Dekriminalizimi i Parlamentit nga të “kriminalizuarit”?!

Mar 27, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

AGIM NEZA

   Dekriminalizimi i Parlamentit ka qenë dhe mbetet një çështje shqetësuese për gjithë shoqërinë shqiptare, në veçanti gjatë viteve të fundit. Mania e krerëve të partive politike për të pasur kandidatë për deputetë “të fortët”, të cilët kishin venë miliona lekë në mënyra të ndryshme, u bë pjesë e strategjisë së tri partive kryesore gjatë fushatave të fundit të zgjedhjeve. Partia Demokratike, pas humbjes së trishtueshme në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke u përfaqësuar në Parlament me një numër më të vogël se asnjëherë tjetër, filloi sulmin ndaj Partisë Socialiste, duke e akuzuar se kishte blerë vota dhe mbi të gjitha se kishte mbushur Parlamentin me kriminelë. PD theksoi faktin se në Parlament Partia Socialiste kishte në përbërjen e saj 19 deputetë të inkriminuar, por nuk argumentoi asnjëherë prejardhjen e tyre kriminale. Madje, edhe pse kishte zgjedhur vetë prokurorin e Përgjithshëm, nuk bëri asnjëherë tentativë të argumentojë pranë organit të akuzës pse këta deputetë ishin kriminelë, me përjashtim të denoncimit për rrahje të një deputeti të saj nga dy deputetë socialistë. Nga ana e saj, Partia Socialiste argumentoi herë pas here se deputetët e saj ishin të painkriminuar, madje disa prej deputetëve për të cilët akuzonte PD, kishin qenë në struktura të rëndësishme të qeverisjes së PD-së për disa vite. Për hir të së vërtetës, PS-ja me të “fortët” arriti të thyejë disa bastione të PD-së, siç ishte edhe Shkodra që kishte votuar gjatë këtyre 25 viteve demokraci për PD-në. Përplasja Rama-Doshi, fillimisht si pakënaqësi e Doshit për disa ministra, nepotizëm në administratë dhe në veçanti në dogana, si dhe mosmbajtje të premtimeve të elektoratit (të gjitha të harruara tashmë!) dhe akuza që i bëri Doshi kryetarit të Kuvendit, Meta, i krijoi hapësirë Partisë Demokratike për t’iu rikthyer çështjes së dekriminalizimit të Parlamentit shqiptar. Madje, për çudinë e të gjithëve, kur Doshi akuzoi kryetarin e Kuvendit sikur kishte porositur eliminimin e tij, PD-ja u bë mbështetja kryesore e Doshit, duke kërkuar largimin e Metës, ish-aleatit të ngushtë të Berishës për 4 vjet. Të ketë kaq shumë mllef e inat Berisha dhe Basha pse Meta e solli në pushtet Ramën, vështirë të besohet! Armiqësia ose “loja politike” duhet të jetë më e thellë! Kjo strategji e PD-së i ngjasonte thënies “Armiku i armikut tim është miku im”! Ish-armiku i PD-së i ngjarjeve të 21 janarit, Doshi, tashmë është kthyer në “aleat” të PD-së për të sulmuar ish-mikun dhe aleatin e Berishës gjatë mandatit 4-vjeçar. Përzgjedhja e strategjisë së PD-së për të kthyer në kauzë “çështjen Doshi”, i akuzuar më parë si i inkrimnuar i PS-së, dhe për të mos thënë asgjë kundër Ramës, është një lëvizje politike shumë interesante, që të kujton “muajin e mjaltit” kur Berisha dhe Rama ndryshuan Kushtetutën në një kohë rekord, në vitin 2008. Ilir Meta, i sprovuar me situata të vështira, pragmatist, mbajtës i kontratës së fjalës, duket se gjer tani i ka përballuar i vetëm sulmet ndaj tij, që përfshijnë PD-në, Doshin, heshtjen e Ramës dhe deputetëve të PS-së. Por nuk duhet harruar se Ilir Meta ka treguar se është një uragan në politikën shqiptare dhe këtë e ka shfaqur në situata të vështira të politikës. Meta ka shënuar gjithmonë në minutat shtesë dhe ka vendosur dhe do të vendosë edhe për shumë kohë se kush do të qeverisë vendin.  
PD, pavarësisht kontradiktave në strategjinë e saj politike, herë duke sulmuar të keqen (Doshi, Frroku, Ndoka etj.), herë duke mbrojtur dhe duke shprehur “shqetësim” për vënien në rrezik të jetës së Doshit, arriti të sensibilizojë shoqërinë shqiptare, madje në “lojën e politikës” shqiptare u futën edhe ndërkombëtarët, të cilët shfrytëzuan edhe rastin e përjashtimit të Doshit dhe Frrokut nga Grupi i PS-së. Kështu, BE u shpreh se “…mbështet hapat që ndërmerren për një marrëveshje mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin shqiptar, përfshi çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë pozicione publike”, ndërsa SHBA u shpreh se “…Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive.”
Kësisoj, PD ka insistuar ditët e fundit nëpërmjet deklaratave të njëpasnjëshme, madje ka përgatitur edhe një draft për dekriminalizimin e Parlamentit dhe është në pritje për një dakordësi me maxhorancën për ta aprovuar ligjin në Parlament. Dekriminalizimi i Parlamentit është çështje shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit, por këtu duhen analizuar disa momente.
Momenti i parë: PS-ja ka deklaruar se edhe ajo ka një listë me persona të inkriminuar në radhët e PD-së. Këto lista të deputetëve të inkriminuar kërkojnë fakte për prejardhjen kriminale të këtyre deputetëve?
Momenti i dytë: E vërteta është se të gjithë deputetët përpara se të bëheshin deputetë, krahas bekimit të kryetarëve të partive, kanë marrë edhe bekimin nëpërmjet dëshmisë së penalitetit nga Ministria e Drejtësisë se nuk janë të inkriminuar?
Momenti i tretë: Si do të verifikojë Parlamenti tani e tutje inkriminimin e deputetëve, përderisa gjer në këto momente nuk kemi pasur qoftë një rast të vetëm të provojë prejardhjen e tyre kriminale?   
Momenti i katërt: Eksperienca shqiptare ka treguar se ne nuk kemi vuajtur për ligjin, ku kemi marrë përvojën nga gjithë vendet e Europës dhe SHBA, madje janë më qindra specializime të ekspertëve shqiptarë që janë bërë për luftën ndaj krimit, por ne ende vuajmë nga moszbatimi i ligjit.
Momenti i pestë: Po Prokuroria dhe Policia çfarë kanë bërë gjer tani që nuk ka asnjë rast të vetëm për be të ndonjë deputeti të akuzuar për prejardhje kriminale? Madje, Prokuroria e Përgjithshme edhe në akuzat që ka ngritur tani për Doshin e Frrokun, nuk ka asnjë fjalë për ndonjë prejardhje kriminale të tyre? Pra, ku janë kriminelët?! Nëse Prokuroria ka qenë shpeshherë në shënjestrën e politikës dhe e ka pasur të vështirë të veprojë sepse të nesërmen mund të shkarkohej prokurori i Përgjithshëm, këtë radhë Prokuroria ka pasur të gjitha hapësirat dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve dhe të politikës të të gjitha krahëve, por përsëri jemi thjesht në stadin e një kërkese për arrestim për shpifje. Nëse Prokuroria do të kishte qenë vërtet e përkushtuar për të parandaluar shpifjet, atëherë duhet t’i kishte bërë kërkesë kryetarit të Kuvendit për arrestimin e më shumë se gjysmës së deputetëve, të cilët shpifin dhe baltosin çdo ditë njëri-tjetrin?!
Momenti i gjashtë: PD dhe PS gjer tani nuk thonë asnjë fjalë për dekriminalizimin e deputetëve të korruptuar. Korrupsioni është gangrenë e demokracisë dhe gjer tani nuk kemi dëgjuar asnjë deputet të PD-së që të theksojë se kanë përfshirë luftën kundër korrupsionit në platformën e dekriminalizimit. Nëse PD-ja ka ripërsëritur platformën e dekriminalizimit dhe përvojat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe përdorimin e rekordeve kriminale jo vetëm të dënimeve në Shqipëri, por edhe jashtë, duke ndërhyrë për të ndërprerë mandatin nga momenti që verifikohet ekzistenca e rekordit kriminal, nuk thuhet asnjë fjalë për korrupsionin që duhet të jetë patjetër pjesë e dekriminalizimit të deputetëve. Ata, kur janë në opozitë, akuzojnë qeverinë për korrupsion marramendës dhe vjedhje të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa kur vijnë në pushtet “harrojnë” çfarë akuzash kanë bërë për Kryeministrin dhe ministrat dhe janë të kënaqur me prangosjen e ndonjë peshku të vogël drejtor apo doganier. Lufta ndaj korrupsionit është e domosdoshme për vendosjen dhe qëndrueshmërinë e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Shteti i së drejtës, lufta ndaj korrupsionit, ashtu si lufta ndaj krimit, përbën edhe kushtin themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Atëherë, pse të mos ndërhyhet për të ndërprerë mandatin që nga momenti që verifikohet se një deputet, kryeministër, apo ministër është i përfshirë në korrupsion?
Në fakt, të gjitha janë të shkruara në ligj, qoftë për rastet e rekordeve kriminale, qoftë për rastet e korrupsionit, por gjer tani ka munguar vullneti politik për të pasur deputetë dinjitozë në Parlamentin shqiptar. Dhe e fundit, në gjithë këtë debat, i cili po na paraqitet si synim për të arritur te vlerat civilizuese perëndimore bazuar në shtetin e së drejtës, ku përfshihet dekriminalizimi i Parlamentit, kush do t’i votojë këto ndryshime? Opozita ka akuzuar PS-në se ka në Parlament 19 deputetë të inkriminuar, gjithashtu PS thotë se ka një listë me deputetë të inkriminuar të PD-së. Atëherë, nëse do të miratohet ligji për dekriminalizimin e Parlamentit, kjo nënkupton se rreth 30% e votave të Parlamentit për hyrjen në fuqi të këtij ligji kanë pasur mbështetjen e deputetëve me prejardhje kriminale?! Kësisoj, jam skeptik, duke qenë se angazhimi për dekriminalizimin e Parlamentit shqiptar duket më shumë një demagogji dhe show politik sesa rezultat për të fituar mbi krimin dhe për të pasur një elitë intelektualësh në Parlamentin shqiptar në të ardhmen. Sado ligje të miratohen, në fund të fundit me ligjin aktual çdo gjë do të vendoset nga kryetarët e partive dhe në veçanti nga Rama, Basha dhe Meta, të cilët do vendosin se kush do të jetë në Parlamentin e ardhshëm. Shpresoj dhe besoj se krerët e partive janë ndërgjegjësuar se në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare liderët e partive kryesore do të përzgjedhin përfaqësuesit më dinjitozë të elitës shqiptare, që koha e të “fortëve” në politikë dhe të dyshuarve me prejardhje kriminale të marrë fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura