Demarkacioni, Mustafa: Nuk ka tërheqje të nënshkrimit

Oct 10, 2015 | 11:49
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa me anë të një statusi në rrjetin e tij social “Facebook” ka thënë se për vendin nuk janë problem Asociacioni dhe Demarkacioni, por sipas tij problem aktual është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe rregullave që stimulon ardhjen e partive opozitare, në pushtet me anë të dhunës.

Isa Mustafa
Isa Mustafa

Mustafa ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje të nënshkrimit pasi vlerësimi i marrëveshjeve do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese.

Ai ndër të tjera ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit nuk është as Bibël e as Kuran dhe se sipas tij nëse ka ankesa dhe vërtetime se i janë marrë tokë nga kjo marrëveshje, atëherë do të ketë korrigjime.

Postimi i plotë i Mustafës:

Për vendin tonë nuk janë problem real as Asociacioni dhe as Demarkacioni me Malin e Zi. Problem është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe rregullave, që stimulon hyxhymin e dhunshëm për të ardhur në pushtet jashtë rregullave demokratike.

Asociacioni, Jo! Sepse, është Gjykata Kushtetuese ajo që vlerëson çdo pikë të marrëveshjes, dhe nëse del se edhe një pikë nuk është në harmoni me Kushtetutën ajo nuk do të implementohet.

I përkujtoj të gjithë ata që e dinë dhe ata që nuk e dinë se Asociacioni themelohet, jo me vendim dhe dëshirë të Kryeministrit apo Qeverisë, por si obligim për ta zbatuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të votuar nga 84 deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj nuk mund të flitet për tërheqje të nënshkrimit, por për zbatim të ligjit.

Marrëveshja e demarkacionit nuk është as Bibël e as Kuran, dhe nëse dikush mund të vërtetoj me evidencë të qëndrueshme se, jo dhjetëmijë hektarë por, edhe një metër katrorë ka kaluar nga territori ynë në Mal të Zi, do të kërkohet korrigjim. Por deri sot askush nuk ka ardhur ta dëshmoj këtë. Kurse, gjeografët tanë duhet ta kenë një qëndrim lidhur me sipërfaqen e territorit të Republikës së Kosovës. Ky territor nuk është llastik. Disa shkruajnë për 10877, disa 10887, disa 10906 e disa mua më deklarojnë në zyrë se ky territor arrin në 10960 kilometra katrorë?! Ne kemi shkencëtarë e akademikë, të cilët kanë dije dhe munden, pa u ndikuar politikisht dhe pa orekse territoriale, të jenë të saktë në dëshmimin historik të vijave kufitare në të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura