“Deklaratë pocaqi”, si u përjashtua pa votim deputeti i PS. Çfarë tha Balla dje para grupit socialist

Sep 11, 2018 | 9:30
SHPËRNDAJE

Grupi Parlamentar Socialist ka pranuar në unanimitet propozimin e kryetarit të tij, Taulant Balla, për të përjashtuar nga radhët e tij deputetin e Kurbinit, Gjetan Gjetani, shkruan “Panorama”.

Gjetan Gjetaniii

“Kemi miratuar në unanimitet një rregullore, së cilës të gjithë duhet t’i qëndrojmë strikt e duhet ta respektojmë. Kolegu ynë e theu atë dhe rregullorja i përcakton qartë pasojat”, mësohet të jetë shprehur Balla para deputetëve.

Gjetani përmes një statusi akuzoi Policinë e Shtetit për paaftësi, nisur nga disa akte kriminale në zonën e tij duke paralajmëruar reagim popullor me të në krye. Kryeministri Rama kërkoi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

“Sot nuk e pashë këtu dhe ka bërë shumë mirë që nuk ka ardhur deputeti i Kurbinit, i cili duhet të përjashtohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Një deputet që nuk ka bërë asnjë punë tjetër, përveç se ka shantazhuar dhe ka bërë presion mbi këdo ku ka mundur, për të marrë vende pune e që kërkonte ekskluzivitet dhe për të vënë shefa policie në Kurbin e që pastaj del atje e bën një deklaratë të tërë pocaqi kundër Policisë së Shtetit në Kurbin. Ai nuk mund të jetë deputet i Partisë Socialiste. Ky duhet të jetë një mësim për të gjithë deputetët, që të ndajnë një herë e mirë historinë nga futja e hundëve në çështjet e administratës dhe të ndërtimit të shtetit serioz.

Sepse faturat e hajdutëve nëpër hipoteka, e hajdutëve që janë futur nëpër hipoteka me mbështetje politike, me mbështetje farefisnore, me mbështetje të mënyrave të ndryshme, nuk i marrin ata që ndërhyjnë, i merr Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne nuk jemi këtu një histori numrash. Ne jemi këtu një histori për Shqipërinë që duam dhe nëse pushteti ynë është një pushtet që duhet të rrijë në këmbë bazuar në numra dhe për këta numra, ne duhet të gëlltisim deklarata si ajo e djeshmja, mallkuar qoftë dhe në djall vaftë edhe pushteti ynë!”, u shpreh Rama në Asamble.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura