“Dekreti i Metës për anti-shpifjen do rrëzohet”- Balla flet për akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës: Përgjegjësi personale, prokuroria të mos humbasë….

Jan 13, 2020 | 12:54
SHPËRNDAJE

 

Kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar se maxhoranca do të rrëzojë dekretin e Presidentit Meta, i cili një ditë më parë firmosi për rikthimin e tyre për rishqyrtim.

Balla në një prononcim për mediat u shpreh se Parlamenti sapo të nisë zyrtarisht sesionin e ri kuvendor do të hedh poshtë dekretet e kreut të shtetit, duke i lënë të hyjnë në fuqi dy nismat e maxhorancës pa asnjë ndryshim.

“Dekretet e Presidentit Meta do të rrëzohen në seancën e parë”, u shpreh Balla.

Ai ka folur dhe për Reformën Zgjedhore dhe deklaratat e opozitës, teksa shtoi se i vetmi vend që diskutohet kjo reformës është komisioni i posaçëm dhe Kuvendi.

Balla tha se opozita ka një vend në këtë Komision, ndërkohë që i bëri thirrje anëtarëve të përshpejtojnë punën dhe ta miratojnë Reformën që të jetë e gatshme për zgjedhjet e 2021.

“Vendi ku diskutohet Reforma Zgjedhore është parlamenti dhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Opozita e ka vendin e saj në këtë komision, unë nxis të gjithë anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore që edhe pse duken larg zgjedhjet e qershorit 2021, na kërkohet që rregullat dhe ndryshimet të zbatohen brenda një viti”, u shpreh numri dy i PS.

Bashkia e Mallakastrës

Në prononcimin e tij Balla është pyetur dhe për kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili është akuzuar nga PD si person i dënuar dhe që preket nga ligji dekriminalizimit.

“PS ka vendim politik që prej ditës që ka mbështetur ligjin e dekriminalizimit, nuk i takon më asnjë përgjegjësie PS-së, por është përgjegjësi personale, i bëj thirrje prokurorisë, që të mos humbë kohë në asnjë rast për çdo individ që opinioni publik të informohet mbi të shkuarën e çdo kandidatet”, tha Balla.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Në emër të maxhorancës, Taulant Balla nuk ka preferuar të komentojë emrat e 5 kandidatëve për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Madje ai refuzoi të përgjigjet edhe për emrin e Artur Metanit, i cili konsiderohet prej opozitës si njeriu i përzgjedhur nga shumica.

“5 emra kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë, Kuvendi ka afat deri më 26 janar mos gaboj dhe sapo Kuvendi të fillojë punë, brenda këtij afati do votohet në Kuvendin e Shqipërisë, nëse njëri prej kandidatëve merr 84 vota, ai automatikisht Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Nëse nuk votohet, atëherë personi i parë në listë zgjidhet. Nuk dua të bëj koment për asnjë nga kandidatët’, tha Balla, duke refuzuar të jap një koment për Artur Metanin./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura