Deklarata e Athinës për Idrizin nënkryetar Kuvendi, PDIU: E padenjë

May 23, 2015 | 11:22
SHPËRNDAJE

Partia për Drejtësi Integrim e Unitet e ka quajtur plotësisht si të padenjë deklaratën e fundit të autoriteteve greke për votimin e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit, thënë me gojën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Kostandinos Kutras.


Në një dekaratë për media, PDIU, e vlerëson plotësisht të ligjshme e në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, Rregulloren e Kuvendit, dhe një marrëveshje politike qeverisëse, është një akt i brendshëm  sovran i institucioneve tona më të larta.

PDIU i kujton Greqisë mosndërhyrjen në punët e brendshme në respekt të parimeve të njohura të sovranitetit, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri tjetrit,  të sanksionuara mes të tjerave dhe në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve tona. 

Deklarata e plote 

Na duket e çuditshme sesi një zyrtar i lartë i një shteti fqinj që ka probleme të mëdha, me pasoja të rënda për gjithë Europën, gjen kohën të komentojë aktet tona të brendshme, rutinë e veprimtarisë së parlamentit. Është fakt se shumica e re, me një shkallë shumë të lartë pavarësie në vendimmarrjen e vet,  e ka bërë të qartë njëkohësisht se është në favor të marrëdhënieve miqësore me Greqinë, në respekt të parimeve të njohura të sovranitetit, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njeri tjetrit,  të sanksionuara mes të tjerave dhe në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve tona.  Edhe votimi i zotit Idrizi është brenda kësaj fryme miqësie dhe bashkëpunimi, me Greqinë, me fqinjët tanë, me gjithë aleatët tanë strategjikë.

Në prononcimin e zyrtarit të lartë grek ka dy lloj pohimesh. Disa që i referohen pa i përmendur emrin, vijës politike, programore të partisë sonë, që zoti Idrizi e përfaqson. Një pjesë tjetër janë pohime që sipas zyrtarit grek mund të jenë pasojat e zgjedhjes së zotit Idrizi në rrafshin rajonal dhe të integrimit europian.

Në lidhje me cilësimet politike, ne do donim të thonim se programi i PDIU-së, pozicionimet e saj politike nuk kanë kurrfarë «perceptimi irredentist, të lidhur direkt me të kaluarën e tmerrshme fashiste dhe naziste të Europës». Përkufizime të tilla kanë në bazë një falsifikim historik prej të cilit ne kujtonim se Greqia e sotme e qeverisur nga e majta me histori të përbashkët lufte me partizanët tanë, do të ishte e çliruar. Po e ndihmojmë pak zyrtarin grek ta kuptojë këtë falsifikim.

Koha e kaluar të cilit Kutras i referohet, na sjell ndërmend  një fashist të madh e të vetdeklaruar, ish kryeministrin grek Metaksai, i cili e miratoi pushtimin e Shqipërisë, por që e pësoi vetë për shkak të dritëshkurtësisë politike të tij. Këto përkufizime të zyrtarit grek, na kujtojnë sigurisht bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, në të dy vendet dhe kombet tona, të cilët historia i ka dënuar megjithëse jo njëlloj. Këtë diferencim na e përkujton përshembull ish numri dy i ambasadës amerikane në Athinë, John Bradley Kiesling, i cili thotë se ndryshe nga bashkëpunëtorët grekë të fashizmit që u rehabilituan, shqiptarët e Çamërisë u fajësuan kolektivisht. Greqia është i vetmi vend europian që ka pasur në fund të viteve `80 për kryeministër, nipin e kryeministrit kuisling të kohës së luftës. Shqiptarët e Çamërisë kanë qenë viktimë  e një bashkëpunëtori të gjermanëve si Napoleon Zerva.  E vërteta është se një numër shumë i madh i shqiptarëve të Çamërisë kanë luftuar dhe derdhur gjakun e tyre krah më krah me grekët, kombet bashkëluftuese kundër nazizmit dhe fashizmit, duke formuar plot dy batalione kundër okupatorit, një numër i madh për popullsinë e tyre. Figurat emblematike të partisë greke në pushtet si Manolis Glezos, etj., kanë luftuar krah më krah me luftëtarët e batalionit “Çamëria” dhe për më tepër të batalionit “Ali Demi”, pjesë e EAM. Ndaj pjesa e parë e reagimit zyrtar grek është e njëjtë si të thuash se drejtuesit shpirtëror të së majtës greke kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit.

Ka një pjesë të dytë të deklaratës zyrtare greke të lidhur me pasojat e një votimi sovran të parlamentit shqiptar për miqësinë, bashkëpunimin, dhe integrimin europian të Shqipërisë. Kjo pjesë që ndërtohet mbi një falsifikim të të vërtetës së madhe që përfaqson sot PDIU dhe kryetari i saj, mban era kërcënim, çka është e papranueshme,

Nuk ka asnjë pjesë të programit, të aksionit politik të PDIU që është kundër këtyre vlerave të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian. Ne jemi për respektim të plotë nga të dy palët, të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Reciprok midis dy vendeve. Edhe Rezoluta për Çështjen Çame si cështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, është shkruar në këtë frymë europianiste, të Traktatit të Miqësisë. Miqësinë, bashkëpunimin, stabilitetin, integrimin europian të Shqipërisë e kërcënon Agimi i Artë, pinjollët e të cilit i bëjnë homazh fashizmit dhe nazizmit dhe jo PDIU. Agimi i Artë dhe qarqe të caktuara të shoqërisë, të politikës dhe institucioneve greke të lidhur me të kaluarën fashiste dhe naziste kanë aspirata të qarta irredentiste përkundrejt territorit shqiptar, nëpërmjet mbajtjes në këmbë të Ligjit të Luftës, të shumë ligjeve të tjera që kanë bllokuar pasuritë e shqiptarëve dhe të minoriteteve të tjera në Greqi, nëpërmjet platformave për çlirimin e gjoja “Vorio Epirit”, etj.

Ne jemi për sinkronizimin e axhendës tonë kombëtare me atë perëndimore dhe e shohim Bashkimin kombëtar të lidhur me integrimin europian. Ideja e Komunuelthit Ekonomik që ne e kemi në program është themeluar pikërisht mbi formulën e Bashkimit Europian apo modele të tjera integrimi si ai i vendeve nordike.

Zotëria në fjalë, institucionet greke janë të keqinformuara, ndaj ne jemi të gatshëm të përkthejmë në greqisht çdo fjalim, gjithë programin e PDIU-së, duke besuar se ata do të kuptojnë gabimin themelor që ata bëjnë me kokëfortësi duke dëmtuar kështu imazhin e Greqisë në vendin tonë. Është gabim themelor të vazhdosh ta shohësh Shqipërinë e partitë e saj, sipas vizionit arkaik të qarqeve të caktuara apo të figurave të kompromentuara si Vangjel Dule, që sot e ka humbur tërësisht mbështetjen e minoritetit grek. Nga goja jonë kurrë s’kanë dalë thirrje të ngjashme me ato të Agimit të Artë kundër minoritarëve grekë, apo kujtdo që nuk ndihet shqiptar.

Ndaj ne e refuzojmë plotësisht si të padenjë deklaratën e fundit të autoriteteve greke.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura