Deklarimi vullnetar i pasurisë pa penalitete, skema si do të bëhet! E gjithë procedura përfundon brenda 20 ditëve

Jun 27, 2022 | 12:29
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Ka jo hije dyshimi mbi atë që mund të sjellë amnistia fiskale dhe penale, kjo jo vetëm për faktin që favorizon ata të cilët nuk kanë deklaruar në këto 3 dekada pasurinë por edhe mbi mënyrën sesi do të bëhet kjo.

akk-1

Për ekspertët performanca ligjore është e rëndësishme për të mos lejuar në rastin më të mirë dështimin e kësaj nisme dhe ne rastin më të keq kthimin e saj në “minë me sahat”, duke i hapur rrugën legalizimit të pasurive që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut.

SKEMA

Në projektligjin e hedhur për konsultim publik është përcaktuar edhe skema se si do të bëhet deklarimi i parave dhe pronave, që s’duhet të kalojnë vlerën e 2 milionë eurove. “Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë Njësisë Speciale, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi sipas formularit të deklarimit vullnetar. Njësia, brenda 5 ditëve pune nga depozitimi i formularit të deklarimit vullnetar, kryen verifikimet paraprake nëse aplikuesi është subjekt përfitues i këtij dhe pajis subjektin ose përfaqësuesin e tij me një dublikatë (kopje) të formularit të vetëdeklarimit të certifikuar/nënshkruar nga Njësia.

Formati i formularit të deklarimit vullnetar dhe mënyra e procedimit për deklarimin vullnetar të pasurive dhe të pasqyrave financiare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës, të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji. Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa për pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat e regjistrimit sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës të fushës”, thuhet në draft ku vihet në dukje po ashtu “deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të kësaj procedure nga ana e subjekteve përfituese, sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese”.

E gjitha procedura parashikohet që të zgjasë 20 ditë. “Me përfundimin e procedurës së deklarimit vullnetar, brenda 20 ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit, sipas pikës 1, të këtij neni, Njësia lëshon vërtetimin përkatës të përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar të pasurive, formati i të cilit miratohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. Personi, në emër të të cilit është lëshuar vërtetimi për përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar, konsiderohet subjekt përfitues për pasurinë, përkatësisht sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar në vërtetimin përkatës për përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar”.

KUFIZIMI

Pas zyrtarizimit të nismës, qytetarët do të mund të deklarojnë të ardhurat deri në 2 milionë euro. Ky është tavani që Qeveria ka vendosur. Nëse deklarimi bëhet brenda 4 muajve të parë nga hyrja në fuqi e ligjit tatimi që do të paguhet do të jetë 7 për qind ndërsa nëse bëhet pas këtij harku kohor atëherë tatimi do të jetë 10 për qind. Por në ligj janë vendosur edhe kufizime. Mbi pasurinë e deklaruar, që mund të jetë në para ose prona s’mund të bëhet asnjë veprim, pra s’mund të tërhiqet pa përfunduar afati 9 mujor i amnistisë.

Ndërsa për transferimet jashtë vendit qytetarët duhet të presin 5 vite. “Shumat në të holla të deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i depozitimit të tyre në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar. Subjekti deklarues nuk mund ti tërheqë shuma në të holla të depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji. Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

Penalitetet e parashikuara në pikën4 të këtij neni kalojnë në llogari të thesarit në Ministrinë përgjegjëse për Financat, nga bankat, dhe janë në shtesë të shumës fillestare të paguar në çastin e depozitimit të tyre në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar”, specifikohet në ligj. Nga kjo nismë mund të përfitojnë emigrantët, ata që kanë punuar deri më sot në të zezë si edhe sipërmarrësit vendas. Nga ana tjetër përjashtohen të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi. Ashtu sikundër janë të paamnistueshme të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit të tyre familjar, të gjykatësve, prokurorëve etj.

Projektligji, Këlliçi: Amniston krimin dhe pastron paratë e pista

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka akuzuar qeverinë se përmes nismës ligjore për Amnistinë Fiskale dhe Penale synon të mbyllë çështjet e korrupsionit dhe të kultivimit të lëndëve narkotike që janë në hetim nga SPAK-u. Në postimin e bërë në rrjetet sociale, ndërsa bën thirrje për tu bashkuar në protestën që do të zhvillohet në datën 7 korrik, Këlliçi shkruan se me anë të këtij projektligjit mazhoranca i merr haraç krimit duke e pastruar nga të zezat e së kaluarës.

“Projektligj për të amnistuar krimin dhe pastruar paratë e pista. Partia në pushtet ka hartuar një projektligj sipas të cilit nëse je shtetas shqiptar ose i huaj por rezident tatimor në Shqipëri, dhe bën të ditur vullnetarisht pasurinë e padeklaruar, deri në vlerën e 2 milionë EUR, kjo e fundit bëhet e ligjshme nëse në këmbim i dorëzon shtetit 7% të vlerës së saj. Çështjet e korrupsionit dhe kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike, që janë në hetim nga SPAK, mund të mbyllen nëse paguhet 7% i shumës. Shqipëria nuk duhet quajtur më “Kolumbia e Europës”, sepse as Kolumbia nuk ka bërë amnisti të tilla. Me këtë projektligj, partia në pushtet i merr haraç krimit, duke e pastruar nga të zezat e së kaluarës. Një arsye më shumë, mes dhjetëra të tjerave, për të protestuar më 7 korrik” shkruan deputeti i Partisë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura