Dekriminalizimi, PS: Te ne asnjë kriminel, PD të përgjigjet për Nokën, Ristanin, Zenelin

May 30, 2016 | 11:39
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste, duke sqaruar edhe njëherë se pse e miratoi ligjin për dekriminalizimin, i kujtoi PD-së se në grupin e shumicës nuk ka asnjë kriminel dhe për këtë opozita duhet të kërkojë ndjesë. Bashkë me ndjesën, sipas PS, duhet të përgjigjet për deputetët që rezultuan me precedentë në anën e vet.

Musa Ulqini
Musa Ulqini

Në një deklaratë për media, deputeti i PS-së, Musa Ulqini, tha se PD duhet të përgjigjet për deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin.

Deklarata e PS

Partia Socialiste dhe mazhoranca e miratuan ligjin për dekriminalizimin të bindur se kjo ishte rruga e vetme ligjore, por edhe politike e morale, për të  provuar përpara opinionit publik se sa e pavërtetë ishte akuza e lidershipit të PD, se në grupin parlamentar të Partisë Socialiste kishte as më pak e as më shumë, por plot 19 kriminelë.

Sot që ligji i ka dhënë plotësisht efektet e veta, shqiptarët kanë rastin të binden se në Grupin Parlamentar të PS nuk ka jo 19, por as edhe një kriminel.

Për këtë arsye sot PS dhe opinioni publik kërkojnë nga PD dhe lidershipi i saj, nga Lulzim Basha e Sali Berisha, që të japin një shpjegim për baltën që  për dy vite rresht hodhën pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë.

Aq më tepër që sot deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin.

Partia Demokratike në vend që të kërkojë ndjesë për përbaltjen më të madhe që u është bërë përfaqësuesve të popullit në historinë e parlamentarizmit shqiptar, hesht për deputetët e saj dhe baltos këdo që kërkon informacion apo shpjegime për implikimin e këtyre deputetëve nga ligji për dekriminalizimin.

Së fundmi dua ti kujtoj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se misioni i opozitës është të thotë të vërtetën dhe jo të ndërtojë kauza të gënjeshtërta, se në pushtet nuk vihet duke përbaltur kundërshtarët, por duke ndërtuar alternativa qeverisëse për shqiptarët.

REAGIMI I PD-SË

Shumë qytetarë dhe socialistë, tjetër gjë presin nga Musa Ulqini. Presin që Musai të mos pajtohet me krimin që ka zënë çdo pore të partisë. Ndoshta ai nuk e ka kurajon të kërkojë llogari pse partia ku është themelues, është nga pionierët e parë, u mbush nga shefi i rilindjes me banditë, trafikantë, tutorë e vrasës, por të paktën Musai duhet ta ketë kurajon të mos rreshtohet në radhët e atyre që bëjnë gargare me jargët e Edi Ramës. Nëse del të mbrosh Bushin, Roshin, Frrokun, Bardhin, Prengën, Ndokën, dhe krimet e tyre, e vihesh në një listë me Fred Koburen, me Elisën e traut të ngritur e me nusen e partisë, duhet të ndërrosh patjetër emrin, se s’mund të quhesh më Musa Ulqini. Të sugjerojmë ta bësh Edvin fillimisht, më pas Elvis, ose Ervin. Ndryshe, do të shkaktosh zemërim jo vetëm tek banorët e Dumresë të cilëve nuk u del dot më përpara se u premtove 6 mijë lekë për një kilë duhan, e ata nuk po shesin asnjë gram, po do gjesh belanë me çdo qytetar e socialist në mbarë vendin, që nuk do krimin e nuk do të sundohet nga trafikante, tutorë e vrasës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura