Delvina e Dhales, një ekspozitë 25 vjet pas ikjes

Feb 23, 2015 | 16:35
SHPËRNDAJE

Dy nga punët në ekspozitë

“25 vjet më pas”, kështu titullohet ekspozita që do të hapet në Muzeun Historik Kombëtar në datën 25 shkurt.

Është një rrëfim përmes pikturës i evoluimit artistik të dy piktorëve që kanë lënë Shqipërinë 25 vjet më parë. Bëhet fjalë për dy piktorët Avni Delvina e Niko Dhales.

Është një ekspozitë me peizazhe e kompozime në akuarel e bojë kine, që autorët i kanë realizuar në vendet ku jetojnë, në Itali e në Francë. Por, nëse punët e Niko Dhalesit janë më klasike, më të drejtpërdrejta, ato të Delvinës vijnë më provokative dhe i qasen më shumë problematikës së ditës. Ai përdor kompozimin, kolazhin, ndërthur vizatimin me teknologjinë. “Shpresojmë të jetë e këndshme. Jo se njerëzit do të shohin çudira, por le të jetë edhe një pikë bashkimi për të gjithë ne. Harmonia që ne kemi me njëri-tjetrin, kjo miqësi pa komplekse, të mund të transmetohet edhe te publiku. Le të jetë një kontribut harmonie”, thotë Avni Delvina, punët e të cilit janë mjaft të njohura sidomos në rrjetet sociale. Punët e Delvinës i gjen në faqet e shtypit shqiptar e italian, por edhe në ballina librash. Si një ngjarje që vjen pas 25 vjetësh, artistët presin jo pak miq. “Presim të vijnë shumë njerëz. Kemi lenë këtu shumë miq, me të cilët vazhdojmë të mbajmë lidhje. Më kujtohet ajo kënga “L’erba di casa mia”, e Massimo Ranierit, që në jetë të ndodh të ngrihesh, ngrihesh, por vjen një moment, që të rikthehet dëshira për të qenë fëmijë. Mund të jetë një moment i paharrueshëm emocional për jetët tona”, thotë Delvina.

Avni Delvina u largua nga Shqipëria me dyndjen e ambasadave në korrik të vitit 1990, ndërsa Niko Dhales nuk do të kalonte përmes këtyre peripecive e do të largohej pak më vonë me vizë drejt Italisë. Por, lidhja mes tyre nuk nis me emigrimin. Janë rritur së bashku e kanë ndarë momentet më të bukura e të hidhura të jetëve të tyre. Për Delvinën, Dhalës nuk ka qenë vetëm një mik, por edhe një nxitës për t’u marrë me pikturë, kur ishte 27 vjeç.

“Në vitin 1985, pikënisja ime në art ka qenë Niko Dhales, Mustafa Arapi, Adrian Devolli. Këta kanë qenë shkolla ime. Jam këshilluar edhe me piktorë të tjerë si Edi Hila e Zamir Mati”, kujton Delvina, i cili menjëherë pas largimit nga Shqipëria, i kushtohet tërësisht pikturës dhe të hapte ekspozita. E para ishte në vitin 1992 në Galleria d’Arte del Caminetto në Bolonjë, ku drejtori i enciklopedisë italiane të artit, Paolo Zauli, do të vlerësonte “pulsimin frenetik, gati eksploziv, temperamentin vullkanik dhe të pafrenueshëm”. Pasi lëvroi pikturën, peizazhin, Delvina “zbuloi” grafikën, përmes së cilës kishte më shumë liri shprehjeje. Veç lapsit dhe teknologjive kompjuterike, ironia dhe simboli do të bëheshin armët e tij të suksesit. Vepra të Delvinës gjenden edhe në koleksionet e Silvio Berlusconit dhe George W. Bush. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura