Deklarata tronditëse e ambasadorit gjerman

Mar 3, 2015 | 13:04
SHPËRNDAJE


AGRON GJEKMARKAJ

 

  Pak ditë më parë, ambasa dori i Gjermanisë nga qyteti i Elbasanit ku ishte për vizitë, bëri një deklaratë tronditëse, e cila e zymton ende më këtë dimër mbushur me lajme të këqija. Gjithë sa tha shkëlqesia e tij, kaloi pa shumë vëmendje mediatike!

Ndoshta nuk u gjykua ky lajmi më shqetësues. Ndër të tjera, diplomati bëri me dije se vetëm për muajin janar rreth 1650 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil politik në vendin e tij. Kjo shifër të shtyn të bësh pyetjen sa është numri i ikanakëve çdo muaj në drejtim të Gjermanisë dhe të vendeve të tjera europiane e, më tej, sa njerëz largohen brenda një viti!? Eksodi i bujshëm e masiv nga Kosova, i organizuar me autobusë në qendër të Prishtinës nën syrin e kamerave, i cili arriti zenitin e vet në kufirin serbo-hungarez, ka eklipsuar të ngjashmin e tij në Shqipëri prej natyrës së “butë” e të “heshtur” të këtij të dytit, falë mundësisë për të lëvizur lirshëm nga Aeroporti i Rinasit pa viza.

Vetëm forma ndryshon e jo thelbi i fenomenit. Një masë e madhe shqiptarësh në të dy anët e kufirit e mendojnë të pazonjën Shqipërinë dhe Kosovën për t’i mbajtur ata dhe fëmijët e tyre të lidhur me atdheun, me dinjitetin si qytetarë normalë, me dëshira, aspirata, pse jo edhe ëndrra. Pamundësia e të jetuarit brenda një kontradikte ekzistenciale i çon tek ikja me çdo kusht. Nuk dua të abuzoj me përkimin kohor, por ritmi i ikjes është rritur tejet pas ardhjes së forcave të reja në qeverisje.

Dukej sikur Shqipëria, e cila si asnjë vend tjetër i Europës ka pothuaj gjysmën e popullsisë në emigracion, ia kishte dalë ta mbyllte këtë plagë që filloi të mavijosej menjëherë pas rënies së komunizmit, duke ekspozuar para gjithë botës të vërtetat tona historike! Kosova dha shembullin e kundërt në një moment të vështirë menjëherë pas lirisë, ku me nxitim përmallues kosovarët ktheheshin me shpresë dhe optimizëm, anipse me shtëpi të shkatërruara e mes kujtimesh të tmerrshme që tentonin t’i linin pas. Tani kanë shtetin, pavarësinë dhe ikin nga mjerimi të cilin qeverisja kombëtare nuk e platitidot duke ngjallur një zhgënjim dëshpërues. Në fakt, paskëshim pasur të bëjmë vetëm me një iluzion, i cili po dezintegrohet keq nga aktualiteti.

Ambasadorët e akredituar në vendin tonë, nëse ndjekin shembullin e kolegut gjerman dhe deklarojnë të gjitha kërkesat për azil, do të na bënin një nder për të kuptuar se në çfarë përmasash është rritur kjo hemorragji, e cila meriton analizë jo vetëm me një artikull. Arsyet që i shtyjnë njerëzit të marrin arratinë nuk janë mister për askënd dhe me lehtësi ata e drejtojnë gishtin nga varfëria, papunësia dhe pasiguria, të cilat kanë një tendencë të qartë agresiviteti. Çudia është se sa më shumë hapen zyra pune në rrethe, madje estetikisht të këndshme, qytetarët radhët i shtojnë në aeroporte dhe porte. Fjalimet plot sportivitet të ministrit të Mirëqenies nuk u siguruakan me sa duket mirëqenie. Veç të tjerash, më shumë se gjithçka, ata kanë humbur besimin te fjala në formën e premtimit.

Çdo ditë e më tepër po shndërrohemi në një shoqëri depresive. Kryefjalë e ligjërimit vendimmarrës mbetet burgu, fadroma, shtrëngimi dhe polici. Atmosfera rendohet edhe nga vetëvrasjet nga mospasja, nga kriminaliteti, mungesa e horizontit, si dhe nga propaganda që krijon dy Shqipëri, një reale e një zyrtare. Pamundësia për t’u përballur me ketë ligjërim shtyn shumëkënd të shesë çdo gjë apo të marrë borxhin e fundit për biletën dhe të ikë.

Por ambasadori gjerman tha gjithashtu që të gjithë do të kthehen mbrapsht. Të kthyerit do të jenë edhe më të mjerë dhe pa rrugëdalje. Disa do t’i binden fatit, të tjerë do ta sfidojnë duke hyrë në botën e klandestinitetit. Kështu mund të vihet në diskutim mundësia jonë për të lëvizur lirshëm e pa viza, një beteje dinjiteti e komoditeti e fituar pas një pritjeje shekullore.

Mjerimi është hall jo racional dhe nuk njeh arsye. Kjo ikje nuk do të ndalet për sa kohë qytetarëve të këtij vendi nuk u sigurohet minimumi për të jetuar, një strehë, ujë, drita, ngrohje, ilaçe dhe ushqim, minimum që shtatëvjeçarja nga Shullazi i Laçit Pamela Jahja nuk e pat dhe u nda kso jete e që ende nuk e ka as motra e saj, e cila gjithashtu përballet me pneumoninë, sepse fle nën plastmasë. Druaj se ambasadori do të na lajmërojë çdo muaj!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura