Demalia: Pse e uroi Enveri në telefon Kadarenë, ku ndryshon me Pastërnakun

Nov 21, 2018 | 21:34
SHPËRNDAJE

Vepra më e fundit e Ismail Kadaresë është nxitur nga misteri që ka mbuluar një telefonatë mes diktatorit Stalin dhe poetit dhe shkrimtarit, Boris Pasternak. Kadare jep 13 variante të ndryshme të kësaj telefonate, duke hequr paralele me raportin e tij me diktatorin shqiptar, Enver Hoxha.

Ndër të tjera, ai tregon edhe për një telefonatë që i ka bërë Enver Hoxha, për ta uruar për një poezi. Analisti Ilir Demalia zbulon se cila ishte poema, për të cilën vetë diktatori do ta uronte poetin. Bëhet fjalë për poemën “Përse mendohen këto male”, vlerësuar me “Çmimin e Republikës” me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, në nëntor 1964. Nga ana tjetër, Demalia sjell një version të telefonatës mes Stalinit dh Pasternakut, rrëfyer nga biografi i Stalinit, Steven Kotkin. Ku ndryshojnë këto dy telefonata?!

Ilir-Demaliaj-SHBA

ILIR DEMALIA/ Lexova në gazetën “Panorama” një pjesë nga libri më i ri i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden-Rreth misterit të telefonimit Stalin-Pasternak”.

Ismail Kadare, tashmë prej 29 vitesh, qysh se prej largimit të tij nga Shqipëria në shtatorin e vitit 1990, po rreket pa pushim për t’i veshur vetes kostumin e disidentit në diktaturë dhe pse jo edhe të persekutuarit. Për këtë ka përdorur edhe paralelizma të ngjashme me shkrimtarë të tjerë botërorë disidentë apo me situata. I ka filluar këto që me librin “Pesha e kryqit”, “Dialog me Alain Bosquet”… në intervista e shkrime. I vazhdon edhe me librin “Kur sunduesit grinden” një fragment i të cilit u publikua dje në gazetën “Panorama”. Aty, Kadare mundohet të japë një paralelizëm mes thirrjes telefonike që i bën Stalini shkrimtarit Pasternak dhe thirrjes telefonike që Enver Hoxha i bën shkrimtarit Ismail Kadare.

“Enver Hoxha e thirri në telefon Ismail Kadarenë për ta uruar për një poezi”, shkruan Kadare. Por nuk sqaron se ç’ishte kjo poezi që e merrte për ta uruar diktatori. Poezi dashurie? Romantike? Kundër regjimit dhe vetë diktatorit? Përse e mban të fshehur poezinë, për të cilën e uron diktatori?…

ilir demalia

Diktatori e mori Ismail Kadarenë për ta uruar për poemën “Përse mendohen këto male”. Një poezi që do të bëhej himn për pushtetin dhe do të mësohej përmendesh me detyrim nëpër shkolla, do të recitohej në radio, në festa dhe do të merrte “Çmimin e Republikës” me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit të atdheut, në nëntor 1964.

Por a qëndron ky paralelizëm? Absolutisht jo! Le të lexojmë mbi telefonatën që Stalini i bëri shkrimtarit Boris Pasternak, nga vëllimi i dytë i biografisë së Stalinit, shkruar nga Steven Kotkin.

Lexuesi le ta nxjerrë vetë përfundimin se sa qëndron paralelizmi midis grindjes së Stalinit me Pasternakun dhe “grindjes” së Enverit me Kadarenë, pas leximit të dy telefonatave.

Telefonata e Stalinit Pasternakut:

Steven Kotkin tregon se Stalini e thirri në telefon për mikun e tij, poetin Osip Mandelshtam. Në fillim të viteve 1930, shumë pjesë të Bashkimit Sovjetik po përjetonin zinë e bukë si pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të kolektivizimit që ndiqte Stalini. Në atë kohë, Osip Mandelshtami shkroi i shkujdesur disa vargje që ia hidhnin fajin Stalinit për urinë. Një ditë, kur po ecte në rrugë, Mandelshtami pa mikun e tij të vjetër, shkrimtarin Boris Pasternak, dhe me shaka ia përsëriti vargjet. Siç mund të merret me mend, Pasternaku u tmerrua, sepse e dinte se një kritikë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm mund t’i hapte probleme të rënda çdo njeriu me autoritetet.

“Nuk dëgjova ç’më the. Zëre se nuk ma recitove”, i tha Mandelshtamit, dhe vazhdoi rrugën. Por ishte tepër vonë. Mandelshtami ua kishte recituar poezinë të tjerëve dhe një ose më shumë prej tyre duhet t’ua kishin raportuar shërbimeve të sigurimit. Ai u arrestua në mbrëmjen e 16 majit 1934 dhe iu konfiskuan shkrimet personale që iu gjetën në banesë. Në atë kohë, për gjëra të tilla të priste ose mërgimi, ose vdekja. Kur Pasternaku zbuloi se ç’kishte ndodhur, shkoi të takonte gruan e Mandelshtamit, Nadjezhdën, dhe të dy u përpoqën të flasin me dikë nga zyrtarët e lartë të partisë që të mund të ndërhynte dhe ta shpëtonte poetin e nxituar. Nadjezhda i telefonoi Kremlinit, por përgjigjja ishte një heshtje e ftohtë. Ai shkoi edhe në zyrat e gazetës “Izvestja” dhe i kërkoi politikanit Nikollaj Buharin të ndërhynte për shpëtimin e Mandelshtamit. Në të njëjtën kohë, ua bëri të qartë të gjithëve se nuk kishte aspak lidhje me denoncimin e poetit dhe as e kishte tradhtuar. (I panjohur për Pasternakun ishte fakti se Mandelshtami, gjatë marrjes në pyetje nga Komisariati i Punëve të Brendshme, ose NKVD-ja, në burgun e Lubjankës, nuk e kishte përmendur emrin e tij, si njeriu të cilit i kishte recituar një poezi).

Ismail kadare2

Fati e ndihmoi disi Mandelshtamin. Ai nuk u dërgua në gulag, por iu dha një formë e butë mërgimi në qytetin Çerdin të Uraleve Veriore, madje u lejua të merrte edhe gruan. Megjithatë, e tërë kjo që ndodhi i kishte shkatërruar nervat e brishta dhe, në qershor të vitit 1934, ai bëri një përpjekje të pasuksesshme për vetëvrasje. Buharini ia kishte rrëfyer hollësitë e dramës vetë Stalinit, i cili ishte i njohur si njeri që interesohej për punën e artistëve dhe për tipat që merreshin me letërsi. Dhe kështu vendosi të luajë një dramë surreale, nga ato që mund të luheshin vetëm në Bashkimin e vjetër Sovjetik.

Më 13 qershor 1934, Pasternakun, i cili ishte ende i shqetësuar për fatin e shokut të tij, e lajmëruan se kishte një telefonatë në zyrën e apartamentit ku banonte, në rrugën “Volhonka” të Moskës. (Aso kohe, jo çdo apartament kishte telefonin e vet). Ngriti receptorin dhe dëgjoi në anën tjetër një nëpunës qeveritar, i cili i tha se Sekretari i Përgjithshëm Stalin donte të fliste pak me të. Pasternaku mendoi se njeriu në anën tjetër të linjës do të ishte ndonjë shakaxhi që po përpiqej t’i luante një rreng. Atij as që mund t’i shkonte ndërmend se vetë Stalini do të kërkonte të fliste me një askush si ai, prandaj ia mbylli telefonin.

Ismail kadare3

Por telefoni ra sërish. Pasternaku e ngriti receptorin dhe nisi të alarmohej. Zëri në anën tjetër i tha me një ton të mprehtë se shoku Stalin do të fliste së shpejti me të. Më pas iu dha një kod i veçantë thirrjeje. Ai e mbylli telefonin dhe i ra kodit sipas udhëzimit. Në anën tjetër të linjës u dëgjua një zë:

“Jam Stalini”.

Në atë çast, Pasternaku duhet të ketë ndjerë gjakun që iu ftoh i tëri në damarë. Ai duhet të ketë kuptuar se fjalët që do të shqiptonte në pak minutat e ardhshme do të vendosnin rrjedhën e pjesës tjetër të jetës së tij. Me tone të matura, Stalini e informoi Pasternakun se rasti i Mandelshtamit ishte “rishikuar” dhe se ishte vendosur që atij t’i jepej një formë e butë mërgimi. Mandelshtami nuk do të lejohej të jetonte në një qytet të madh, por do të duhej të kënaqej me një qytet të dorës së dytë ose të tretë. Pastaj e pyeti Pasternakun nëse e kishte “mik” Mandelshtamin.

Stalini ishte i njohur për kënaqësinë që i jepte loja me mendjen e tjetrit, pra kur një pyetje e vinte tjetrin në dilemë. Nëse Pasternaku thoshte: “Po, e kam shok”, atëherë kjo do ta vinte përballë një raundi tjetër pyetjesh dhe madje akuzash. Nëse përgjigjja ishte: “Jo, nuk e kam shok”, atëherë kjo mund të quhej tradhti ndaj një kolegu shkrimtar në nevojën e tij më të madhe të jetës. (Për ironi, Stalinit nuk i pëlqenin tradhtarët apo akuzuesit e çdo lloji, edhe nëse punonin për të. Ai besonte se njerëz të tillë kishin të meta karakteri dhe nuk mund t’u zihej besë). Pra, Pasternaku duhej të mendohej mirë para se të fliste. Duke u përpjekur të ruajë paanshmërinë dhe me kujdesin për të qenë brenda, ai u përgjigj kështu:

“Poetët rrallë bëjnë miq. Ata zakonisht e kanë zili njëritjetrin”.

Por Stalini nuk tërhiqej lehtë. Ai e provokoi si pa u vënë re Pasternakun, duke i thënë se nëse ndonjërit prej miqve të tij do t’i ndodhte diçka e tmerrshme, ai – Stalini – do të bënte çmos për ta ndihmuar. Pastaj Stalini e pyeti prenë e tij të tmerruar nëse Mandelshtami ishte një “mjeshtër i vërtetë poetik”. Me sa duket, këtë pyetje ia bëri për të zbuluar nëse Pasternaku kishte ndonjë rivalitet ose xhelozi për poetin tjetër. Ishte gjithashtu një truk mjaft i zgjuar për ta kapur Pasternakun. Nëse ai do ta lëvdonte punën e Mandelshtamit si vepër e një “mjeshtri”, kjo lëvdatë mund të interpretohej si një pohim i tërthortë se Pasternaku ishte dakord me vargjet e poetit që kritikonin Stalinin

Sipas Kotkin, nuk dihet me siguri se si u përgjigj Pasternaku. Ai me sa duket i tha Sekretarit të Përgjithshëm se do të ishte në gjendje të shpjegohej më mirë nëse mund të takohej me Stalinin personalisht. Stalini befas e mbylli telefonin, duke i dhënë fund bisedës. Pasternaku, i tmerruar dhe duke menduar se kishte thënë diçka që e kishte fyer Stalinin, u përpoq t’i telefononte përsëri. Por funksionari që iu përgjigj, i tha se Sekretari i Përgjithshëm ishte i zënë. Pasternaku e pyeti nëse mund t’ia shpjegonte çështjen ndonjë zyrtari tjetër dhe nëpunësi i tha se kjo varej nga ai.

Për javë të tëra Pasternaku jetoi në ankth duke pritur policinë sekrete t’i trokiste në derë. Por, gjatë gjithë jetës, ai nuk do ta harronte kurrë atë telefonatë, nuk do të harronte se si krahët e Fatit e mbrojtën, ndërsa mbante receptorin shtrënguar pas veshit.

Fati i njeriut shpesh varet në një fije peri të hollë, që luhatet mbi kazanin me ujë përvëlues poshtë tij.

Telefonata e Enverit Kadaresë:

“Ishte mesditë, ndodhesha si zakonisht në Lidhjen e Shkrimtarëve kur zëvendëskryeredaktori i gazetës “Drita”, duke më zgjatur telefonin, më tha se dikush më kërkonte.

“Jam Haxhi Kroi,-tha zëri. -Me ju do të flasë shoku Enver”. Nuk arrita të them asgjë, veç fjalës “faleminderit”. Më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë. Unë thashë prapë “faleminderit”. Ai tha se i kishte pëlqyer shumë dhe, ndërsa iu bëra një shenjë të tjerëve që të mos bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një ‘faleminderit’ të tretë”.

“Enver Hoxha e thirri në telefon për ta uruar për një poezi”,- shkruan Kadare, por nuk sqaron se ç’ishte kjo poemë që e merrte për ta uruar diktatori? Poezi dashurie? Romantike? Kundër diktatorit apo çfarë? Përse e mban të fshehur poezinë, për të cilën e uroi diktatori? Nuk e tregon pasi krejt ndryshe nga historia e telefonatës së Stalinit, ajo e Enverit për Kadarenë, tregon se raporti i shkrimtarit me diktatorin tonë ka qenë krejt ndryshe nga ai i Mandelshtamit apo Pasternakut me Stalinin. Diktatori e mori për ta uruar për poezinë “Përse mendohen këto male”, që ishte botuar në “Zëri i Popullit”. Një poemë që do të bëhej himn për pushtetin dhe do të mësohej përmendesh me detyrim nëpër shkolla, do të recitohej në radio, në festa dhe do të merrte “Çmimin e Republikës” me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, në nëntor 1969. Një poemë që fliste se si në shekuj populli shqiptar kishte pritur shpëtimtarin, që do ta çonte drejt lumturisë dhe që më në fund kishte arritur: Partia dhe Shokun Enver.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura