Defekt në lindje, prindërit e fëmijës: I duhen 2 operacione, s’kemi lekë

Feb 15, 2016 | 8:13
SHPËRNDAJE

Pa u bërë 24 orë nga ardhja në jetë, Gerit të vogël iu desh të përballej me një ndërhyrje kirurgjikale. Sot ai është 8 muajsh, dhe për pak do të nisë të ecë, por në trupin e tij diçka nuk shkon mirë.

Nëna Eva Hamzallari me djalin 8 muajsh
Nëna Eva Hamzallari me djalin 8 muajsh

Nëna e tij, Eva Hamzallari, na tregon që një ditë pas lindjes, mjekët kanë bërë një ndërhyrje në trupin e vogëlushit, duke i hapur dy vrima në anën e majtë të barkut, në mënyrë që të zëvendësojnë tek ai mungesën e anusit.

Ka qëndruar për më se dy javë në ambientet e spitalit, larg ngrohtësisë së familjes, por mbi të gjitha larg nënës së tij.

“Geri ka lindur më 3 qershor të vitit 2015 në spitalin ‘Mbretëresha Geraldinë’. Nuk trupin e tij mungonte anusi, thënë ndryshe nuk kishte dalje të zorrës së trashë. Të nesërmen në mëngjes e dërgojnë në QSUT ku i bëjnë operacion. E kanë mbajtur deri në datën 17 qershor në terapi intensive. Ndërkohë unë kam qenë e shtruar deri në datën 13 në spital. Nuk kam mundur të qëndroj pranë djalit. Për të gjithë kohës u kujdes bashkëshorti”, thotë Eva.

Më tej ajo na tregon se nuk ka pasur shqetësime gjatë shtatzënisë dhe se anomalia është vënë re vetëm pas lindjes. Por, përgjatë këtyre tetë muajve Geri ka pasur në mënyrë të vazhdueshme probleme me shëndetin.

“Ka qenë edhe dy herë të tjera i shtruar në spital. Ka pasur herë pas here temperaturë. Na u dha mundësia për ta operuar me një ekip mjekësh australianë dhe nuk u bë për shkak se mjeku që e operoi herën e parë tha që fëmija kishte temperaturë. Nga ekografitë që i kemi bërë na kanë thënë po ashtu se mushkëritë e djalit nuk janë të shëndetshme. Por këtë nuk e dimë me saktësi, sepse ndryshe na thotë një doktor dhe ndryshe një tjetër. Nuk dimë më kë të besojmë”, tregon nëna e vogëlushit.

E gjendur në këtë situatë, mes kësaj tymnaje pa përgjigje, pamundësisë financiare dhe thirrjes prej nëne, Eva apelon për ndihmë. Për të pasur një jetë normale, ashtu si bashkëmoshatarët e tij, vogëlushi duhet të kryejë edhe dy ndërhyrje të tjera kirurgjikale. Por familja e ka të pamundur që të përballojë shpenzimet financiare për këto dy operacione.

Babai i Gerit punon 12 orë në ditë, por paga e tij është e pamjaftueshme. Ata jetojnë në shtëpi me qira në kryeqytet dhe gjysma e rrogës shkon për të paguar të zotin e shtëpisë. Veç Gerit, për të cilin duhet të kujdesen, çifti i ri ka edhe një vajzë më të madhe e cila është në klasën e dytë. Në këto rrethana, prindërit e tij nuk kanë tjetër mundësi përveç asaj për t’iu drejtuar gjithkujt për ndihmë.

Ndaj çdokush që dëshiron të kontribuojë mund ta bëjë përmes llogarisë bankare, që është hapur në emër të vogëlushit:

NBG Bank, Hamzallari Gerald Gerti Al 179011124000388196 10000013

 

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura