Dekriminalizimi, si një shaka e madhe

May 31, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Nevoja për dekriminalizimin te ne po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme, paçka se aktualisht disa kanë filluar të pohojnë se ligji i dekriminalizimit “nuk është shumë në respekt të Kushtetutës”. Ky ligj u miratua para disa muajve, pas debateve dhe akuzave të ndërsjella.

Qëllimi i tij- të mbronte integritetin dhe mirëfunksionimin e Parlamentit dhe organeve të tjera nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe vendimmarrje i personave që kanë kryer a tentojnë të kryejnë vepra penale. Sipas përfaqësuesve të BE-së, kjo do të bënte që të forcohej zbatimi i ligjit, integriteti i zyrtarëve, lufta kundër korrupsionit dhe do të shtonte besimin e njerëzve te shteti dhe institucionet e tij.

Kurse Ambasada Amerikane në Tiranë e vlerësonte atë si “më të ashprin në Europë kundër krimit në politikë… hap i rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend”. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, që herët u shpreh se tashmë priste nga pala shqiptare miratimin dhe zbatimin e legjislacionit për përjashtimin e personave me rekorde kriminale nga funksionet publike. Ndryshe po ndodhte me palën tonë.

Ai u shoqërua në fillim nga ditirambe, i cili do të bënte çudira në pastrimin nga deputetë a zyrtarë të korruptuar. Por, menjëherë pas kësaj, nisën përpjekjet për ndryshime apo të riparimit të tij me mballoma- në interes të të zgjedhurve, tani, me synimin e një mburoje, në interes të të gjithë krahëve politikë. Pra, në fakt, kundër dekriminalizimit të politikës etj.

Dhe më tej. Plotësimi i formularëve, brenda 4 majit, sipas kategorive të ndryshme të zyrtarëve, dukej si një ogur i mirë për të nisur një betejë serioze. Dhe tani kemi përballë këta formularë. Por, për fat të keq, ajo çka shpaloset në ta është larg pritjes së deritanishme të qytetarëve, dhe pse “dëshmitë e penalitetit”, në krye të radhës, i nxirrnin përgjithësisht të pastër heronjtë e vet. Këto deklarime sollën më pak të reja se ç’dinë njerëzit. Disa prej tyre shkuan dhe më tutje.

Dikush, “nuk mban mend se përse është dënuar”, të tjerë argumentojnë “padrejtësinë” e dënimit… Plotësimi i formularëve gjithashtu, në vend që të sillte pas kësaj veprimin konkret ndaj të zhyturve në krime, bëri që këto të fundit të vijnë si histori dhe të tregohen si të tilla. Pra, veç të tregohen. Në këtë rrugë, edhe denoncimet ndaj tyre nuk kanë reshtur.

Çuditërisht, edhe vetë deklaruesit ndihen aq të pacenueshëm, sa ato rrëfehen edhe nga vetë ata, për t’u bërë kështu më interesantë, paçka se inkriminimi është i qartë. Ndërkohë, në Parlament dhe gjetkë nisi gara: kush kishte më shumë të inkriminuar në Parlament apo në pushtetin vendor e gjetkë, pozita apo opozita.

Të inkurajuar nga kjo situatë, personat me rekorde kriminale, në Parlament apo në administratën shtetërore, filluan madje të bëjnë moral dhe të tundin gishtin, duke i krijuar terren e dhënë forcë antiligjit, antishtetit. Sigurisht, procesi i dekriminalizimit është një proces i gjatë dhe deklarimi, sikurse përmendëm, është vetëm fillimi.

Por kjo nuk mund të justifikojë faktin që hapat e më- tutjeshëm të ngecin dhe për pasojë, situata të vazhdojë të jetë tepër zhgënjyese. Nga ana tjetër, cikli i dekriminalizimit të çon prapë te një proces rutinë, te hetimi gjyqësor. Drejtësia jonë dihet se ku lundron. Trumbetat për Reformën në Drejtësi nuk pushojnë. Megjithatë, ajo vetëm po lakohet, topi hidhet sa në fush- ën e pozitës, edhe në atë të opozitës, duke u shmangur prej saj dhe duke e shtyrë atë pa fund.

Pa reformimin e sistemit të Drejtësisë, distancimi nga krimi mbetet slogan, madje, ai inkurajohet dhe fuqizohet më tej para pandëshkueshmërisë. Në fund të fundit pra, kush do t’i ndëshkojë këta njerëz? Në tërë këtë proces, pyetja e natyrshme që të lind më tej: Si kanë hyrë ata në hierarkinë më të lartë? E rastësishme? Rrëshqitje është kjo? Vështirë ta pranosh si të tillë. Kush i vuri ata në listat e kandidimit për në Parlament apo në krye të pushtetit vendor, është e qartë.

Asgjë nuk bëhet pa kryetarët e partive, për të cilët “dëshmia e penalitetit” justifikon gjithçka, ndaj dhe qëndrojnë në krah të tyre. Çfarë filtri e shoshitjeje i janë nënshtruar, kushdo e ka të qartë. Siç thotë një miku im, shoshë e plasaritur nga të gjitha anët, që vetëm tundet, sikur shoshit. Që dekriminalizimi të mos shihet si një shaka e madhe, formularët e vetëdeklarimit kërkohet të verifikohen edhe në bashkëpunim me organet e Drejtësisë të shteteve të ndryshme.

Po ne votuesit? Këtyre personave me rekorde kriminale, që përfliten në opinion, u duhet thënë copë, qofshin deputetë a kudo gjetkë ku kanë hedhur rrënjë, por dhe përkrahësve të njohur të tyre, kryetarë partish, Kryeministër a ministra: Mjaft më! Ndryshe, bota e frikshme e krimit do ta ketë edhe më të lehtë për t’i shtrirë kudo tentakulat e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura