Deklaratat e Tom Doshit, Tahiri: Nivel banal i akuzave dhe i shpifjeve të tipit të Berishës. Nuk kandidoj për Bashkinë e Tiranës

Feb 27, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka quajtur akuza banale dhe shpifje deklaratat e deputetit socialist Tom Doshi sot. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tahiri ka deklaruar se këto deklarata janë të njëjta me nivelin banal të akuzave dhe shpifjeve që bën opozita.

Saimir Tahiri, në Opinion

Është akuzë e një deputeti të maxhorancës, që thotë se do t’i dridhen qeverisë si ministër i Brendshëm… 
E para e punës duhet të pyesësh atë që ka bërë deklaratën e jo mua. E dyta, unë nuk besoj se është e shëndoshë për Parlamentin, institucionin, shoqërinë niveli banal i akuzave dhe i shpifjeve të tipit të Berishës. Akoma dhe shumë keq më vjen kur këtij niveli i përafrohet cilido përfaqësues i maxhorancës. Ajo që di të them me shumë siguri, është që kryeministri, secili prej ministrave, maxhoranca në tërësi, është angazhuar përballë qytetarëve shqiptarë për t’i garantuar mundësi të barabartë çdo qytetari shqiptar përballë qeverisë dhe askush të mos jetë i privilegjuar pavarësisht pozitës politike dhe financiare. Për më tepër, unë në parim të punës sime, çdo ministër në parim të punës së vet dhe qeveria në tërësi në parim të punës së saj, maxhoranca në raport me angazhimin që ka marrë përballë qytetarëve dhe punës që po bën në qeveri, nuk është aspak e gatshme t’i falet pengmarrjes nga askush që ka qenë dje, para 23 qershorit dhe sot pas 23 qershorit.

Kush po tenton ta marrë peng qeverisjen?
Parimi vlen për këdo.

Çfarë po bëhet me çështjen Santo?

Është një ndër ngjarjet kriminale më të rënda të vitit të kaluar. Hetimet i drejton prokurori. Policia e Shtetit ka bërë aq sa ka mundur për të ecur përpara me hetimin. Ka një ngërç në këtë çështje. Hetimet nuk po ecin siç duhet. Hetimi përfshihet në ato ngjarje nga më të vështirat për t’u zbardhur.

Për ç’arsye?
Për arsye që i di prokurori, që i drejton hetimet. Prandaj nuk kam detaje më konkrete.

A ka dështuar policia në kapjen e vrasësve në kohë reale, zoti Tahiri?
Jo, unë nuk besoj. Është një ngjarje e zhvilluar brenda 3 minutash, tërësisht e pamundur me kapacitetet që ka Policia e Shtetit për të bërë atë ndjekjen e momentit dhe për të pasur këtë rezultat të momentit të parë. Në Paris ishte ngjarje terroriste që vazhdoi për 20 minuta rresht dhe ata dolën nga qyteti të paprekur dhe, po të mos kishin lënë kartat e identitetit për të shfaqur veten se cilët ishin, do t’i kishin ikur edhe policisë së Parisit. Kjo mund të ndodhë në mes të Romës dhe çdo kryeqyteti tjetër. Isha në Uashington, në një vizitë mjaft të suksesshme sa i takon njohjes dhe inkurajimit të rezultateve që kemi arritur dhe mbështetjes nga SHBA nga autoritetet më të larta dhe agjencitë ligjzbatuese në SHBA, dhe në shkëmbimin e pikë- pamjeve dhe bindjeve në Uashington, ku banojnë 700 mijë banorë, kishte diku te 400 vrasje në vit. Në Shqipëri, me 3 milionë banorë kemi diku te 100 vrasje në vit. Mund të themi se Amerika është më e pasigurt se Shqipëria?!

Ka një kërcënim ndaj kryetarit të opozitës. Çfarë po bëhet?
E para është një ngjarje shumë e rëndë. E dyta, publikisht dhe institucionalisht i jam drejtuar Prokurorisë që të shpejtojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nuk po e zbardh Prokuroria?
Është Prokuroria që i drejton këto hetime, nuk është Policia.

Ju çfarë masash keni marrë për mbrojtjen e zotit Basha?
Me kërkesë të shoqëruesit të kryetarit të Bashkisë i kemi ofruar mbrojtje shtesë dhe e ka. Meqë bëhej fjalë për një situatë ku kryetari i Bashkisë ishte kërcënuar, sipas pretendimit të tij dhe meqë kishte një kallëzim në Prokurori, kam nxitur prokurorin që t’i shkojë sa më shpejt hetimit. Unë mendoj që standardin e nxitjes së hetimeve, qoftë dhe në mënyrë publike, duhet ta adresojmë në mënyrë të tillë që të lejojmë të bëjnë punën e tyre, ose të ushtrojmë trysni, kur shohim që puna e tyre po zgjat shumë për të arritur rezultatin. Këto janë nga ato ngjarje që verifikohen më shpejt. Deri më sot nuk kemi asnjë përgjigje.

Çfarë raporti keni me shefin e SHISH?
Marrëdhënie institucionale, pavarësisht se unë besoj që SHISH në vend që të mbledhë informacion për drejtuesit e Policisë, së drejtorive arsimore, duhet të angazhohet konkretisht në mbledhjen e informacionit paraprak për ngjarjet e rënda kriminale, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Çfarë ka ndodhur në Xibrakë, ishte indice e Policisë gjermane, ishte një hetim i Policisë shqiptare?
Nuk hyj në lojën nëse ishte operacioni ynë apo i tyre. Ky operacion është një rezultat i shkëlqyer dhe një medalje për Policinë e Shtetit. Është sigurisht bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, që ofruan informacion paraprak dhe Policia me Prokurorinë e ndoqën. Sepse ne nuk e konsiderojmë problem kur bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë. Ata sot na besojnë më shumë nga dje. Kjo është medalja jonë. Kemi bashkëpunuar intensivisht me Prokurorinë në një punë të përbashkët hetimore. Qeveria ka zgjedhur të bashkëpunojë me institucionet e pavarura kushtetuese dhe jo t’i luftojë për qëllime politike. Sot partnerët ndërkombëtarë i besojnë më shumë Policisë së Shtetit se më parë. Është për këtë arsye që Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Europol dhe është i vetmi vend në Ballkan që ka këtë status në Europol. Kjo është arsyeja pse numri i informacioneve i shkëmbyer me partnerët tanë europianë është rritur disa herë.

A u ndërhy në momentin e duhur apo më shpejt duke prishur rrjedhën e zbulimit të grupit?
Është prokurori i çështjes ai që vendosi të ndërhyhet apo jo, të arrestohet apo jo dikush. Këto detaje unë nuk i kam, sepse nuk më takojnë. Partnerët ndërkombëtarë nuk kishin besim te Policia e Shtetit shqiptar, sepse dekonspiroheshin informacionet për trafiqe ndërkombëtare.

Rrezikohet Shqipëria nga terrorizmi fetar?
Përbën shqetësim jo të vogël, për më tepër që asnjë vend sot në botë nuk mund të deklarohet i paqtë dhe i sigurt në mënyrë absolute. Për këtë arsye, ne e kemi fuqizuar në numër drejtorinë e antiterrorit me 100 oficerë. Kemi kriminalizuar, duke e cilësuar si akt terrorit përmes një nisme ligjore në Kodin Penal, organizimin dhe nisjen e qytetarëve shqiptarë në luftëra që nuk janë luftëra të Shqipërisë. Numri i këtyre luftëtarëve përbën shqetësim për ne dhe për partnerët. Jemi duke i monitoruar në vazhdimësi. Kemi pasur një proces penal mjaft të rëndësishëm dhe me rezultate që ka frenuar deri në nivelet zero nisjen e qytetarëve shqiptarë drejt këtyre fronteve të luftës dhe jemi duke bashkëpunuar konkretisht me agjencitë partnere. Ky ishte një nga objektivat kryesorë të vizitës sime në SHBA, për të ndërtuar një rrjetë solide të parandalimit dhe luftës kundër terrorizimit që deri tani nuk ka rrezik eminent, po ne duam të shuajmë çdo lloj simptome të ngjarjeve terroriste në vend.

Është e vërtetë që jeni regjistruar në qytetin e Vlorës si banues?
Jo, nuk është e vërtetë, ishte thashetheme.

A jeni i gatshëm dhe do të preferonit të kandidoni në Bashkinë e Tiranës si kandidat i maxhorancës së majtë?
Jo. Unë kam një mandat për të ushtruar dhe një përgjegjësi publike përballë qytetarëve. Nuk kam as më të voglin qëllim që të cenojë ecurinë e reformave që kam nisur bashkë me ekipin në Ministrinë e Brendshme dhe besoj se është shumë e domosdoshme që të evitojmë çdo lloj aludimi për sa kohë dua të ushtroj mandatin tim.

Nëse ju kërkohet?
Jo, nuk jam i gatshëm.

Kush do të ishte kandidati më i mirë nga e majta për Bashkinë e Tiranës?
Mos prisni emra prej meje. Por di të them se së bashku me kolegët në kabinetin qeveritar jemi shumë të angazhuar të përmbushim detyrimet tona përballë qytetarëve tanë. Kandidati i Tiranës sot që flasim, pa asnjë dyshim, mund t’ju them që Partia Socialiste dhe maxhoranca në tërësi ka mbi 10 të tillë, që fitojnë pa asnjë diskutim Bashkinë e Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura