Dëbimi i ambasadorëve rusë, Bushati zbulon prapaskenat e vendimit

Mar 27, 2018 | 8:18
SHPËRNDAJE

Shqipëria nuk mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Europian, vendi ynë vendosi këtë të hënë dëbimin e dy diplomatëve rusë. Në një lidhje telefonike ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, teksa theksoi për Top Channel se edhe në të kaluarën ka pasur qëndrime që janë shprehur në mënyrë zyrtare ky vendim ka ardhur 48 orët e fundit si koordimin brenda aleancës së NATO-s, si përgjigje të veprimeve të kohëve të fundit. Duke përmendur edhe rastin më të fundit të vrasjes së ish-spiunit rus në Britani.

Bushati

Top Channel: Përse është marrë ky vendim? Ka pasur të dhëna edhe më parë se dy diplomatët rusë në Tiranë ishin përfshirë në aktivitete që nuk përputhen me standardin e tyre diplomatik. Bëhet fjalë në fakt për spiunazh?

Ditmir Bushati: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE. E kemi thënë disa herë, siç na e kanë bërë me dije edhe partnerët ndërkombëtarë çështjen e linkzimit e politikës sonë të jashtme me këto organizma. Tanimë kemi kaluar në një fazë tjetër, atë të koordinimit të veprimeve me partnerët tanë në NATO, dhe ky është një veprim i koordinuar me to, në përgjigje të zhvillimeve të fundit, sidomos pas rastit që u bë publik në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel: Ka pasur dhe më herët sinjale në lidhje me veprimtarinë që nuk përputhet me statusin diplomatik të këtyre dy diplomatëve, të Atasheut dhe të Sekretarit të Parë?

Ditmir Bushati: Natyrisht, Shqipëria është një vend që ka qartësi strategjike për sa i përket sidomos vlerave dhe parimeve kryesore Euro-Atlantike. Ka pasur në të shkuarën qëndrime që janë shprehur në rrugë zyrtare, si nga Ministria e Mbrojtjes ashtu edhe nga struktura të tjera shtetërore. Por mund t’ju them se 48 orët e fundit ka pasur një koordinim brenda NATO-s, edhe me partnerë të rëndësishëm, anëtarë të BE, mbi format dhe mënyrat se si mund t’i përgjigjeshim asaj çka u bë publike në Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas provave paraprake flitet qartë për implikime nga ana e palës ruse.

Top Channel: Zoti Bushati, çfarë rrezikon Shqipëria në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë pas këtij vendimi?

Ditmir Bushati: Nuk besoj se ka diskutim që ky është një vendim i vështirë. Shqipëria, natyrisht, kur ka ndërmarrë këtë vendim, ka marrë në shqyrtim edhe të gjitha konsekuencat që mund të vijnë nga ky rreshtim në kampin perëndimor dhe mbase nuk është rastësi që sot në Ballkanin Perëndimor kanë ndodhur disa ngjarje, dhe sot për sot kemi rreshtime edhe të vendeve që janë apo që aspirojnë të jenë anëtarë të BE, përkundrejt thirrjeve që kanë ardhur qoftë nga SHBA apo Mbretëria e Bashkuar, për një rreshtim në kampe mbi bazën e disa vlerave të cilat ne i mbrojmë dhe duhet t’i promovojmë.

Top Channel: Duhet të presim edhe largim të diplomatëve tanë nga Moska, logjikisht, apo jo?

Ditmir Bushati: Do të duhet që të presim me qetësi se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Ka disa zhvillime në kalendarin politik dhe diplomatik, qoftë në aspektin dypalësh, por edhe në suazën e NATO-s, duke qenë se në pak ditë do të ketë një ministeral të NATO-s ku kjo do të jetë një temë e rëndësishme për diskutim dhe më pas do të jetë gjithashtu samiti i NATO-s, ku një përgjigje sa më kolektive e sa më e njëtrajtshme që mund të vijë nga vendet anëtare të NATO-s e të BE ndaj këtij fenomeni, besojmë se aq më e sigurt do të jetë hapësira në të cilën ne jetojmë.

Top Channel: Z.Bushati, cili ishte reagimi i ambasadorit rus kur ia komunikuat këtë vendim? Sepse në punën tuaj hyjnë dhe marrëdhëniet personale në mes.

Ditmir Bushati: Ambasadori është thirrur nga strukturat përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në përputhje me praktikën diplomatike. Natyrisht që kur vjen puna te dëbimi i diplomatëve të vendeve të ndryshme, praktika shqiptare nuk është e pasur. Është shumë e rrallë në këtë drejtim. Natyrisht që shtetet përpiqen ta përdorin këtë formë si veprimin e tyre të fundit në marrëdhëniet diplomatike. Nuk është se është një nga ato takime që dikush do të dëshironte që të përballej./ Top Channel/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura