Dekriminalizimi nuk ndalet

Apr 7, 2015 | 14:17
SHPËRNDAJE

ARTAN HOXHA

   PLATFORMA DEMOKRATE PËR DEKRIMINALIZIMIN
Opozita demokrate shpalosi platformën e saj për dekriminalizimin më 23 mars 2015, si një pikënisje e dialogut politik mbi instrumentet për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë që u shfaq me tepri, tej çdo limiti, në vitin e 24-t të demokracisë shqiptare. Lexuesi i vëmendshëm mund ta shqyrtojë platformën demokrate në adresën: http://pd.al/2015/03/platforma-per-dekriminalizimin-e-kuvendit-institucioneve-dhe-adminitrates-publike/ përpara vazhdimit të leximit të këtij shkrimi.
Penetrimi i elementëve me të shkuar kriminale në radhët e politikës dhe, përmes saj edhe në zyrat e shtetit, është fenomen universal edhe në demokraci. Kjo vlen edhe për Shqipërinë e pas 1991-shit, më së shumti si penetrim përmes filtrave që asnjëherë nuk mund të pastrojnë gjithçka.
Por, para zgjedhjeve 2013 ranë në sy dy tipare: i) angazhimi i personave me të shkuar kriminale në një numër tej limiteve më ekstreme; ii) shkalla e angazhimit të këtyre personave në të majtë të politikës ishte shumëfish më e lartë së në të djathtën e saj e po kështu në PS, kundrejt PD.
Së bashku, këto dy tipare çojnë në përfundimin se në PD filtrat nuk filtruan sa e si duhet, ndërsa kryesisht në PS, por edhe në LSI filtrat u hoqën dhe këta individë u angazhuan me qëllime të mirëmenduara. Partitë e vogla, majtas e djathtas, shfaqen thuajse njëlloj të infektuara.
Diferenca e madhe në rezultatin zgjedhor 2013 i dedikohet edhe rolit të këtyre personave që mundësuan krijimin e një supermaxhorance që shfaqi menjëherë superarrogancë, e në këtë vazhdë ndodhi, në 12 muajt e parë të kësaj supermaxhorance, rritja eksponenciale e numrit të personave me të kaluar kriminale të emëruar në detyra shtetërore e që, me gjasa, ka tejkaluar numrin gjithsej të atyre të emëruar nga kjo kategori individësh në 12 vitet pararendëse.
Në këtë situatë të rënduar dhe kur agresiviteti i këtyre personave u shfaq në formën e karshillëkut, dhunës verbale e deri grushte në Kuvend, PD ndërmori nismën për dekriminalizimin që nisi me bojkotin e Kuvendit në korrik 2014 e që u finalizua, në fazën e parë, me marrëveshjen politike për dekriminalizimin, të 24 dhjetorit 2014, e cila u kërkua nga opozita demokrate, u mbështet nga faktori ndërkombëtar dhe u pranua, më shumë me pahir, nga supermaxhoranca.
Zhvillimet nga janari i këtij viti e deri më sot treguan se shkalla e lartë e kriminalizimit është jo vetëm tej çdo limiti, por se pasojat prej saj janë tejet negative. Ky kuptim është përqafuar me shpejtësi nga shumica e shqiptarëve, një pjesë e mirë e të cilëve një vit më parë ishin ende të paqartë. Për rrjedhojë, axhenda dekriminalizuese nuk është më veçse opozitare, as vetëm e politikës, por e publikut.
Në këtë moment kthese mjaft pozitive, opozita demokrate, përmes nismës parlamentare, propozoi piketat e instrumenteve kushtetuese e ligjore, që i shërbejnë edhe largimit të të inkriminuarve të sotëm nga zyrat e shtetit, edhe parandalimit të përsëritjes së këtij fenomeni në të ardhmen e afërt dhe të largët.
REAGIMI I SUPERMAXHORANCËS
Supermaxhoranca po detyrohet t’i bashkohet nismës dekriminalizuese. Faktorët e jashtëm – opozita, ndërkombëtarët dhe opinioni publik – janë determinantë në këtë kthesë, por shkalla e lartë e kriminalizimit ka sjellë kundërshti edhe brenda vetë supermaxhorancës. Janë gjithnjë e më të shumtë individët brenda saj, që kërkojnë çlirim nga barra e kriminalizimit.
Forca pozitive brenda supermaxhorancës po përballet me rezistencën e interesave të investuar në kriminalitet, që nuk duan të lëshojnë terren. Rezultantja e forcave të brendshme në supermaxhorancë lëvizi nga investimi në kriminalizim te ruajtja e gjendjes dhe po lëviz nga ruajtja e gjendjes drejt dekriminalizimit, por duke minimizuar kostot.
Strategjia e minimizimit të kostove mbart disa tipare, që shpërfaqen përmes disa qëndrimeve dhe aksioneve e që mund të klasifikohen në dy kategori të mëdha.
Më së pari, lënia e disa individëve, anëtarë të supermaxhorancës, në duart e drejtësisë po bashkëshoqërohet me mosdekurajimin apo garantimin e disa të tjerëve të së njëjtës kategori. Takimet e Kryeministrit apo daljet e tij publike me disa nga këta individë para dhe pas çështjeve “Doshi” e “Frroku” apo ato në funksion të aleancave për zgjedhjet bashkiake 2015, janë provat e kësaj ane të strategjisë supermaxhoritare.
Së dyti, supermaxhoranca po përpiqet të zhvlerësojë nismën opozitare dhe/ose të përvetësojë vlerat e nismëtarit. Në këtë kategori të dytë bien në sy disa qëndrime.
Një nga këto është pretendimi se platforma opozitare nuk përfshin krimet e korrupsionit e, për këtë, po harxhohet shumë letër, bojë dhe kohë mediatike. Që kjo s’është e vërtetë, mjafton që lexuesi t’i hedhë një sy platformës në adresën e sipërcituar, në një paragraf të së cilës përcaktohet: “Veprat penale që do të përbëjnë shtyllën e platformës janë veprat penale që përbëjnë krim të rëndë si dhe veprat që cenojnë rëndë autoritetin e shtetit, si dhe besimin publik, ku përfshihen veprat korruptive.”
Një tjetër qëndrim në këtë kategori, duke nënkuptuar apo thënë se platforma opozitare paskësh për fokus vetëm Kuvendin, është pretendimi se agjenda dekriminalizuese duhet të shtrihet te të gjitha pushtetet dhe institucionet e shtetit. Që platforma opozitare është gjithëpërfshirëse, mjafton të lexohet ajo.
Në të njëjtën kategori klasifikohet edhe kërkesa për rishikimin e sistemit zgjedhor. Lidhur me këtë temë, në kampin supermaxhoritar vërehet kakofoni. Disa sugjerojnë kalimin në proporcional kombëtar, disa në sistem proporcional me lista të hapura e disa të tjerë kthimin në maxhoritar. E gjithë kjo është ose injorancë, ose e qëllimshme, pasi, nëse adoptohen dhe zbatohen instrumentet e drejtpërdrejta ligjora eliminuese dhe/ose parandaluese të të inkriminuarve, sistemi zgjedhor nuk luan më ndonjë rol kushedi se çfarë lidhur me të inkriminuarit dhe ndryshimi i tij mund të bëhet për arsye të tjera – kandidatë më cilësorë, më të lidhur me votuesit e më pak me partitë a kryetarët etj. – por jo për këtë çështje specifike.
Qëndrimi më ngulmues supermaxhoritar është ai që shprehet përmes përdorimit të disa shembujve që shtrihen shumë më përtej edhe se kufijtë më ekstremë të instrumenteve dekriminalizuese. Folës e shkrues majtas, në unison, po përmendin përditë rastin e Lulzim Bashës dhe/ose Sali Berishës për akuza që ose nuk janë bërë ndonjëherë zyrtare nga Prokuroria ose, edhe kur janë bërë, nuk kanë kaluar në filtrin e një vendimi dënues gjyqësor të formës së prerë.
Afërmendsh, s’ka se si që në supermaxhorancë të mendojnë seriozisht e sinqerisht se instrumentet dekriminalizuese mund të shtrihen si detyrim ligjor i zbatueshëm automatikisht, edhe para një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Nëse do të ishte kështu, çdo akuzë e bërë për kushedi se ç’motive të mbrapshta, mund të destabilizonte në çdo rast e me frekuencë të lartë çdo institucion dhe vetë shtetin. Në një rast të këtillë do të kishim të bënim me një supermaxhorancë super të marrosur – s’ka se si të jetë ky rasti.    
Më e mundshme është që ky qëndrim mbahet ose për të dekurajuar axhendën dekriminalizuese përmes ekstremizimit të papranueshëm të saj, ose kjo është propagandë politike, për të thënë se opozita nismëtare nuk është më e mirë se supermaxhoranca mëkatare. E para është e rrezikshme për axhendën e dekriminalizimit, e dyta, si propagandë e bajatosur tashmë, s’përbën problem për këtë axhendë.
DEKRIMINALIZIMI NUK NDALET MË
Në fillimet e aksionit opozitar për dekriminalizimin, Kryeministri u shpreh publikisht se mirëpriste çdo propozim ligjor të demokratëve dhe do ta miratonte atë, mjaft të ishte konform parimeve dhe normave ndërkombëtarisht të njohura mbi të drejtat themelore të njeriut, vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare, si p.sh. Komisioni i Venecias.
Ky moment po vjen – koha kur Kryeministri ose do të nderohet duke mbajtur fjalën, ose do të turpërohet me shkeljen e saj, duke përfunduar, për pasojë, në koshin e mbeturinave të historisë moderne të vendit.
Një herë i nisur, dekriminalizimi nuk ndalet më. Në pikëpyetje është veçse koha e arritjes së suksesit shoqërisht të dëshirueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura