ALMA MILE
Studimi i figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut ka nevojë të zhvishet nga ideologjia dhe elementet mitologjike, që iu veshën në vazhdën e shekujve, me qëllim vetëdijesimin e shqiptarëve për identitetin e tyre europian. Por, ndërsa Skënderbeu shërbeu si frymëzues dhe përbashkues, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, duket se është koha për ta parë atë nën një frymë të re, jo thjesht si një hero e luftëtar, por si një diplomat dhe europian, i cili mund të merret shembull edhe sot, ndërsa synojmë hyrjen në familjen europiane.
Fakulteti i Histori Filologjisë ka vendosur të bëhet pjesë e këtij procesi, duke u bërë faktor në aktivitetet për nder të figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes. Dekani i Fakultetit, prof. dr. Sabri Laçi, në një komunikim për mediat, bëri të njohura aktivitetet dhe synimin që kërkohet të arrihet përmes tyre.
“Ne mendojmë që është detyrë dhe nder për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si institucioni më i rëndë- sishëm dhe prestigjioz i studimeve Albanologjike në vend, që të japë kontributin e tij jo vetëm në rikthimin e vëmendjes së shqiptarëve te figura shumëdimensionale e Heroit tonë Kombëtar, por edhe në krijimin e një platformë të debatit shkencor për epokën dhe figurën e Skënderbeut”, tha Laçi.
Sipas tij, ky debat do të synojë “shkëputjen nga paradigma e vjetër dhe e ideologjizuar e studimeve historike në përgjithësi dhe e studimeve për figurën e Skënderbeut. Edhe pse në dukje kjo paradigmë e ka vlerësuar figurën e tij, duke qenë e brendashkruar në një kontekst politik izolacionist, në thelb, e ka reduktuar epokën e Skënderbeut dhe figurën e tij qytetëruese dhe politike në Europën e kohës; sjelljeve e këndvështrimeve dhe kontributeve origjinale studimore në pasurimin e dijes për Skënderbeun dhe kohën e tij”.
Ai u shpreh se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, “është shndërruar me të drejtë në një mit ndërtues për kombin tonë, por paradoksalisht, miti i tij në vend që ta hiperbolizojë realitetin historik, e minimizon atë. Mendojmë se Skënderbeu është më i rëndësishëm se miti i tij.” Laçi theksoi se Skënderbeu nuk është thjesht pjesë e historisë së kombit shqiptar, por i shërben edhe shoqërisë bashkëkohore shqiptare dhe elitës drejtuese sot. Ai vlerësoi rolin e tij prej diplomati, që do të ishte shembull sot për integrimin europian të shqiptarëve.
“Historiani dhe gazetari i shquar italian, Indro Montanelli, e ka quajtur për këtë me të drejtë, “poeti i madh i politikës shqiptare”. Mesazhi i tij themelor është se një vend i vogël, jo domosdoshmërisht është i parëndësishëm në gjeopolitikën dhe zhvillimet botëror. Është mirë që ky dimension i tij të zbulohet para shqiptarëve dhe të tjerëve në përmasën e tij reale pasi do të ishte një terapi e mirë për të shëruar inferioritetin e padrejtë të shqiptarëve, të ngulitur përmes një procesi të gjatë historik.” Nën këtë frymë do të zhvillohen të gjitha veprimtaritë, të cilat do të kulmojnë me një konferencë ndërdisiplinore, e para e këtij lloji, në 15-16 nëntor, në Tiranë.
Një konferencë ndërkombëtare, që do të mbledhë njohësit më të mirë të figurës së Skënderbeut dhe periudhës së tij, por jo vetëm në lëmë të historisë, por edhe fushave të tjera. “Konferenca do të bëjë një prerje prizmike përmes këndvështrimeve dhe qasjeve moderne të kërkimit shkencor që do të paraqitet në konferencë, në mënyrë që të mbetet referenciale për studime shqiptare dhe ndërkombëtare”, tha Laçi, duke ftuar të gjitha institucionet kërkimore në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë, të bëhen pjesë e kësaj veprimtarie.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al