Debati për marrëveshjen e aeroportit, Bode: Nuk ul tarifat

May 5, 2016 | 8:19
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje marrëveshjen me rishikimin e kontratës të koncesionarit të Rinasit. Miratimi i draftit u shoqërua përsëri me debate, pasi opozita ngriti shqetësimin se kontrata nuk sjell ulje të çmimit të biletave.

ahmetaj haxhinastoDeputeti i opozitës, Ridvan Bode, tha se qeveria nuk ka negociuar tarifat e shërbimit të koncesionarit, që do të reflektonin ulje të çmimit. Ai ngriti shqetësimin se nga shtyrja e kontratës, shteti humbet 60 milionë euro të ardhura.

“Aty operojnë 10 kompani fluturimi dhe të 10-ta i kanë çmimet e larta. A keni pyetur për çfarë? Pikërisht se lidhet me tarifat e koncesionarit dhe ta kanë thënë publikisht, ne jemi të gatshëm, por duhet të rishikohen tarifat e koncesionit. Që ato të ulen, duhet të ndryshohet kostoja, sepse çmimet në treg nuk caktohen në boshllëk dhe në absurd. Qeveria që bën këtë propozim sot, merr përsipër që të falë 60 milionë, 80 milionë, 100 milionë euro nga buxheti i shtetit, janë të ardhura nga buxheti i shtetit që mungojnë në 4 vitet e fundit të koncesionit”, u shpreh Bode.

Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se ulja e çmimit do të vijë me liberalizimin e tregut, çka do të reflektohet me heqjen e monopolit. Ahmetaj tha se buxheti nuk humbet nga shtyrja e kontratës, pasi fija koncesionare vazhdon të paguhet.

“Rrëzojmë ekskluzivitetin, atë po bëjmë sot. Duke hequr monopolin, liberalizohet tregu. Në momentin që krijohen kushtet e konkurrencës për aeroportet e reja, të jeni të bindur që çmimi i biletave do të bjerë me patjetër. Dëmi i buxhetit do të ishte në rast se nuk do të merrnin fijan koncesionare dhe ajo do të vazhdojë të paguhet normalisht në buxhet. Interesi publik nuk është prekur”, u shpreh Ahmetaj.

Opozita ngriti edhe shqetësimin e shitjes së aksioneve të koncesionarit te kompania kineze, për të cilën ministri i Transporteve, Haxhinasto, sqaroi se vendimi për transfertën e aksioneve ka si detyrim ligjor marrjen e miratimit nga Ministria.

DEBATI NE KOMISION

Ridvan Bode: Aeroporti është i hapur për të gjitha llojet e kompanive, aty operojnë 10 kompani fluturimi dhe të 10-ta i kanë çmimet e larta. A keni pyetur për çfarë? Pikërisht se lidhet me tarifat e koncesionarit dhe ta kanë thënë publikisht, ne jemi të gatshëm, por duhet të rishikohen tarifat e koncesionit. Që ato të ulen, duhet të ndryshohet kostoja, sepse çmimet në treg nuk caktohen në boshllëk dhe në absurd. Dalin kosto dhe mbi kostot pastaj futesh në konkurrencë, por deri në mbulimin e kostove, sigurisht që janë të detyrueshme për t’i parë.

Arben Ahmetaj: Me të drejtë thoni se janë tarifat e koncesionarit, por a mund të negociohen me dhunë ato nga një Qeveri në një botë të lirë. I vetmi instrument i drejtpërdrejtë është konkurrenca dhe indirekti negociata. Rrëzojmë ekskluzivitetin, atë që po bëjmë sot dhe furnizojmë interesat, diku të maturuara dhe jo të maturuara të shumë investitorëve që duan të ndërtojnë aeroport. Interesi publik nuk është prekur.

Ridvan Bode: E vërteta është që interesi publik në këtë çështje është zero. Qeveria që bën këtë propozim sot, merr përsipër që të falë 60 milionë, 80 milionë, 100 milionë euro nga buxheti i shtetit, janë të ardhura nga buxheti i shtetit që mungojnë në 4 vitet e fundit të koncesionit, që do të përfundojë në 2025-n, por mund të përfundojë deri në vitin 2030 dhe të ardhurat nuk do të derdhen në buxhetin e shtetit, por do të jetë pronë e investitorit. Pra humbet buxheti, meqë ministri i Financave nuk e di ku është humbja.

Arben Ahmetaj: Dëmi i buxhetit do të ishte në rast se nuk do të merrnin fijan koncesionare dhe ajo do të vazhdojë të paguhet normalisht në buxhet. Kur të hapen aeroporte të reja, fija koncesionare do të transferohet edhe ajo në buxhet. Interesi publik nuk është prekur.

Edmond Haxhinasto: Nuk është aspak e vërtetë ajo që u tha këtu, se shtesa prej 2 vjetësh ka të bëjë me ardhjen e një investitori kinez. Negociatat kanë filluar në vitin 2014 dhe e kam thënë publikisht: pasi kishim arritur në formulën e marrëveshjes, kanë bërë një vizitë investitorët potencialë, të cilët nuk kishin marrë vendim. Dhe për ta bërë transfertën e aksioneve, ka një detyrim ligjor që të merret miratimi me shkrim nga Ministria e Transporteve.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura