DEBATI/ PS mbron Xhafën nga vetingu, rrëzohet PD-LSI: Bravo e shpëtuat ministrin

Feb 21, 2018 | 21:00
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje vetëm me votat e Partisë Socialiste projektligjin për vetingun e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Opozita ofroi dje tre amendamente, pranimi i të cilave do të mundësonte votën pro dhe kalimin e nismës me konsensus.

fatmir xhafaj

Demokratët propozuan që ministri i Brendshëm, shefi i tij i kabinetit dhe zëvendësministrat e këtij institucioni, t’i nënshtrohen procesit të vetingut të parët. Por ky propozim u hodh poshtë nga deputetët e PS-së. Për kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, përfshirja e ministrit në veting do të bëhet në rast se Parlamenti do të votojë një nismë për të bërë rivlerësimin e të gjithë politikanëve. Por për Enkelejd Alibeajn, ky pretendim nuk qëndronte.

“Ministrin e ke të përcaktuar në ligjin e “Policisë së Shtetit”, ai është autoritet i Policisë së Shtetit, për këtë arsye duhet të përfshihet në procesin e vetingut. Jo si autoritet politik e pastaj, a e ka shprehur vullnetin vetë që do t’i nënshtrohet vetingut. Ja pra, fare thjesht vendoset këtu dhe i hap rrugën pasandaj vetingut për çdo politikan të çfarëdolloj natyre dhe çfarëdolloj peshe”, tha dje Alibeaj. Propozimi i tyre ishte që organet e vetingut të realizoheshin nga trupat jo politike dhe këta ekspertë të mos ishin në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Por dhe ky propozim u rrëzua nga socialistët, duke e kaluar draftin sipas variantit të qeverisë. “Propozimi është që pasagjerët e makinës Audi 0003 GB nuk mund të bëjnë vetingun e policëve, s’mund ta bëj vetingun Saimir Tahiri, s’mund ta bëj vetingun Elona Gjebrea, s’mund ta bëj Nezar Setiti dhe Fatmir Xhafaj. Ky është qëndrimi që kemi në sot. Mos e bëni këtë gabim kaq të madh që vetingun e Policisë ta bëjë Audi 0003 GB”, tha dje deputeti i PD-së.

DEBATI PËR VETINGUN NË POLICI

Enkelejd Alibeaj: Për të qenë serioz, çdo funksionar i këtij shteti që ka për qëllim parandalimin e krimit dhe ushtrimin e funksioneve të Policisë Gjyqësore, do duhet t’i nënshtrohet vettingut. Ka segmente dhe sektorë në pjesë të tjera të administratës që ushtrojnë këto funksione dhe këto duhet t’i nënshtrohen vetingut për ta bërë serioze këtë gjë. Pra, propozimi im është të futet ministri i Brendshëm si kreu i administrativ i Policisë së Shtetit, plus dhe subjekte të tjera që ushtrojnë funksionet e Policisë Gjyqësore. Bazuar në nenet 30-32 të Kodit të Procedurës Penale ku përcaktohen dhe funksionet e oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Julian Hodaj: Për çështjen e përfshirjes së ministrit i qëndrojmë asaj që tha ministri i Brendshëm dje.

Ulsi Manja: Lerë ketë se do ta hedhin në votim, por vazhdo me çështjen tjetër…

Enkelejd Alibeaj: Një sqarim, se unë e di si do votoni. Nuk mund të kalohet shpjegimi duke thënë autoritet politik. Po ministri është autoritet politik dhe ky profil si autoritet politik, përcaktohet në ligjin 9000, atë që rregullon Këshillin e Ministrave. Por ligji i Policisë së Shtetit, për të cilin ju pretendoni të bëni vetingun, neni 7 është i vendosur nën kreun II, i cili titullohet autoritetet të cilat drejtojnë, menaxhojnë, administrojnë Policinë e Shtetit. Neni 7 e përcakton ministrin jo si autoritet politik, por si autoritet administrativ dhe për të qenë serioz në të gjithë këtë proces vettingu, ai duhet të fillojë nga autoritetet më të larta. Dhe ministrin e ke të përcaktuar në ligjin e Policisë së Shtetit, është autoritet i Policisë së Shtetit, për këtë arsye duhet të përfshihet në procesin e vetingut. Jo si autoritet politik e, a e ka shprehur vullnetin vetë që do t’i nënshtrohet vetingut. Ja, fare thjesht vendoset këtu dhe i hap rrugën pasandaj vettingut për çdo politikan, të çfarë- dolloj natyre dhe çfarëdolloj peshe. Ulsi Manja: Që të jemi koherent dhe me titullin e projektligjit për “vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme në MB”. Dhe ministri si autoritet politik është jashtë sferës së këtij ligji, kur të kemi një ligj dhe të biem dakord për vetingun e politikanëve në Shqipëri, do t’i kalojmë të gjithë.

(Ulsi Manja hedh në votim propozimin e Alibeajt, votojnë pro: Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi dhe Silva Caka. Abstenon Nasip Naço)

Ulsi Manja: Tri vota pro, kundër 10 vota. Nuk miratohet.

Nasip Naço: Unë jam abstenim.

Enkelejd Alibeaj: Bravo, e shpëtuat ministrin..

Bashkim Fino: Kaloi, po hajde…

Enkelejd Alibeaj: Qëllimi ynë edhe në Komisionin e Sigurisë dhe në Komisionin e Ligjeve ishte një mundësi për të mirë paqtimi. Për t’i bërë një shërbim interesit publik, ringjallja e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera, pavarësisht se varrmihës të saj janë këta persona që nga Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj, unë besoj se është interes publik që do kontributin e çdo individi dhe çdo force politike dhe këtë e kemi bërë deri tani. Për ta bërë të sinqertë, duhet ta kishit nënshtruar dhe ministrin e Brendshëm dhe zv.ministrin e tij në veting për ta bërë serioz do duhet që organet e vetingut ashtu si dhe në eksperiencën pozitive të organeve të magjistratëve, të ishin të pavarura. Nëse ky veting nuk përmban organe të besueshme serioze, profesionale nuk është më veting, është lesh e li.. Ju doni të bëni një proces ku Fatmir Xhafaj të vetojë Fatmir Xhafajn? Ku Fatmir Xhafaj të vetojë Saimir Tahirin. Po kush e ha këtë?

Ulsi Manja: Shpjegimi i votës ka një limit kohe..

Nasip Naço: Gjendja është shumë e rëndë, mjafton të lexosh relacionin e ligjit. Kam deklaruar votën pro në parim sepse kisha bindjen që do gjenim një kompromis që ky ligj të kalonte me 140 deputetët. Por për sa kohë që nuk gjejmë asnjë lloj kompromisi për nenin 6-7, që janë thelbi i këtij projektligji, keni bërë një ëmbëlsirë të mirë, një tortë që në vend t’i vini qershi, i keni hedhur pika vajguri..

Silva Caka: Unë jam e mendimit që punonjësit e Policisë Shkencore duhet të jenë absolutisht pjesë e procesit të vlerësimit kalimtar sepse janë njerëz që administrojnë provat e një ngjarjeje që ndodh. Policia e Shtetit në këtë sektor ka një përgjegjësi shumë të madhe. Ne aty mund të gjejmë xhevahire të korrupsionit, ndaj mendoj se duhet të përfshihen patjetër.

Vasilika Hysi: Ata janë pjesë në projektligj…

Enkelejd Alibeaj: Ju bëj një thirrje për reflektim…

Adnor Shameti: Ne e refuzojmë…Distancohemi.

Enkelejd Alibeaj: Ky është moment për të treguar nëse jemi vërtet për të përmirësuar gjendjen kastastrofike po apo jo?! Siç e pranoni ju në relacionin tuaj për një polici të zhytur në krim dhe korrupsion dhe kultura e pandëshkueshmërisë është ajo që mbretëron. Ftesa ime është kjo, që ju të mos nxitoni, mos ecni me kaq shpejtësi për një ligj kaq të rëndësishëm. Se më vjen ndërmend tamam me shpejtësinë e makinës së krimit Audi 0003GB. Me këtë shpejtë- si jeni duke ecur me këtë projektligj dhe ashtu në rastin e Audit 0003GB i shpërthente çdo postbllok policie. Ky ligj është bërë pikërisht për ata policë, që gjysma janë në arrati dhe nuk kishin guximin të ndalnin Audin 0003GB.

Ulsi Manja: Ju faleminderit zoti Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj: Prit se s’kam mbaruar..

Bashkim Fino: Propozimi, cili është se s’po e marrim vesh.

Ulsi Manja: Propozimi ka thirrjen e arsyes..

Enkelejd Alibeaj: Propozimi është që pasagjerët e makinës Audi 0003 GB nuk mund të bëjnë vetingun e policëve, s’mund ta bëj vetingun Saimir Tahiri, s’mund ta bëj vettingun Elona Gjebrea, s’mund ta bëj Nezar Setiti dhe Fatmir Xhafaj. Ky është qëndrimi që kemi ne sot. Mos e bëni këtë gabim kaq të madh që vetingun e Policisë ta bëj Audi 0003 GB.

Ulsi Manja: Kush është dakord. S’ka kundra s’ka abstenim, miratohet.

TRE AMENDAMENTET E RRËZUARA TË PARTISË DEMOKRATIKE

· Ministri i Brendshëm, shefi i tij i kabinetit dhe zëvendësministrat të jenë subjekt i vettingut sipas të njëjtave kritere për trupën e policisë.

· Organet e vettingut të jenë jopolitike dhe jo nën varësinë e Ministrisë së Brendshme apo qeverisë, siç parashikohet në draft.

· Shtrija nga 5-10 vjet e vettingut për ndalimin e përfshirjes së policëve në aktivitete politike. Në draftin aktual është vetëm 3 vjet.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura