Dedikuar bartësve të filozofisë së jetës

Mar 7, 2015 | 9:47
SHPËRNDAJE


LINDITA NIKOLLA*

 

  Profesor Keating (Robin Williams në filmin “Dead Poets Society”, 1989), i përzënë nga shkolla, pasi sistemon me duart që i dridhen lehtë çantën e tij, i hedh një sy klasës për herë të fundit dhe me hapa të ngadaltë, pa kthyer kokën pas për të mos u tradhtuar nga emocionet, lë auditorin për të mos u kthyer më kurrë. Por… nxënësit e tij nuk janë dakord.

Ata protestojnë, hipin mbi bankat e klasës dhe, duke përplasur këmbët mbi to, shpërthejnë fort dhe dhimbshëm me vargjet brilante të poezisë së famshme te Walt Whitman: “Kapiten, kapiteni im!”. Kjo skenë vazhdon të më emocionojë e të më kthejë pas në jetën e shkollës, ku kam kaluar pjesën më të bukur të jetës sime, të mbushur me emocione të paharrueshme si nxënëse dhe si mësuese. Natyrisht, tashmë nën një refleksion e këndvështrim të ri gjithnjë e më të shprehur mbi rëndësinë në jetët tona të një profesioni jo rrallë të nënvleftësuar, atë të mësuesit apo maestros, siç e thërrasin në shumë vende.

Në fakt, filmi në thelbin e tij, që kulmon me këtë skenë, ka figurën e mësuesit për të cilin në çdo moshë e në çdo kohë të gjithë kemi nevojë. Kemi nevojë, ndoshta pa e kuptuar, për një udhërrëfyes që të na tregojë rrugën gjithë dredha e malore, pa na shtyrë, pa na detyruar, pa na dhunuar, pa na kritikuar për çdo gjë që bëjmë apo lënë të lirë në lajkat e përkëdhelitë, pa na sugjeruar klishe të gatshme, por vetëm duke na ndriçuar e inkurajuar në zgjedhjet tona. Siç duket, ky instinkt i fuqishëm kushtëzon jo pak herë përgjigjet e fëmijëve, që kur i pyesin se kë duan më shumë, mamin apo babin, duke rrudhur buzët e përdredhur fytyrën e tyre engjëllore shtojnë: “Pak, shumë pak, paaak fare më shumë, mësuesen”.

Çdokënd besoj, mua po ashtu më kaplonte dëshira të merrja një buqetë me lule e t’ia çoja asaj, mamasë tjetër, mësueses. Siç duket, po i njëjti instinkt më vesh jo rrallë me pelerinën e nostalgjisë për shkollën time, po aq edhe për 16 vitet që i kalova nën petkun e udhërrëfyeses, midis gjimnazistësh shpesh të nxituar e të shpenguar po aq. Për atë botë, botën e tyre të energjisë dhe sinqeritetit të paanë ndiej mall. Pse jo! E lakmoj. E lakmoj, por tashmë duke e riparë me lupën e përgjegjësisë së madhe qe kemi ndaj tyre. “Përkëdhelini fëmijët, jepuni atyre dashuri”, dominon refreni i sotëm i shumë ekspresioneve publicitare, gati deri në bezdisje. Dashuria dhe emocioni i rrisin fëmijët të shëndetshëm mendërisht dhe emocionalisht, në të kundërtën e filozofisë autoritare të pedagogjisë me të cilën u rrit brezi ynë.

Mësuesit për të cilët Robin Williams interpreton, jo me “gjasme” përkëdhelin, por as kurrsesi dhunojnë, ata ofrojnë ndihmë, sugjerojnë dhe, më e rëndësishmja, arrijnë të inspirojnë e të inkurajojnë. Ata evidentojnë ngjarje dhe zhvillime të ndodhura nëpër botë apo në shkollën e tyre dhe mësojnë atë çka është më e rëndësishmja, perspektivën. Tregojnë një rrugë dhe e ndriçojnë atë, edhe pse ajo mund të kalojë nga toka drejt qiellit, për ata që besojnë ne të përtejmen, edhe pse ajo mund të kalojë nëpër shkallët e qiellit të muzikës rrok të “Led Zeppelin” (albumi i famshëm i tyre “The stairway to Heaven”) për ata që besojnë në shpirtin hyjnor të muzikës, apo për tokësorët që besojnë në rrugët e heshtura, të qeta e pak misterioze të pyllit të vendimeve të vështira.

Për një nxënës, vetëm pemët e larta, bari dhe lagështia duan të thonë pyll, ndërsa njeriu i pyllit në shpjegimin e Prof. Keating-ut u kujton atyre se pylli nuk mund të kuptohet pa praninë e tigrit. Dhe këtë ai ua mëson nëpërmjet fjalëve e shprehjeve të arta, që ngjisin ethshëm në shpirtin e njomë të nxënësve të tij:

“Carpe diem, kapeni momentin djema, thitheni palcën e jetës, bëjeni të jashtëzakonshme jetën tuaj”,- inspiron kapiteni. Mësuesit, ata të vërtetët, nuk kërkojnë asgjë në këmbim. Në palcën e tyre mbartin dëshirën për të transmetuar diçka, kënaqësinë për të ndihmuar në atë që vjen pas, vetë ekzistencën. E nëse ata, mësuesit e vërtetë, nuk kërkojnë, jemi ne që duhet t’u japim atyre atë që ata meritojnë. E ardhmja është në duart e tyre.

Dhe Robin Williams do na e kujtojë gjithmonë borxhin që kemi ndaj tyre. Ej, kapiten, kapiteni im, ti na mësoje se fjalët dhe idetë mund të ndryshojnë botën. Ti na rikujtove që në këtë ditë të shenjtë të 7 Marsit të reflektojmë shumë për heronjtë e heshtur të dashurisë sonë fëmijërore, për udhërrëfyesit e jetës sonë, për bartësit e filozofisë së jetës, mësuesit. Gëzuar 7 Marsin!

*Ministre e Arsimit dhe Sporteve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura