Dekriminalizimi, Rama kundër Metës

Aug 3, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

Shqipëria është vend me regjim oligarkik; këtë e dinë të gjithë në Shqipëri, si dhe zyrtarët në kancelaritë perëndimore që merren me Shqipërinë, pavarësisht se artikulimi i këtij cilësimi është për momentin i kujdesshëm dhe i rezervuar.

Kastriot Islami
Kastriot Islami
Por, nga ana tjetër, Shqipëria ka shansin e madh që “të de-oligarkizohet” e para e ndoshta edhe e vetmja (së bashku me Kosovën), sepse partnerët strategjikë të Shqipërisë, sidomos ai amerikan, kanë tolerancë zero ndaj prezencës së “faktorëve të tretë” në hapësirën shqiptare, prezencë të cilën do ta favorizonte në çdo rast qeverisja oligarkike, ndonëse aktualisht një gjë e tillë duket e pamundur e gati si një ide e marrosur. Shenjat e para janë dhënë konfidencialisht e publikisht. Procesi i “de-oligarkizimit” sapo ka nisur me atë të “dekriminalizimit”, që është faza më e lehtë dhe më e thjeshtë e këtij procesi kompleks dhe jo të lehtë.

Me siguri të lartë, në parlamentin e ardhshëm jo vetëm s’do të duhet të ketë, por edhe s’do të mund të ketë asnjë oligark apo përfaqësues të oligarkisë, ndërsa individët me rekorde kriminale që na paskan “cilësi të spikatura” për “të grumbulluar/blerë” vota, s’do të pranohen në asnjë rrethanë.

Kjo e shqetëson shumë drejtuesin e oligarkisë, Edi Ramën, i cili prej kohësh mendon se si të shpëtojë nga cilësimi si “konceptues, programues, realizues e përfitues” i skemës oligarkike dhe të shesë te partnerët taktikat e tij djallëzorë për t’u shndërruar në “luftëtar kundër oligarkisë” dhe që të jetë i besueshëm, e vetmja lëvizje makiavelike që ka menduar/gatuar prej kohësh është të bëjë KURBAN Metën…

TRILEMA E RAMËS DHE KURBANI META
Ky është edhe thelbi i tensionimit të marrëdhënieve midis Ramës e Metës, të cilat zor se do të gjejnë qetësi të qëndrueshme, pavarësisht ndonjë tërheqjeje taktike të Ramës nga sulmi që ka programuar; marrëdhënie të cilat do të çojnë në çarjen e koalicionit…

Duket në pamje të parë alogjike përse Rama duhet të futet në këtë konflikt me Metën, kur së bashku kanë pushtet të konsiderueshëm dhe mjaft hapësirë për t’u marrë vesh. Rama dhe Meta ndodhen në një “trilemë”: nga njëra anë, janë të detyruar të kryejnë nën presion “de-oligarkizimin”, nga ana tjetër, u kërkohet goditja së paku e një “peshku” të madh që procesi të konsiderohet i pranueshëm dhe, së treti, nëse kjo gjë ndodh, humbja e zgjedhjeve në 2017-n është një ngjarje pothuajse e sigurt, ndërkohë që, nëse kjo s’ndodh, stigmatizimi ndaj tyre do të ishte shumë i ashpër.

Rama gjykon se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo trilerë është të bëjë kurban Metën; kështu konsiderohet një “politikan i pastër antioligarkik” dhe, si i tillë, mund të jetë faktor për një “koalicion të madh PS-PD pa LSI”, ide që e rrotullon në kokën e tij prej kohësh dhe e përhap po vetë, duke thënë se “me Metën është e pamundur të qeverisësh, ndonëse për t’u maskuar përpiqet ta vendosë këtë “tezë” në gojën e përfaqësuesve a gazetarëve opozitarë si një ide që vjen si kërkesë/nevojë nga jashtë.

1. OLIGARKIA NË SHQIPËRI DO TË ÇRRËNJOSET ME ÇDO KUSHT E MJET
Oligarkia në Shqipëri do të çrrënjoset me çdo kusht e me çdo mjet; kjo tashmë është ngjarje e sigurt. Dekriminalizimi është veçse fillimi. Shtatori 2015 përbën momentin e fillimit të këtij procesi. Parlamenti i ardhshëm do të jetë i pastruar tërësisht nga oligarkët…

Në Ballkanin Perëndimor kjo programohet të ndodhë, por në Shqipëri e Kosovë, kjo është e padiskutueshme. Arsyet janë të shumta, por ka një arsye mbi arsyet: Partnerët strategjikë kanë tolerancë zero ndaj krijimit nga oligarkia të “hapësirave” për t’u mbushur nga “faktorë të tretë” në këtë territor ballkaniko-mesdhetar.

Ky është i vetmi shans që Shqipëria të çlirohet tërësisht e shpejt nga qeverisja “oligarkike” dhe të vendoset në rrugën e “demokracisë perëndimore liberale”. Moskrijimi i “hapësirave” për “faktorët e tretë” s’do t’u lihet në dorë drejtuesve të oligarkisë, të cilët, për të qëndruar në pushtet e për të forcuar pozitat e tyre, premtojnë në fazën fillestare kur ende s’kontrollojnë gjithçka, me servilizëm e nga frika, se do të ruajnë apo së paku s’do të ndryshojnë marrëdhëniet me partnerët strategjikë, por çrrënjosja e qeverisë oligarkike në Shqipëri do të jetë radikale dhe pastrimi i thellë, sepse dihet shumë mirë që mbyllja përfundimtare e “hapësirave” për të tretët do të mund të garantohet vetëm me largimin e oligarkisë nga qeverisja, përsëris me prioritet e pa asnjë mëdyshje nga Shqipëria e Kosova…

2. KOMPONENTËT E OLIGARKISË NË SHQIPËRI
Në Shqipëri vendi qeveriset nga oligarkia. Segmentet kryesore të kësaj oligarkie janë:
1) politikanë të korruptuar me pasuri të dyshimta që kontrollojnë partitë e tyre, Kuvendin, institucionet kryesore kushtetuese ose në përgjithësi shtetin, biznesin privat, median, gjyqësorin, shoqërinë civile e të tjerë;
2) biznesmenë të pasuruar në mënyrë të paligjshme apo klienteliste me pronat e fondet publike në lidhje klienteliste me politikanët-oligarkë;
3) përfaqësues të medias, aktivë në politikë, që kanë ngritur perandoritë e tyre mediatike përmes bizneseve përfituese të pronave e fondeve publike dhe përmes lidhjeve klienteliste me politikanët oligarkë;
4) ish-zyrtarë të lartë të pasuruar nga përfitimet në poste lukrative, të tilla si agjencitë e privatizimit, dogana, tatime, gjyqësor, polici dhe
5) individë me rekorde kriminale të konsideruar si “material” lidhës i amalgamës oligarkike. Konceptuesi, përfaqësuesi dhe drejtuesi prej 15 vjetësh në Shqipëri i qeverisjes aktuale oligarkike është Edi Rama…

3. TIPARET E OLIGARKISË SHQIPTARE
Oligarkia në Shqipëri është primitive. Ajo është në themel mediokre e injorante. Ajo është banale e arrogante. Ajo është mashtruese e gënjeshtare. Ajo është e paaftë dhe e djallëzuar. Ajo ka në themel lidhje të vjetra me ish-regjimin dhe vesh për kostum perversitete “kontemporane”… Ajo është jo vetëm e korruptuar, por edhe e lidhur me krimin, banditizmin, e trafiqet.

Ajo është antiintegruese e antiperëndimore. Ajo urren modelet e demokracisë liberale perëndimore dhe është e orientuar nga modelet autoritare e iliberale. Ajo urren e lufton ashpër të arsimuarit, të aftët, individët me integritet, individët me eksperiencë dhe sulmon pa mëshirë deri në eliminim opozitarët e kundërshtarët. Ajo përdor median e saj klienteliste në mënyrë gebelsiane e represive kundër çdo mendimi apo gjykimi kundërshtues, të lirë apo alternativ.

Ajo është e gatshme për interesat e saj pushtetmbajtëse të dhunojë qytetaret e saj dhe të prishë marrëdhëniet partneriale me të gjitha ato vende apo institucione perëndimore që e stigmatizojnë për devijim nga rruga e demokracisë liberale. Përfaqësuesit dhe drejtuesit e saj janë të gatshëm për të ruajtur e mbajtur pushtetin, të lidhin marrëveshje preferenciale financiare, ekonomike e politike me “forca të treta”.

4. TENTATIVAT/PËRPJEKJET E RAMËS PËR TA PENGUAR PROCESIN E DE-OLIGARKIZIMIT

Rama është përpjekur me të gjitha mënyrat ta pengojë, shmangë, devijojë dhe frenojë procesin e dekriminalizimit të kërkuar me forcë nga opozita dhe të mbështetur/” ligjëruar” nga partnerët ndërkombëtarë. Fillimisht Rama nuk pranoi që në grupin e tij parlamentar ka deputetë me rekorde kriminale, duke dhënë të gjitha justifikimet se ata janë përzgjedhur dhe zgjedhur si “të pastër”, në përputhje me kërkesat ligjore.

Së dyti, udhëzoi anëtarët e tij në komisionin e dekriminalizimit të vononin e minonin të gjitha nismat për ndryshimet e nevojshme ligjore, si për deputetët e Kuvendit, ashtu edhe për kandidatët për zgjedhjet e ardhshme vendore e deri të përgjithshme.

Së treti, u përpoq e vazhdon të insistojë në qasjen e “simetrizimit/ gjeneralizimit” të situatës, pra, që jo vetëm grupi i tij, por edhe grupet e tjera kanë individë me probleme, kështu të “gjithë të baltosur” s’kemi përse bëjmë kaq shumë zhurmë.

Së katërti, u përpoq t’u mbushte mendjen partnerëve se nuk “ka hapësira ligjore”, se “preken të drejtat kushtetuese”, se “s’mund të ketë largime të deputetëve me forcë prapavepruese”.

Së pesti, duke sfiduar partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkuan moskandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, u përpoq të maskonte problemin e deputetëve të inkriminuar me atë të disa kryetarëve të bashkive për ta shtyrë këtë çështje e për të fituar kohë.

Së gjashti, po përpiqet nën rrogoz ta përcjellë këtë problem te LSI-ja, pra, të zëvendësojë largimin e oligarkëve të tij me goditjen e LSI-së.

5. TRI FAZAT E “DE-OLIGARKIZIMIT TË POLITIKËS SHQIPTARE
Rruga e vështirë dhe komplekse, por e pashmangshme e “de-oligarkizimit” të politikës shqiptare do të kalojë përmes tri fazash:
1) faza e parë dhe më e lehta është ajo e “dekriminalizimit”, ose, thënë ndryshe, e largimit të individëve me rekorde kriminale, të cilët janë me “të dukshmit”;
2) faza e dytë është ajo e largimit të individëve nga biznesi e media oligarkike me pasuri të krijuar në bashkëpunim e në bashkaksione me politikanët oligarkë;
3) faza e tretë është ajo e largimit të politikanëve oligarkë, kjo është edhe faza më e vështirë. Natyrisht që mund të ketë edhe ndërthurje midis këtyre fazave. Rama i ndërgjegjshëm për vendosmërinë e partnerëve ndërkombëtarë po përpiqet t’i vonojë këto faza dhe eventualisht me afrimin e fazës së tretë ta kalojë “topin në fushën e LSI”-së. Kjo është arsyeja themelore që marrëdhëniet PS-LSI, ose më saktë Rama-Meta, janë shumë të tensionuara, dhe s’do të mund të qetësohen duke u rritur me rritjen e presionit ndërkombëtar për “de-oligarkizimin” e maxhorancës aktuale e të qeverisjes Rama.

6. RAMA SYNON TË BËJË KURBAN METËN PËR TË SHMANGUR LARGIMIN E OLIGARKËVE TË TIJ
Marrëdhëniet PS-LSI duken së jashtmi “të ftohta”, por ato janë “shumë të tensionuara” nga brenda… Arsyet alibike janë gjoja veprimet minuese të socialistëve kundër kandidatëve të LSI-së në zgjedhjet vendore. E vërteta është krejtësisht ndryshe: Rama kërkon t’i shpëtojë “de-oligarkizimit” të partisë dhe grupit të tij kuvendor duke “viktimizuar LSI-në e madje Metën” si objekt i de-oligarkizimit. Rama, për të shmangur sulmin e partnerëve për “de-oligarkizimin” e “grupit e të qeverisjes se tij”, ka kohë që ka përgatitur “skenarin back-up” kundër LSI-së.

Madje përmes negocimeve me dy-tri forca politike dhe disa individëdeputetë në Kuvend, thuhet se ka siguruar një maxhorancë të re në formën e një “mine shpërthyese anti-Meta” prej 72 deputetësh, pa llogaritur fare deputetët e LSIsë, për ta përdorur në sulm të befasishëm ose në mbrojtje nëse Meta e kupton lojën e hidhet në sulm i pari… Meta i njohur më këtë “skenar” ose ndoshta duke nuhatur këtë “skenar”, thuhet se e ka provokuar/ testuar Ramën, duke i kërkuar që “emrin e Presidentit” të ardhshëm ta caktojë ekskluzivisht LSI-ja.

Kjo krijon alibinë se thelbi i mosmarrëveshjes do të ishte çështja e Presidentit të ardhshëm, të cilin LSI-ja kërkon ta ketë ekskluzivitet të saj, përderisa Rama zotëron postin e Kryeministrit… Por Rama, bazuar në analizën e mësipërme, ka plane të tjera për ta zhvendosur sulmin antioligarki nga vetvetja te Meta. Në këtë kontekst janë të qarta lajmet e përhapura nga Rama përmes tellallëve të tij se “Meta ka probleme me ndërkombëtarët” dhe se ata “kërkojnë një Sanader apo Nastase shqiptar”…

Vjeshta e ardhshme e “de-oligarkizimit” duket shumë interesante, sepse nën “cipën” e hollë të një qetësie vrastare duket se po zhvillohet “konkurrenca” e egër se nga cila nga dy “lojtarët” drejtues të oligarkisë do të fillojë procesi i “de-oligarkizimit”. Rama e ka përgatitur tashmë edhe terrenin, edhe klimën te partnerët se rrahën e ka Meta, sepse kështu mendon se jo vetëm do t’i shmangej këtij “sulmi” antioligarkik, por madje mund të dilte triumfator si “luftëtar” kundër oligarkisë… Gjë që mendon se do ta kthente atë nga pjesë e problemit në pjesë të zgjidhjes, të cilën Rama e shikon përmes një “koalicioni të madh PD-PS” pa Metën e duke pastruar të gjithë oligarkët…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura