Dekriminalizimi, asnjë grua e zgjedhur nuk preket nga zbatimi i ligjit

Dec 7, 2017 | 19:20
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ Procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës së të zgjedhurve në parlament apo në këshillat bashkiake dhe bashki nuk konstatoi asnjë grua të zgjedhur të dënuar më parë për vepra penale.

24898790_10155973884221692_1514907092_n

Janë 62 raste dorëheqjesh, shkarkimesh ose hetimesh që u rregjistruan në përfundim të zbatimit të ligjit të pastërtisë së figurës, ose të dekriminalizimit (mars 2016 – mars 2017). Nga këto raste rezulton se nga 62 raste dorëheqjesh, shkarkimesh ose hetimesh, vetëm 5 raste janë gra politikane ose drejtuese.

Në asnjë nga rastet e grave, nuk kemi të bëjmë me akuza për vepra kriminale, por për mosdeklarime të rregullta të të ardhurave/pasurive, dhe moszbatim të periudhës administrative të deklarimit.

Ndërkohë, në listë bëjnë pjesë disa deputetë meshkuj, (tre të dorëhequr, 3 të larguar dhe 6 nën hetim), si dhe rreth 25 të shkarkuar, pjesa më e madhe e tyre me rekorde kriminale në të kaluarën.

Ligji i dekriminalizimit, deri tani u ka hequr mandatin dy deputetëve, Shkëlqim Selami të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Dashamir Tahirit të Partisë Demokratike për fshehje të dënimeve të formës së prerë. Po ashtu edhe kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mos deklarim të dënimeve që ka pasur jashtë vendit, ndërsa debati politik ende vazhdon për kryetarin e bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Në dhjetor 2015 Parlamenti i Shqipërisë miratoi në mënyrë unanime, me 132 vota të pranishme në sallë, ligjin për “Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose emërohen apo që ushtrojnë detyra publike”.

 

Ligji ndalon përfshirjen në politikë apo emërimin në institucionet kushtetuese apo poste të larta të administratës publike, persona që kanë pasur dënime për vepra penale.

 

Pranë Prokurorisë së Përgjithshme u ngrit një strukturë e posaçme që bën verifikimin e çdo formulari dhe dosjeje të personave të zgjedhur apo të emëruar në poste të larta të administratës.

Verifikimi i 140 deputetëve të Kuvendit aktual të Shqipërisë konkludoi se 121 prej tyre nuk kanë asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

Ndërsa 19 prej tyre kanë të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore, që do të thotë se ata mund të kenë pasur procese të hapura gjyqësore, por që nuk preken nga ligji i dekriminlaizimit.

Nga 19 anëtarë të Këshillit të Ministrave që nuk janë deputetë, nuk ka asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

Nga 61 kryetar bashkie, 50 prej tyre nuk kanë asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore, ndërsa 11 prej tyre kanë plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

Nga këto të dhëna, rezulton se integriteti i grave të zgjedhura apo emëruara në poste të larta të administratës është i lartë.

Kjo tregon se përfaqësimi sa i më i madh i grave në politikë, në parlament, pushtetin vendor, qeveri, apo në poste drejtuese të administratës shtetërore vetëm do të rrisë besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve të vendit.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura