoshte Bernard Lewis.

Atë që nuk e bënë reformat dhe qasja evolucionare, e bëri revolucioni qemalist në vitet ’20-’30. Në pak kohë, Ataturku imponoi një varg reformash që prekën thellë shtetin dhe shoqërinë, shpëtuan Turqinë nga rreziku i zhbërjes bashkë me Perandorinë Otomane dhe hapën portat e modernitetit. Për fat të keq, reformat qemaliste mbetën veprime të imponuara nga elitat ushtarake e qytetare dhe nuk arritën të hynin natyrshëm në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, sidomos në Turqinë rurale.

Studiues të ndryshëm argumentojnë se shkaqet pse Turqia e sotme po bën pas në shumë fusha që lidhen me demokracinë, shekullarizimin etj. dhe përditë e më shumë po shfaqet si vend i ndarë, janë të shumta. Por mes tyre shquan fakti se projekti për një Turqi moderne e demokratike mbeti përgjithësisht projekt elitash dhe nuk hyri gjerë dhe natyrshëm në jetën e popullit.

Demokracia liberale funksionon më mirë kur, krahas transformimeve në katet e sipërme të shtetit dhe të qeverisjes, njerëzit organizohen e bashkëpunojnë në komunitete e në shoqata për punë dhe halle të përbashkëta. Alexis de Tocqueville e shihte aftësinë e shoqërizimit dhe të bashkëpunimit si një nga faktorët kryesorë pse Bota e Re gëzonte një demokraci aq vitale. Amerikanët, vinte re intelektuali i shquar, kanë zakonin të vetëqeverisen duke krijuar bashkësi e shoqata që zgjidhin probleme, të cilat qeveria nuk i zgjidh dot. Kësaj hullie ecën dhe Robert Putnam në studimin ‘Bowling alone’, kur argumenton se një nga shkaqet e krizës në shoqërinë e sotme amerikane do kërkuar në faktin se bota postmoderne ka bërë që njerëzit t’i plotësojnë shumë nevoja individualisht dhe rrjedhimisht t’u largohen komuniteteve, shoqatave, jetës komune dhe bashkëpunimit horizontal.

Rrjetet sociale, sipas Putnam, shërbejnë jo vetëm për të bërë qytetarët bashkë, për të koordinuar veprime në mbrojtje të interesave të tyre, por njëkohësisht gjenerojnë frymë besimi reciprok, element ky i pazëvendësueshëm për funksionimin e një shoqërie demokratike. Një nga arsyet e diferencave në zhvillim mes Italisë së Jugut dhe asaj të Veriut, vë re ky studiues, do kërkuar në faktin që historikisht Italia e Jugut është qeverisur nga lart, kurse në Italinë e Veriut fryma e bashkëpunimit horizontal është praktikuar në shekuj.

Parë kështu, prirja jonë e sotme për bashkësi, shoqata e organizata formale është hile që rëndon mbi të sotmen dhe të nesërmen. Këtë qasje false po e paguajmë ne, por njëkohësisht po ua hipotekojmë edhe fëmijëve tanë.

Akoma më gërryese bëhet kjo qasje nga fakti se ligjërimi ynë publik merret e rimerret me çështje të politikës se madhe, diskuton e zhurmon probleme që kanë të bëjnë me zgjedhjet, alternimin e pushtetit, shtetin ligjor etj., por lë në hije si vogëlima e gjëra pa rëndësi problemet e jetës në komunitet. Kjo njëanshmëri sjell e do të sjellë ngecje dhe apati. Është afërsisht njësoj sikur i zoti i shtëpisë të interesohet ku i pikon çatia dhe të lërë pas dore lagështinë që i hyn nga themelet.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.