Dekriminalizimi, PS: Të dënuarit me burg janë të PD-së, pse s’reagojnë Basha dhe Berisha?

May 29, 2016 | 13:19
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste ka akuzuar PD-në se në radhët e saj ka të inkriminuar, sidomos në grupin parlamentar të opozitës.

olta-xhacka-lsaDeklarata është bërë nga Olta Xhaçka në kuadër të zbardhjes së formularëve të dekriminalizimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

DEKLARATA

Për muaj me radhë, Lulzim Basha e Sali Berisha hodhën baltë e akuzuan mazhorancën se paska patur 19 kriminelë në grupin e saj parlamentar, por tani që u bënë deklarimet, jo vetëm që 19 kriminelët dolën imagjinarë, por rezulton se të dënuarit me burg janë në radhët e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha e Sali Berisha, të dy bashkë, nuk thonë asnjë fjalë.

Nuk guxojnë të flasin as për Flamur Nokën që ka bërë deklarim të rremë duke u bërë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, as për Alban Zenelin, deputetin e dënuar dy herë me burgim, e as për Arben Ristanin, sekretarin e tyre të përgjithshëm i cili rezulton i dënuar me të paktën 5 muaj burg për veprime antikushtetuese.

Pyetja është: A do thotë ndonjë fjale Basha e Berisha për deputetët e tyre të dënuar? Nëse për Bashen e Berishën çdo qytetar është i barabartë përpara ligjit, duhet të paktën ta thonë një fjalë e të dënojnë deputetët e tyre që rezultojnë të inkriminuar. Në të kundërt, askush nuk mund t’i besojë se dekriminalizimi për ta ka qenë një përpjekje e sinqertë për të pastruar parlamentin nga të ashtuquajturit njerëz me të shkuar kriminale.

Në të kundërt, konferencat e tyre për shtyp janë thjesht një farsë që synojnë të baltosin këdo e t’i bëjnë pis të gjithë në një përpjekje për të fshehur të vërtetat për veten e tyre, që mesa duket po ua mësojnë edhe të tjerët.

REAGIMI I PD

Pas Fred Kobures së Partisë, dhe Elisës së Traut të Ngritur, radha për të bërë gargarë me jargët e shefit i erdhi Oltës, nuses së Partisë.

Nusja e partisë u keqpërdor sot nga Rama për të vënë shenja barazimi mes veprave të rënda kriminale dhe krimeve çnjerëzore të banditëve të rilindjes, me një arratisje nga Shqipëria e Ramizit dhe një aksident rrugor të 24 viteve më parë.

Eshtë qesharake se si Edi Rama mendon të fshehë banditët e tij, duke u kapur pas fijes së kashtës.

Vetëm pak ditë më parë ai katapultoi në krye të PS në Kavajë të dënuarin për drogë e trafiqe Gentjan Daja, i cili iku nga posti i Drejtorit Rajonal të Transportit në Tiranë sepse e kapte ligji i dekriminalizimit.

Por kjo tashmë është normë në partinë e Shullazit dhe Habilajve. Eshtë kthyer normë në partinë e Ndokës, Bardhit, Bushit, Roshit, Cubit, Frrokut, Prengës.

Edi Rama është lidhur prej kërthize me të gjithë të inkriminuarit e tij. Ai nuk ka as vullnetin dhe as dëshirën të ndahet nga ta. Ndaj jargavit pengje pa personalitet kundër opozitës, sepse mendon të legjitimojë kësisoj vendimin e tij për të mos dorëzuar tutorët, banditët, trafikantët, vrasësit.

Por e ka kot. Dekriminalizimi do të bëhet. Republika do të pastrohet nga krimi dhe politikanët që e promovuan atë. Shteti do u kthehet qytetarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura