Dekriminalizimi/ “Në administratë ka 130 zyrtarë me të shkuar kriminale”

May 22, 2016 | 8:52
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për administratën publike, Genc Pollo, ka një listë prej 130 zyrtarësh në të gjithë vendin me të kaluar kriminale.

Genc Pollo
Genc Pollo

Përmes një statusi në “Facebook”, Pollo shkruan se u ka kërkuar informacion zyrtar katër ministrive nga varen zyrtarët, ndërsa Klement Balili, i cili akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, është një nga 130 të dyshuarit e opozitës për të kaluar kriminale.

Sipas Pollos, ishte skandali që shpërtheu në mediat greke për trafikun e lëndëve narkotike që zbuloi emrin e Balilit, ndërsa pyet se si do të dalin 129 emrat e tjerë të kësaj liste që drejtojnë institucione dhe drejtori në të gjithë vendin.

“Javën e shkuar, si kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për administratën publike, i dërgova letër (‘kërkesë për informacion’ quhet zyrtarisht) katër ministrave të qeverisë (të Brendshmit, të Drejtësisë, të Financave e të Sociales) për të na sqaruar mbi një listë prej 130 personash.

Këta janë drejtorë, shefa e më gjerë të emëruar në epokën rilindiste nga Kopliku në Kolonjë e nga Ksamili në Kukës. Opozitës i rezultojnë këta si burgaxhinj dje dhe problematikë sot. Ndërkohë, në mesjavë plasi skandali i ‘Eskobarit’ të Ballkanit dhe vura re se ai ishte nr.11-të në këtë listë.

Presim përgjigje e do të marrim vesh mbase cilët ndër 129 të mbeturit do të fitojë nofkën ‘Totó Riina’, ‘Tommaso Buscetta’, ‘Jack the Ripper’ e ‘Al Capone’ i Ballkanit”, shkruan Pollo në statusin e tij në “Facebook”.

Klement Balili, ish-drejtor i Transportit në Sarandë, dyshohet si kreu i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës, që transportonte sasi të mëdha marijuane nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, Italisë, Holandës e Belgjikës.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u largua nga Shqipëria pak ditë para daljes së urdhrit të ndalimit të tij nga prokuroria shqiptare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri publik të dhënat e formularit të vetëdeklarimit të disa të zgjedhurve, kryetarë bashkish, deputetë, ministra etj. Sipas përcaktimit të ligjit, të zgjedhurit kanë deklaruar se kanë pasur probleme me ligjin dhe drejtësinë, brenda dhe jashtë vendit.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura