Del udhëzimi, si do caktohen drejtorët e rinj të shkollave. Kushtet që duhet të plotësojnë mësuesit

| 10:36
SHPËRNDAJE

testim-mesuesit

Të gjithë mësuesit që aspirojnë një ditë të drejtojnë shkollën, përfshi dhe ata që aktualisht janë në sistem, do të duhet të kalojnë filtrin e certifikimit, për t’u bërë drejtues apo edhe për të ruajtur vendin e punës.

Ky kusht është futur në një udhëzim të posaçëm të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe do të vlejë për emërimin në vazhdim të të gjithë drejtuesve në institucionet e arsimit parauniversitar.

Dokumenti është hartuar fill pas ngritjes së shkollës së drejtorëve, të cilën kush nuk e mbaron, nuk mund të jetë drejtues shkolle. Gara ka nisur tashmë. Me urdhër të ministres së Arsimit, nr. 454, datë 13.09.2019, ku parashikohet lirimi nga detyra i gjithë nëpunësve të drejtorive rajonale, të gjitha vendet e drejtuesve zyrtarisht janë shpallur të lira për t’iu nënshtruar konkursit për përzgjedhjen e më të mirëve.

Paralelisht, në shkollën e drejtorëve ka nisur mësimi në dy ditë të javës (të premte dhe të shtunë) për ata që janë në sistem dhe të tjerë që në krye të nëntë muajve certifikohen si drejtues.

KRITERET E REJA

Për t’u bërë drejtor shkolle ka disa kritere të përcaktuara në ligjin e arsimit parauniversitar. Përveç trajnimit të detyruar, për të aplikuar nevojitet shkalla e tretë të kualifikimit, “Mësues i kualifikuar”, që nënkupton minimalisht pesë vite pune, niveli i studimeve master shkencor, si dhe figura e pastër, që nënkupton mosmarrjen e asnjë mase disiplinore gjatë kohës që kandidati ka shërbyer si mësues.

Por, si do të caktohet një drejtor?! Pranë çdo institucioni arsimor ngrihet një komision i përbërë nga kreu i bordit, kryetari i këshillit të prindërve, dy mësues të zgjedhur nga këshilli i mësuesve, si dhe një përfaqësues i njësisë së vetëqeverisjes vendore (bashkia).

Ky komision ka vetëm rol sugjerues. Vulën e vë drejtoria arsimore rajonale, pas përcjelljes së dokumentacionit nga zyra vendore e arsimit dhe intervistimit të kandidatëve. Ashtu si emërimi, Drejtoria Arsimore ka tagrin e shkarkimit apo pezullimit të drejtorit. Dhe kjo bëhet në rast se është në ndjekje ligjore, nëse paralajmërohet për largim nga puna nga komisioni i disiplinës, nëse shkel procedurat e provimeve të maturës shtetërore, është pjesë e forumit apo lejon veprimtari politike gjatë mësimit, kur vlerësohet “dobët” apo vepron në kundërshtim me aktet nënligjore të Ministrisë së Arsimit.

Certifikata nga shkolla e drejtorëve mund të anashkalohet si kusht vetëm në rast se për një pozicion të lirë nuk ka të tjerë kandidatë të certifikuar. Në mungesë të saj, njihet trajnimi i zhvilluar nga IZHA, në 2016-ën.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.