Dëbora artificiale shpëton resortet e skive në Ballkan

Feb 5, 2020 | 17:14
SHPËRNDAJE

Ndërsa rajoni i Ballkanit përjeton një nga dimrat më të butë në dekada, temperaturat e pazakonta të ngrohta dhe mungesa e dëborës për shkak të këtyre temperaturave kanë kërcënuar përfitimet që vijnë nga sezoni turistik dimëror.

Kopaonik-Serbia-by-Ratko-Bozovic-Wikimedia-Commons-1-e1580853994495-1280x720-600x338

Dëbora artificiale ka mbajtur gjallë resortet e skive dhe biznese të tjera turistike dimërore në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit, ku pronarët e këtyre bizneseve presin të përfitojnë nga moti i ftohtë dhe reshjet e dëborës që priten të bien deri në fund të kësaj jave.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, sezoni i dimëror u hap ashtu siç ishte planifikuar në mes të dhjetorit, dhe dy qendrat kryesore të skive në Bjelasnica dhe Jahorina u mbështetën në dëborën artificiale për të lumturuar skiatorët dhe për të ruajtur fluksin e turistëve.

Bjelasnica dhe Jahorina, në të cilat u zhvilluan Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984, nuk kanë raportuar shifra zyrtare të vizitorëve nga ky sezon, por raportet e hershme informale sugjerojnë se sezoni 2019-2020 do të jetë një sezon i suksesshëm për industrinë në Bosnje, pavarësisht motit më të ngrohtë.

Një tjetër atraksion i madh dimëror, e famshme për skiatorë vendas dhe të huaj, qendra në malin Vlasic në Bosnjën qendrore, u desh që në fillim të sezonit të mbështetej gjithashtu te dëbora artificiale për shkak të temperaturave të larta, por ka arritur t’i mbajë funksionale pistat e saj të skive për pjesën më të madhe të sezonit deri tani.

Shumica e resorteve në Serbinë fqinje kanë qenë gjithashtu funksionale deri më tani. Ato më të rëndësishmet, si Kopaonik, Stara Planina dhe Zlatibori, kanë përfituar nga reshjet natyrore të dëborës, ndërsa e mbajnë dëborën artificiale si një opsion rezervë.

Vetëm disa resorte, jo dhe aq të njohura, siç është ai në Pirot, nuk kanë qenë në gjendje pune. “Kushtet e pafavorshme të motit, temperaturat e larta dhe mungesa e dëborës ndikuan në vendimin për t’u mbyllur”, raportoi Juzne vesti të jetë shprehur “Pirot Sports Centfd” në janar.

Në Rumani, dëbora artificiale ka shpëtuar sezonin për shumë pronarë resortesh skish. Në rajonin verior të Maramures, prodhimi i borës artificiale ofroi kushte të mira për ski, pavarësisht mungesës së reshjeve të mëdha të dëborës deri më tani këtë dimër.

Në rajone të tjera të Rumanisë, situata ka qenë më e keqe. Në Brasov, në qendër të vendit, temperaturat deri në 17 gradë Celsius në dhjetor e bënë të pamundur prodhimin e dëborës artificiale, tha Andreea Vatea nga shkolla e skive “Edenski”.

“Temperatura duhet të shkojë deri në minus 4 gradë Celsius që të kemi mundësi të kemi dëborë artificiale”, tha Vatea për BIRN.

“Sezoni filloi vetëm më 31 dhjetor, kur normalisht ai fillon që më 6 dhjetor”, shtoi ajo.

Kjo do të thotë se të gjithë ata që punojnë në industrinë e skive humbën një muaj të ardhura këtë dimër, shpjegoi Vatea. “Shpresojmë të jemi në gjendje ta zgjasim sezonin, por kjo varet nga temperaturat që do të kemi dhe askush nuk e di se si do të jenë ato”, tha ajo.

Gjërat janë keq edhe për pronarët e bujtinave që nuk kanë dëborë artificiale në zonat e tyre. “Sezoni është shumë i keq, sepse nuk kemi mjaftueshëm dëborë natyrale”, tha pronari i një bujtine nga rajoni i Banatit në Rumaninë perëndimore për gazetarët vendas.

Numri i turistëve në qendrat e skive në Mal të Zi është ulur këtë vit për shkak të mungesës së dëborës.

Në qendrat e skive në Zabljak dhe Bjelasica nuk ka prodhues dëbore artificiale, por Ministria e Zhvillimit dhe Turizmit ka njoftuar se ata do të jenë gati në vitin 2021 pas kërkesave nga organizatat turistike dhe pronarët e hoteleve në Mal të Zi.

“Problemi është se turistët po shkojnë në qendra të tjera skish në rajon për shkak të mungesës së dëborës”, tha për gazetën Vijesti Ljubisa Rakocevic, pronar i një hoteli pranë qendrës së skive në Bjelasica.

“Duhet të kemi dëborë artificiale sa më shpejt që është e mundur”, tha Rakoceviç.

Dimri pa dëborë në disa zona të Ballkanit ka pasur impakt edhe në dy resorte të famshme skish edhe në Maqedoninë e Veriut, në atë në Mavrovë dhe atë në Popova Shapka.

Gjatë janarit, niveli i dëborës në këto resorte varionte nga zero deri në maksimumi 30 cm dëborë, që do të thotë se prodhuesit e dëborës artificiale u desh të përdoreshin me kohë të plotë për të garantuar sasinë minimale të nevojshme të dëborës për praktikimin e sporteve dimërore.

“Sezoni s’ka mbaruar ende, por mund të themi që tani se ky vit ka qenë i dobët”, tha Dhoma e Turizmit e Maqedonisë së Veriut.

Mungesa relative e borës po shton thjesht vështirësitë me të cilat përballen këto resorte në Maqedoninë e Veriut teksa konkurrojnë me qendrat e skive shumë më të zhvilluara në Ballkan që ofrojnë më shumë mundësi argëtimi për vizitorët e tyre.

Vitet e fundit, kjo ka sjellë uljen e numrit të turistëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët gjithnjë e më shumë preferojnë resortet dimërore në Bullgari, ku në sezonin aktual nuk është raportuar mungesë dëbore.

/Birn/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura