Dekomunistizimi i dështuar dhe veprat e Kadaresë

Aug 25, 2018 | 12:01
SHPËRNDAJE

 

NGA AGRON GJEKMARKAJ

gjekmarkaj

Të veshur me petkat e ba nalitetit të përditshëm, politikanët e Tiranës mendojnë se bëhen interesantë e shkëlqejnë si miza, duke dhënë mendime mbi Kadarenë dhe librat e tij!

Dekomunistizimi në Shqipëri është një proces tanimë i dështuar. Dy partitë kryesore në vend janë provuar në pushtet me radhë, qysh nga 22 marsi 1992 dhe as e kanë dashur e as kanë tentuar ta ndërmarrin këtë proces, sepse ndihen bij të komunizmit dhe nxënës të asaj shkolle.

Në kulturë jo e jo, që s’ka pasur asnjë rezultat serioz në këtë drejtim. Nga viti 2005- 2013, vendi u qeveris nga PD-ja, kohë e mjaftueshme për të bërë atë që pritej në 1992-1997, por asgjë nuk ndodhi.

Mjafton të marrësh në konsideratë memuarialistikën e burgjeve dhe autorët e ndaluar në raport me tekstet e shkollave të ulëta, për të kuptuar që hierarkia ideologjike nuk ka ndryshuar në këtë vend.

Yndyra e socrealizmit u konsiderua si elitë e vendit nga PD-ja dhe PS-ja, si dhe nga Presidentët e vendit pa përjashtim. Një vështrim i shkurtër i këtyre 28 viteve i Akademisë, Instituteve, Universiteteve të lë menjëherë këtë shije dhe të bën me kuptue sa hipokrizi dhe retorikë batakçinjsh konsumohet në vendin tonë.

Kungulli i socrealizmit në të gjitha fushat çan detin si transoqeanik! Kur socrealistët mbështesin PD-në, janë antikomunistë, kur mbështesin PS-në, janë baballarë të kombit.

Në këtë llakërdi, emri i Ismail Kadaresë nuk duhet zënë me gojë. Ai është përjashtimi absolut me të pangjashëm.

Kadare nuk është produkt i kulturës tipike shqiptare, më së shumti është bir i talentit të vet. Nuk është e nevojshme të ndalemi kush është Kadare dhe vepra e tij se biem në patetikë edhe kur e lëvdojmë, edhe kur e shajmë.

Një gjë, kushdo që merret me letërsi e di që vepra e tij në total dhe realizmi socialist s’kanë asgjë të përbashkët me ndonjë përjashtim të parëndësishëm.

Personalisht, se kush është Kadare dhe Vepra e tij e kam kuptuar në një mënyrë shumë më mekanike seç i lejohet një pedagogu të letërsisë.

Kur gjendem jashtë Shqipërisë, aq herë sa kam mundësi futem nëpër librari. Aty ndien një vetmi të madhe. Shqipëria nuk ekziston, ndërsa Ismail Kadare po! E gjen cep më cep të Europës dhe Botës me librat e botuar në komunizëm dhe në demokraci, pothuaj të plotë veprën e tij.

Nëse dëshiron të hapësh një bisedë të karakterit profesional me një koleg të universiteteve të huaja për letërsinë shqiptare, derisa shqipton emrin e Kadaresë ke udhëtuar në hapësirë boshe.

Fatkeqësisht, shkrimtarët shqiptarë, socialistë apo demokratë, kanë mbetur shkrimtarë lokalë, sado që botojnë ndonjë lajm në media për “famën” e tyre.

Me Kadarenë është ndryshe, Europa e njeh për të vetin, e njeh për klasik të madh, e njeh si shkrimtar, i cili ka shkruar në regjimin më të egër të kohës letërsi europiane, si kolegët e tij më të mirë, çfarëdo që të thonë shqiptarët me shamatat e tyre të përditshme. Kadare sulmohet nga dy kategori në Shqipëri.

Të parët janë salierët e përjetshëm, të dytët neootomanët që nuk i falin kurrë farën e Europës që ka mbjellë në një tokë, që ata e mendojnë të shkretuar me librat e tij. At Zef Pllumi, që burg kishte bërë nja 26 vjet, që kultura e shkrimit dhe e leximit, e mbi të gjitha gjykimi mbi historinë nuk i mungonte, pat deklaruar vite më parë që me Kadarenë jam në një llogore në atë të kulturës europiane në Shqipëri. Do të ishte nder i madh nëse Alibeu me shokë heqin dorë nga fyerja e inteligjencës që na bëjnë, duke folur sot e kësisoj për ligje dekomunistizimi.

Te partia e tij, bën mirë të shohë se familjet e komunizmit janë këmbëkryq, bijtë që janë krenarë për etërit me teserë, e pastaj ta rimendojë edhe një herë ligjin.

Me duart e Kadaresë është kot të kërkosh të nxjerrësh gështenjat nga zjarri i Edi Ramës dhe neokomunistëve, që dominojnë jetën politike dhe kulturore të vendit tonë.

Banalizimi i Kadaresë është i pamundur pas shumë provash që ka kaluar ndërmjet Shqipërisë dhe Europës, ku e para e shtyn përfundimisht kah e dyta si rastësi, teksa ajo e pranon si natyrshmëri.

Kur mendon se Pjetër Bogdanin dhe Fishtën i nxorëm nga varri, për momentin Kadare duket me fat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura