Deklarimi i pasurisë/ Në vitin 2020 u gjobitën 49 zyrtarë, pakica pagoi me vullnet të lirë

Feb 1, 2021 | 11:45
SHPËRNDAJE

akk-1

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave arkëtoi në vitin 2020 të paktën 49 gjoba të vendosura prej tij për shkak të shkeljes së ligjit nga ana e zyrtarëve.

Në raportin e monitorimit të performancës për vitin e kaluar ky Inspektorat bëri me dije se të ardhurat e siguruara rrjedhin nga arkëtimet me vullnet të lirë të masave administrative të vendosura ndaj shkelësve të ligjit ndërkohë që shumica prej tyre janë arkëtuar me forcë nga zyrat e përmbarimit.

“Të Ardhurat nga veprimtaria e ILDKPKI vijnë kryesisht arkëtimi i gjobave të vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore gjatë zbatimit të ligjit numër 9049 datë 10.04.2003 “Për deklarimin e Kontrollin e pasurive dhe detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunëse publikë” i ndryshuar numër 9367 datë 7.4.2005 “Për parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” i ndryshuar si dhe ligjit numër 2.6.2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” i ndryshuar nga subjektet publike dhe private.

Për vitin 2020 janë gjithsej 13 raste të ekzekutuara me vullnet të lirë në vlerën 2.46 milionë lekë.

Po kështu ekzekutimi i detyrueshëm nga zyrat përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqësorë që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë vjetore janë ekzekutuar tërësisht gjithsej 36 raste në vlerën 6.17 milionë lekë“, thuhet në raportin e ILDKPKI.

Në të njëjtin dokument jepen edhe detaje mbi ecurinë e shpenzimeve ku rezulton që në masën më të lartë të jetë realizuar ai i pagave ndërkohë që transfertat për financime të tjera kanë qenë në nivelet e 61.5 për qind.

Buxheti i shpenzimeve për institucionin për vitin që lamë pas rezulton të jetë 142milionë lekë ndërkohë që është realizuar faktik 135 milionë lekë apo rreth 95 për qind e planit vjetor.

Numri i punonjësve ka rezultuar 70 ashtu sikurse ishte miratuar në planin fillestar të vitit përfshirë këtu dhe pjesën e punonjësve me kontratë të përkohshme./Burimi: Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura