Dedja në pritje të kryebashkiakut Tushe, por trajneri do të vazhdojë punën

Dec 5, 2017 | 16:55
SHPËRNDAJE

Momenti i vështirë që po kalojnë lushnjarët në këtë sezon me gjashtë humbje radhazi, pesë në kampionat dhe një në Kupë e Shqipërisë, ka bërë që trajneri Hysen Dedja të kërkojë një takim me kryetarin e Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, që është njëherësh edhe president i klubit verdhejeshil. Pritet që palët të diskutojnë për përmirësimin e situatës dhe rreth të ardhmes së ekipit.

Lushnjarët dje kanë qenë pushim dhe sot pritet të zbresin në fushë për të nisur përgatitjet në kuadrin e ndeshjes me Kukësin. “Kjo gjendje psikologjike e skuadrës. Edhe unë kam hyrë në tensionin e futbollistëve që duhet të jem më i qetë. E ritheksoj që është një gjendje psikologjike shumë e rëndë. Përgjegjësia është mbi mua. Pres të bisedoj me presidentin e klubit për vazhdimësinë. Do të flas gjatë me të si do të jetë ecuria e skuadrës”, ka thënë trajneri Hysen Dedja në përfundim të ndeshjes me Partizanin, ku u mundën 3-0 në “Roza Haxhiu”.

tushe dedja

VAZHDIMËSIA- Pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, trajneri Dedja do të vijojë të jetë në krye të pankinës verdhejeshile. Burime të rezervuara pranë klubit thanë për gazetën “Panorama Sport” se trajneri shkodran i Lushnjës ka mbështetjen e drejtuesve për të vijuar punën me ekipin edhe për javët në vijim.

Gjithsesi, kjo pritet që të konfirmohet zyrtarisht pas takimit që trajneri Dedja ka kërkuar të zhvillojë me kryebashkiakun Fatos Tushe. Skuadra, nën drejtimin e Dedjes, zbret sot në fushë për të zhvilluar seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës me Kukësin. Të shtunën, lushnjarët do të jenë mysafirë në Kukës, me shpresën se nuk do të dalin pa pikë nga stadiumi “Zeqir Ymeri”.

ECURIA E TRAJNERIT- Nën drejtimin e trajnerit Dedja, lushnjarët nuk kanë marrë asnjë pikë dhe praktikisht janë të eliminuar nga kupa pas humbjes 1-3, në “Roza Haxhiu”, me Laçin. Deri në fund të vitit, lushnjarët do të luajnë vetëm një ndeshje në shtëpi me Skënderbeun kryesues dhe dy transferta me Kukësin e Laçin.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura