Deklarata e kryeministrit për bashkim me Kosovën, zv.ministrja e Jashtme korrigjon Ramën: Vetëm në BE

Apr 9, 2015 | 21:31
SHPËRNDAJE

Zëvendësministrja e Jashtme, Odeta Barbullushi, ka korrigjuar dje deklaratën e Kryeministrit Edi Rama në Ulqin për bashkim kombëtar të shqiptarëve, qoftë në BE apo edhe jashtë saj.

RAMA E MUSTAFA PAS MBLEDHJES SE DY QEVERIVE

Zv.ministrja iu përgjigj dje interesit të deputetëve për qëndrimet e kreut të qeverisë dhe çfarë reagimesh kanë sjellë ato te partnerët ndërkombëtarë. E pranishme në Komisionin e jashtëm, Barbullushi tha se deklaratat e Kryeministrit janë në kontekstin e bashkimit të shqiptarëve brenda Bashkimit Europian. Ndërsa i quajti tituj gazetash qëndrimet e tjera për togfjalëshin “bashkim kombëtar”.

“Për sa u përket deklaratave për bashkimin, po të lexohet deklarata komplet në kontekstin e vet, është një deklaratë që nuk thotë as më pak dhe as më shumë, sesa bashkimi i shqiptarëve në Bashkimin Europian. Por një bashkim, i cili vjen i natyrshëm si pasojë e bashkëpunimit të thelluar çdo vit e më shumë. Pra, është një bashkim që nuk është as teorik, as ideologjik dhe as i imponuar nga lart, po që po ndodh realisht dhe në realitet si pasojë e bashkëpunimit në këto fusha. Dhe, sa më shumë të ulim nivelin politik për të rritur nivelin e ekspertëve, teknicienëve, profesionistëve, aq reale do të bëhet kjo njohje, ky shkëmbim dhe ky bashkim. Veçse se në tituj gazetash togfjalëshi bashkim kombëtar, nuk ka dalë tjetër dhe nuk është artikuluar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në kuptimin e togfjalëshit politik”, tha dje zëvendësministrja e Jashtme.

OPOZITA
Ndërkohë që ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, deklaroi se qeveria e majtë është kthyer te tezat e ishkryeministrit Sali Berisha për bashkim të shqiptarëve brenda kufijve të BE-së. Sipas Bumçit, deklarata e Kryeministrit e bërë në Ulqin ishte jo në vendin e duhur dhe se çdo hap duhet ndërmarrë në konsensus me partnerët ndërkombëtarë dhe amerikanë.

“Mbas kaq vitesh, pasi keni kritikuar qeverinë e kryeministrit Berisha për tezat dhe vizionin që shqiptarët duhet të bashkohen dhe do bashkohen brenda projektit të Bashkimit Europian. Në atë kohë, këto deklarata nga opozita e djeshme dhe qeveria e sotshme u panë si kërcënuese, na vjen mirë që Kryeministri Rama ka ardhur në këto teza. Me deklaratën që bëri, vendi nuk ishte i gjetur, e bëri në Ulqin. Çdo hap i hedhur në rajon është hedhur me miqtë tanë më të mirë. Pavarësia e Kosovës është arritur falë ndërhyrjes së miqve amerikanë edhe ndërkombëtarëve të BE. Çdo hap tjetër në këtë drejtim do të hidhet me konsensusin e partnerëve tanë”, tha Bumçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura