Debati për Tepelenën, Uran Butka: Xhufin nuk e shqetësuan tortura, dhuna, vdekja e fëmijëve dhe çnderimet e grave

Apr 12, 2018 | 20:59
SHPËRNDAJE

URAN BUTKA

Me deklaratat e tij në media, historiani Pëllumb Xhufi tjetërson të vërtetën historike dhe lëndon të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë ish-të internuarit në kampin e Tepelenës, por provokon e lëndon edhe gjithë shoqërinë e shëndoshë shqiptare. Fillimisht dua të theksoj se përveç dënimeve politike pa gjyq dhe me gjyqe të montuara ndaj kundërshtarëve politikë, duke i dënuar me varje, pushkatime e burgime të rënda, regjimi komunist dënoi edhe familjet e tyre, pra, pleqtë, gratë e fëmijët, duke i mbyllur në kampe përqendrimi apo kampe internimi, ku u dhunuan dhe vdiqën me mijëra të pafajshëm, sidomos fëmijë, gjë që përbën një krim kundër njerëzimit.

Uran Butka
Uran Butka

Në vitet e para të diktaturës u ngritën kampet e përqendrimit për familjet “reaksionare”, kampe të rrethuara me tela me gjemba dhe të ruajtura nga ushtria, si kampi i Krujës (1945) ku vuajti çnjerëzisht edhe familja Butka, më pas edhe kampi i përqendrimit në Kamëz, Berat dhe në Tepelenë. Mandej, u hapën në mjaft rrethe si Lushnjë, Fier, Vlorë, Cërrik, Kuç etj., edhe kampet e internimit të punës së detyruar, edhe këto kampe të izoluara, ku të internuarit punuan si skllevër për gjysmë shekulli me radhë. Kampi i Tepelenës ishte një kamp përqendrimi i tipit Stalinist, i ngjashëm me ata të nazizmit.

Përgjegjës i kampit ishte Xhafer Pogaçe, deri në vitin 1952. Përveç privimit të lirisë (që Xhufin nuk e shqetëson fare, sepse nuk ka thënë asgjë për krimin e privimit të lirisë ndaj njerëzve të pafajshëm, grave dhe fëmijëve dhe robërimit të tyre të paligjshëm), u ushtrua një dhunë e tmerrshme morale, fizike, psikologjike, por edhe forma të tjera të torturës si: mungesa e ushqimit, epidemitë e pamjekuara, çnderimi i vajzave dhe grave të internuara, mungesat e veshjeve, fjetja në çimento apo dërrasa, vdekjet për shkak të kushteve jonjerëzore etj., (ndërkohë që historiani Xhufi flet për një jetë jo aq të keqe në kampin e Tepelenës, gjë që përbën një fshehje të së vërtetës dhe lustrimin e krimit komunist).

Në një dokument për kampin e Tepelenës, të datës 30 korrik 1951 të degës së kampeve dhe burgjeve, thuhet: “Në kampin e internimit të Tepelenës kemi një sasi njerëzish, që janë pothuaj krejt të zhveshur, pse janë nga veriu dhe se kanë një kohë të gjatë që rrinë në kampe, u duken mishrat”. (Arkivi i MPB, F.50,v.1951,D.420). Nuk janë rastësore, siç mund të mendojë kush, deklarimet publike të Xhufit për Kampin e përqendrimit të Tepelenës. Ai e ka shprehur dhe mbajtur këtë qëndrim negativ përgjatë gjithë këtyre 25 vjetëve, duke glorifikuar kriminelët komunistë dhe duke përbaltur viktimat e atij regjimi, duke i mbetur besnik së shkuarës komuniste, formimit të tij gjenetik dhe ideologjik, ashtu edhe historiografisë komuniste.

Si historian, Pëllumb Xhufi e ka të ngulur në ndërgjegjen e formimin e tij konceptin komunist për historinë, politizimin e skajshëm të saj, metodën e përjashtimit e damkosjes të rivalit politik dhe të urrejtjes klasore. Edhe në debatet që po zhvillohen këto ditë në shtyp, Xhufi i sulmon ata që e kritikojnë apo ata që kanë mendim ndryshe me etiketime që s’janë të denja për një historian, apo në etikën e një intelektuali, i etiketon neofashistë, revanshistë etj.

Bie fjala, studiuesit Agron Tufa, i cili me të drejtë e kritikon me argumente sjelljen enveriste të Xhufit, ky e akuzon sikur Tufa i referohet burimeve nga Beogradi (!), duke aluduar djallëzisht se diçka e lidhka A. Tufën me Beogradin!? Teoritë komuniste të konspiracionit. Kjo është sa perfide, aq edhe e paturpshme. Të nxjerrësh dhe të përdorësh dokumente historike nga arkivat Î Uran Butka e Beogradit, Stambollit, Athinës, etj., nuk ka asgjë të keqe për një studiues. Aq më tepër akuza e Xhufit: “A thua të jetë thjesht afiniteti me gjuhët dhe kulturën sllave?”.

Historiani Xhufi ngatërron me qëllim politikën me kulturën e popujve, qoftë edhe të popujve sllavë (rusë, kroatë, sllovenë, serbë, bullgarë etj.). Kulturat lidhin, forcojnë dhe fisnikërojnë kombet, paqen, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre. Elitat politike dhe shtetërore janë gjë tjetër. Të parët e Agron Tufës, patriotë, kanë luftuar kundër pushtuesve serbë për të mbrojtur Dibrën nga vandalizmat e ushtrisë e të politikës serbe, por kanë luftuar edhe kundër nazifashizmit (gjyshi i tij ishte partizan), ndërkohë që babai i tij, Isuf Tufa, antikomunist, është dënuar dhe burgosur në burgun e Spaçit, sepse nuk i ka shërbyer regjimit komunist, si të parët e Pëllumb Xhufit.

Në mungesë të kundërshtimit me argumente historikë, P.Xhufi e sulmon Agron Tufën “se ai gënjen si derri” (argument vulgar). Apo fyerjet ndaj studiuesit Kastriot Dervishi, të cilin e quan fshatar, etj. K. Dervishi punon vetëm me dokumentin arkivor, nuk flet ai, por flasin dokumentet, që boton K. Dervishi dhe që i djegin Pëllumb Xhufit. Ai thotë se ka konsultuar dokumentet amerikane të CIA-s për kampin e Tepelenës, të datës 29 maj 1953 dhe pohon publikisht: “Kampi i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë ndër kampet e tjera, kampi i Maliqit ka qenë shumë më i keq, e thonë dokumentet, ato që kam parë unë, amerikane…”

kampi i tepelenes skice

Së pari, historian Xhufi nuk e njeh fare historinë e kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist. Fakti që ai ngatërron kampin e internimit të Tepelenës me burgun e Maliqit, është sinjifikativ. Në Maliq ishte një burg me të burgosur politikë, që punonin për tharjen e kënetës, ashtu si burgu i Spaçit apo i Batrës, ku të burgosurit punonin për të nxjerrë bakër apo krom. Së dyti, detyra e historianit është të konsultojë e ballafaqojë disa burime. Xhufi ka zgjedhur vetëm një burim, atë që i intereson, ndonëse thotë se ka lexuar disa dokumente amerikane, mirëpo vetëm mbi një dokument abuzon për të nxjerrë dhe publikuar të pavërteta.

Ka dokumente të tjera, por ka edhe dhjetëra dëshmitarë, që kanë vuajtur dhe i kanë shpëtuar vdekjes, që kanë dëshmuar për ferrin e kampit të Tepelenës. (Lexo dëshmitë e ish-të internuarit në kampin e Tepelenës, Aziz Ndreu, botuar te “Zërat e Kujtesës”, apo “Kalvari tragjik i grave të internuara dhe të burgosura”, shkruar nga e internuara në kampin e Tepelenës, Fatbardha Saraçi, apo albumin “Në rrathët e Ferrit”- Botime të Institutit të studimeve të Krimeve të Komunizmit për kampin e Tepelenës etj., midis të cilave rrëfime tragjike për gratë e internuara në Tepelenë: Vera Dema, Kadrie Cami, Vashe Kola, Hyrie Dosti, Tefta Mesini,(Çapo) dhe dhjetëra grave e vajzave të tjera, që humbën prindërit dhe fëmijët në kampin famëkeq të Tepelenës).

Së treti, Xhufi thotë se në kampin e Tepelenës ishin internuarit e familjeve të diversantëve dhe kriminelëve të Veriut, ndërkohë që në atë kamp ishin të internuar edhe nga Jugu, një grup familjesh të deklasuara nga Dukati i Vlorës apo nga Konispoli etj. Xhufi justifikon internimin e familjeve për shkak të të arratisurve politikë, kundërshtarëve të regjimit, pra, justifikon ndëshkimin e të pafajshmëve, fëmijëve dhe grave, një krim makabër i regjimit komunist, që është në kundërshtim flagrant me të drejtat dhe liritë e njeriut; por Xhufi mohon edhe një të vërtetë, që në kampin e Tepelenës u internuan edhe familje që s’ishin lidhje me të arratisurit apo “diversantët”, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm, për të cilët historiani Xhufi nuk ndjen asnjë keqardhje humaniste dhe nuk thotë asnjë fjalë për vuajtjen e tyre absurde apo për pushtetin totalitar komunist, që i torturoi mizorisht.

Historianin Xhufi e shqetëson pa masë përpjekja për evidentimin e krimeve te komunizmit, siç rekomandon edhe Asambleja e Këshillit të Europës, e tërbon edhe projekti për ngritjen e një muzeu në vend të kampit të Tepelenës, projekt që e quan “antikombëtar, që demonizon qëndresën antifashiste, rehabiliton kolaboracionizmin dhe fashizmin, barazon Enverin me Hitlerin!?” Vetëm një i sëmurë mendor dhe psikik mund t’i thotë këto! Së katërti, po të lexosh raportet e tjera të CIA-s, por edhe dokumentet e tjerë të arkivave shqiptare e të huaja, rezulton se në kampin e Tepelenës janë përdorur metoda barbare dhe tortura çnjerëzore, të projektuara nga E.Hoxha dhe klika e tij kriminale.

Për dokumentin e CIA-s të vitit 1951, që jep zbuluar krimet e regjimit komunist në kampin e Tepelenës, Xhufi pretendon se ky dokument është përpiluar nga jugosllavët dhe e akuzon A.Tufën si prosllav (!?) dhe që përçan veriun me jugun (z. Xhufi, ishte regjimi komunist që i ndante dhe i përçante shqiptarët, apo janë nostalgjikët e Enver Hoxhës, ata që i përçajnë dhe lëndojnë edhe sot dhe jo Agron Tufa). Po japim për ilustrim një dokument tjetër për P.Xhufin dhe lexuesit: Raportin e Qeverisë amerikane, paraqitur në OKB në shkurt 1955, ku ndër të tjera thuhej për kampin e Tepelenës: “Gjon Pjetri, një djalë 12 vjeç nga Oroshi i Mirditës, i cili kaloi në Jugosllavi më 13 gusht 1951, është një prej banorëve të kampit të përqendrimit në Tepelenë, i cili ka dhënë një dëshmi grafike mbi jetën në kamp, ku ai qe internuar me gjithë familjen e tij…

Megjithëse fëmijë, ai i provoi në kamp të gjitha vështirësitë e një të rrituri. Ai tha se në kamp kish një mijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë, gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël bukë misri dhe një lloj supe, në të cilën rastësisht gjeje ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, se policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve, njoftoi fëmija.

Ai mbante mend me hollësi, një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga tuberkulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera. Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi, si zakonisht, ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, se pylli ishte 12 km larg kampit.

Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë, – tha fëmija; të afërmve e prindërve të tij nuk u lejuan të mungojnë një ditë nga puna për t’u kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet, që nuk mund të bënte diçka për atë. Një nga deklarimet e shumta të dhëna nga ish-banorët e kampit të përqendrimit të Tepelenës, është dhënë nga Mustafa Hoxha, një klerik mysliman, i cili qe internuar në këtë kamp më 1949 dhe që iku në Jugosllavi në fillim të vitit 1953. Në fillim, Hoxha u internua në kampin e Turanit në Tepelenë, ku kishte 2.800 burra, gra dhe fëmijë.

Jeta e kampit ishte e padurueshme, banorët merrnin nga 550 gramë bukë misri të papjekur mirë dhe asgjë tjetër. Ata hanin bar dhe kafshë të ngordhura. Kjo solli si rezultat përhapjen e një epidemie në kampe, 7-8 vdekje të përditshme, shumica fëmijë. Një nënë nga Elbasani, tha Hoxha, humbi 5 nga 6 fëmijët e vet brenda 6 muajve. Kur u çua kampi në Tepelenë, gjendja u bë më e keqe. Hoxha mori pjesë në funeralin e 318 myslimanëve dhe gjatë 20 muajve të internimit të tij në kamp, vdiqën 1.200.

Nëpunësit e kampit, një ditë, vendosën të heqin varrezat nga një fushë afër kampit për tek ura e Bençës. Sipas kësaj, banorët, burra e gra, u detyruan të gërmojnë varret e atyre që sapo ishin varrosur dhe t’i rivarrosnin në vendin e ri. Ky veprim i dha shkas hapjes së një epidemie të re dhe shkalla e vdekjes në kamp u rrit. Kushtet e punës në kamp ishin tmerruese, njofton Hoxha. Shumë banorë, pavarësisht nga kushtet ndërmjet tyre, duhet të mbanin në kurriz gjysmë metër kub dru nga një pyll 5-6 kilometra larg nga kampi.

Të tjerët, po nga ajo distancë, mbanin material për 70 shtylla për tek ura e Bençës. Nëpunësit e kampit ishin të pamëshirshëm në detyrimin e banorëve, të përballonin punën prej skllavi. Dënimi kundër të pabindurve ishte i egër. Dënimi më i zakonshëm ishte lidhje e individit me tel të fortë, derisa t’i takonte kockat dhe pastaj mbyllej në një qeli për një kohë të pacaktuar. Praktikisht nuk kishte parashikime për kujdesin mjekësor në kamp, një doktor vizitonte kampin vetëm me intervale të largëta dhe banorët nuk guxonin të kërkonin kujdes mjekësor, nga frika e reprezaljeve.

Ata që dërgoheshin në spitalin e Gjirokastrës, kurrë nuk ktheheshin, zhdukeshin, një dëshmi tjetër mbi kushtet në kampin e Tepelenës qe dhënë nga Gjyste Ndoci, një grua e re shqiptare. Sipas saj, ajo së bashku me fëmijët, Zefi 9 vjeç, Deda 6 dhe Lulja 5 vjeç, ishin arrestuar pas dezertimit nga ushtria të burrit të saj. Në kundërshtim me faktin se ajo ishte shtatzënë, policia e trajtoi brutalisht në zyrën e Sigurimit të Koplikut. Më vonë, ajo dhe fëmijët e saj u çuan në kampit e përqendrimit në Tepelenë.

Atje, ajo dhe fëmijët e saj, u mbyllën në një barakë të madhe dhe të pistë, ku shumë banorë vuanin nga sëmundje të ndryshme. Ajo qe e detyruar të punonte pa marrë parasysh kushtet e saj fizike. Pas tre muajsh lindi një djalë në barakë, fëmijë i cili vdiq pas 6 muajsh për shkak të pakujdesshmërisë dhe sëmundjeve. 3 ditë pas vdekjes së fëmijës, ajo dhe fëmijët e saj u urdhëruan të shkojnë në këmbë në një kamp tjetër në Gjirokastër.

Rrugës, djali i saj, Dedë, vdiq dhe vetë asaj i duhej të hapte varrin në anë të rrugës, ndërsa policët që e shoqëronin, e çnderuan. 4 ditë pas arritjes së saj në kampin e ri, djali më i madh, Zefi, vdiq gjithashtu nga sëmundja. Abedin Zeqiri, që ishte një banues i kampit të përqendrimit, para se të arratisej në Jugosllavi më 1952, njoftonte se Xhafer Pogaçe, drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat e bukura që banonin aty. Policët që shërbenin në kamp kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp. Regjimi i sotëm shqiptar, krijoi sistemin e kampeve të përqendrimit menjëherë sa mori pushtetin në fund të 1944-s…

Si rregull, njerëzit nga veriu dërgohen në kampe në jug, sidomos në Tepelenë, Himarë (Porto Palermo), Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e jugut internohen në Krujë, Burrel, Kamëz, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në veri. Aty nga 15 shtatori 1947, ish-kryeministri Enver Hoxha pranoi qenien e kampeve të përqendrimit. Në një fjalim të madh të mbajtur në Shkodër, ai deklaroi se elementët kundërshtarë ishin të internuar në kampe të tilla. Nga fundi i 1949-s, pas vrasjes së Bardhok Bibës, ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, ndërmori një varg të madh internimesh. Në një ekspeditë ndëshkimore, në këtë krahinë ai hoqi rreth 400 veta nga krahina për në kampet e jugut”. (AQSh, Fondi 14, Dosja 176 Strukturë, viti 1955). Po e mbyllim me fjalët e profesor Sami Repishtit nga ShBA: “Në lidhje me Pëllumb Xhufin dhe deklaratat e tij, unë mendoj se ai asht nji figurë tragjike, simbol i mendjeve të mbylluna, i paaftë me dalë jashtë rrethit vicioz, ku e ka hedhë fanatizmi i tij, rezultat i indoktrinimit në shoqëni dhe në familje”.

(Titulli i autorit: HISTORIANI XHUFI DHE KAMPI I PËRQËNDRIMIT TË TEPELENËS).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura