Debati për Parashqevinë, Ngjela: Sigurimi nuk të shtrëngonte për seks

Sep 1, 2015 | 11:05
SHPËRNDAJE

Nga koha e diktaturës mban si kujtim të hidhur burgun. Por për avokat Spartak Ngjelën, Shqipëria mund të kishte qenë një Kamboxhia e dytë, nëse nuk do të kishin ekzistuar artistët e kohës me talentin apo dhe bukurinë e tyre.

ngjelaNuk mund të qëndronte jashtë diskutimit publik të hapur nga kantautori Gjergj Leka, për këngëtaret e privilegjuara të sistemit, në saje të aferave seksuale me pushtetarët e kohës. Si për t’i hedhur ujë zjarrit të ndezur në media, Ngjela në këtë reflektim jep opinionin e tij për Lindita Theodhorin, Parashqevi Simakun e të tjerë emra të kohës, si dhe për vetë Lekën:

Si ju tingëlloi ajo dëshmi e kantautorit Gjergj Leka për të kaluarën e këngëtareve me emër, si Lindita Theodhori dhe Parashqevi Simaku?
Më la shije shumë të keqe. Jemi shoqëri kompleksive ende. Sidomos artistët e kohës së vjetër janë ende të paemancipuar për erotikën. Frojdi na ka thënë se arti është erotikë e kamufluar. Këtu dëgjojmë rrëfime meshkujsh. Po sikur të flasin femrat? Pastaj, si mund të analizohet diktatura me anë të seksit, aq më keq talenti?!

Fjalët e tij krijuan reaksion të madh në publik. U çuditët nga ky debat mediatik dhe reagimet kundër?
Ju thoni debat. Ku ka debat për jetën seksuale, apo për dashurinë në një qytetërim? Por ne ende s’kemi dalë nga otomanizmi dhe poligamia orientale. Gjithsesi, brezi i ri po ndryshon optikën erotike në Shqipëri.

Sa mirë i njihnit ju artistët, cilët prej tyre kishit miq të afërt?
Nuk kam pasur njohje me to. Por kisha miqësi me të gjithë ata që e kuptoja se ishin kundër regjimit, shpreheshin ose jo, dhe që kishin talent, si: Skënder Luarasi, Leka Bungo, Pëllumb Kulla, Edison Gjergo, Skënder Kamberi.

Sipas Lekës, këto këngëtare ishin të privilegjuara, sepse mbështeteshin nga Sigurimi. Kështu funksiononte atëherë ngjitja në karrierë?
Nuk ka funksionuar kështu. Këto janë amplifikime. Me dëshirë artistët dhe artistet kanë bërë si kudo. Për sa i përket “shtrëngimit policor të seksit”, ai nuk ka ekzistuar në sistem. Raste sporadike mund të ketë pasur, por me personat publikë femra, ishte pamundësi absolute të ndodhte. Dashuria në qarqet artistike në diktaturën hoxhiste ishte pjesa më e emancipuar e erotikës në një diktaturë orientale shqiptare që ishte kundër saj.

Si ndodhte dashuria në qarqet e larta në ato vite?
Për sa i përket dashurisë në qarqet e larta me pushtetarë, ajo ndodh edhe sot dhe në të gjithë botën. Femra e bukur tenton nga pushteti, por kjo s’ka të bëjë me diktaturën si nocion politik dhe as me shtrëngimin policor. Kjo është natyrë femërore që ka përshkuar të gjithë qytetërimin tonë, që nga Greqia e lashtë e deri sot. Dhe hyn thellësisht në jetën private të femrës e mbrohet nga të drejtat e njeriut sot.

Personalisht çfarë përshtypjeje kishit për Lindita Theodhorin dhe Parashqevi Simakun, dy këngëtaret e përmendura nga Leka?
Ato ishin femra të veçanta, dhe me sens progresist, në atë tmerr që kishte pushtuar muzikën shqiptare nga histeria antiperëndimore që kishte regjimi. Si të gjitha këngëtaret sot, nuk besoj se mund të jenë shtrënguar që të bënin dashuri me zor. Kjo nuk mund të ndodhte. Sigurimi i shtetit kërcënonte këdo, por nuk ka pasur mundësi të dominoje seksualisht në femrat publike…

Ju kë preferonit nga të dyja, dhe si do t’i përshkruanit personalitetet e tyre sot? Ato ishin këngëtare të talentuara, dhe sigurisht që i takonin të bukurës, talentit, dhe ndiqeshin nga syri ciklopik i regjimit apo i shëmtimit shqiptar. Dhe ato të dyja, sikundër edhe të tjera si ato, dhanë maksimumin në këngën shqiptare. Kënduan në një jetë të trishtë, dhe me talent. Kjo nuk është pak. Kjo jetë është fenomen estetik, dhe ato, me talentin e tyre, e kanë shtyrë disi atë shëmtim tërësor që kishte pushtuar me dhunë shoqërinë shqiptare. Kështu i arsyetoj unë, dhe jam i bindur për këtë. Komunizmi ishte në luftë të hapur me talentin artistik kudo, por mos harroni se edhe shkallmimin e Kremlinit, një talent i madh si Sollzhenicini e dërrmoi. Duhen respektuar talentet. Talenti dhe kënga e bukur nuk njeh kohë, dhe aq më pak politikë. Talenti i lartë ka qenë i persekutuar në Shqipërinë komuniste, aq sa është bërë me frikë dhe sakrificë për të bukurën.

Të bukurat apo të talentuarat, cilat ishin të persekutuarat?
Ende nuk është bërë një analizë e saktë për tmerrin që kanë kaluar këngëtarët e talentuar në diktaturën hoxhiste në Shqipëri. Talenti i lartë, në inkoshientin politik të kohës, apriori quhej kundër regjimit. Një regjim politik i shëmtuar, kishte shumë frikë nga e bukura. Prandaj e bukura reale ishte e persekutuar në Shqipëri.

Gjergj Leka fliste në intervistën e tij dhe për orgji në rangjet e larta. Ekzistonte ky term në atë kohë?
Nuk di çfarë të them për një gjë që s’e di. Orgjia është e vjetër si fenomen, dhe nuk është fare fenomen politik. Sot ajo në qytetërimin e lartë quhet zgjedhje seksuale. Nuk ka sens që të trajtohet si një fenomen komunist. Sot të identifikon ose mendja, ose talenti, ose profesioni. Të tjerave iu ka kaluar koha. Komunistët mendonin se ishin pronarë të moralit, sepse donin të sundonin me çdo mjet. Prandaj në Shqipëri kanë ndodhur e do të ndodhin të gjitha ato elemente erotike apo të kënaqësisë seksuale që ndodhin dhe pranohen në Perëndim.

Nëse do të bënit listën e artisteve vërtet të mira, cilat do të përfshinit në të?
Ka pasur disa që kanë qenë në rang botëror. Sidomos aktore si: Tinka Kurti, Violeta Manushi, Margarita Xhepa. Këngëtare lirike veçoj: Maria Kraja, Nina Mula, Fitore Mamaqi. Këngëtare si Vaçe Zela që mund të këndonte gjithçka dhe kudo. Ka edhe të tjera me klas në talentin dhe performancën e tyre. Talenti i tyre e i shumë të tillave ka bërë që ne të mos ishim një Kamboxhia e dytë. Këtë mos e harroni!

Bëheshin thashetheme për këngëtaret dhe për cilat prej tyre më shumë?
Jo. Unë nuk kam dëgjuar. Të talentuarit ishin të survejuar, të patalentuarit sundonin bashkë me partinë. Ishte ajo që ju thashë më lart. I talentuari prezumohej armik. Ishte talenti që e vendoste kundër regjimit. Një kritik shqiptar që jetonte në USA tha për “Gjeneralin” e Kadaresë: “Fakti që ky roman ka vlerë artistike, është kundër regjimit”. Ky është një gjykim absolut, sepse ajo ishte kohë e shëmtuar, e formuar nga një regjim i shëmtuar.

Për Gjergj Lekën çfarë përshtypjeje keni pasur atëherë dhe tani?
Nuk kam pasur ndonjë mendim të veçantë. Më dukej i talentuar si i ri, dhe kaq. Sot, mendoj se gaboi që u largua nga burimi për rreth 20 vjet. Ma ka pranuar edhe vetë këtë gabim. Koha e përmbysjeve në funksion të lirisë, sidomos në art, të kërkon të jesh prezent. Ajo ikën me një temp që nuk kapet më. Ajo në fakt është koha jote, por ti nuk e di dhe e ke lënë të të ikë.
KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura