Debati për Luftën, Agron Tufa hedh në gjyq Brahon për krime ndaj njerëzimit

Apr 17, 2019 | 18:50
SHPËRNDAJE

Pas ditësh të tëra akuzash e kundërakuzash me tone të forta, kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka hedhur në gjyq deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, me akuzën: “Për krime ndaj njerëzimit”.

tufa-braho

Pasi kishte postuar një intervistë të dhënë disa ditë më parë mbi këtë çështje, Tufa shkruan se: “Kjo është e fundit që i përgjigjem ‘Çantës së zezë’. Nga ky moment, unë ‘i flak dorezat’…”.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, Tufa nuk ka dashur të shprehet më për këtë çështje, por mësohet se ai i është drejtuar një studioje ligjore, për ta kaluar këtë debat në distancë me Brahon, në kanale ligjore. Dhe nuk bëhet fjalë për “shpifje” apo “prishje të imazhit publik”, por për një akuzë shumë më të rëndë, “për krime kundër njerëzimit”. Debati ka nisur kur Spartak Braho, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kërkoi në Kuvend shkarkimin e Tufës.

Braho akuzoi Tufën dhe institucionin që ai drejton se po nxijnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe se janë kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Por ky reagim i tij me sa duket ka ardhur për shkak të një botimi të ISKK, i cili në të vërtetë ka dalë në qarkullim 5 vjet më parë. Bëhet fjalë për librin e Çelo Hoxhës, “Krimet e komunistëve”.

Në këtë libër, Hoxha bën përgjegjës të gjithë drejtuesit e formacioneve partizane për krimet e luftës. “Anëtarët e KQ të PKSH-së dhe anëtarët e Shtabit të përgjithshëm kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ata kanë qenë duke iu referuar ligjit nr.41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar (forcat partizane) në vepra kriminale”.

libri

Drejtuesit e qarkorëve të PKSHsë dhe formacioneve të ndryshme partizane kanë përgjegjësinë e tyre, sipas hierarkisë dhe në varësi të rolit të luajtur në ngjarje të caktuara. Përgjegjësia është individuale, por si bashkëpunëtorë në krim, persona që kanë pasur dijeni për një krim ose për moskallëzim krimi, mund të fajësohen të gjithë partizanët pjesëmarrës në ngjarje”, shkruhet ndër të tjera në këtë libër.

DEBATI

“Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte, unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij. Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar, duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligjin që kemi miratuar”, u shpreh deputeti i PS-së, Spartak Braho, gjatë një seance në Kuvendin e Shqipërisë.

Nuk ka vonuar përgjigja e kreut të ISKK, sipas së cilit Braho “ka në dorë vetëm të kërcënojë e shantazhojë, të derdhë vrer dhe, pikërisht, për këtë është i rrezikshëm, paraqet rrezikshmëri të lartë sociale. Ndihemi të pambrojtur, ndaj ftoj organet e drejtësisë të merren seriozisht me të, para se të ndodhë, mos e dhëntë Zoti, ndonjë tragjedi”.

Debati arriti pikën kulmore, kur Tufa publikon dokumentin për vendimet e dhëna nga Braho gjatë periudhës së komunizmit: “Gjyqtari i Kolegjit Ushtarak të PPSH, sot deputeti Spartak Braho, që kanoset nga salla e Kuvendit pluralist për prerje kokash, ka dhënë dhe dënime kapitale me vdekje. Në dokumentin e mëposhtëm, (një nga disa dënime me vdekje qe ka dhënë deputeti Braho kur ushtronte drejtësinë enveriste), shihet qarte se sa i politizuar behej akti i dënimit (jopolitik) me vdekje”, shkruan Tufa bashkangjitur këtij dokumenti.

Kjo, si duket, akordohet ne një linjë nxirjeje të të dënuarit me vdekje, i cili, si person, sipas Brahos: a) nuk është i denjë për të jetuar, si i rrezikshëm; b) nuk është i denjë për keqardhje e mëshirë, se vjen nga familje e deklasuar që ka ‘strehuar kriminelë’ me 1948 dhe ka te dënuar politikë, d.m.th., familje antikomuniste”.

Nga ana tjetër, Braho ka vazhduar replikën duke e quajtur “vrasës me pagesë” atë dhe Gazmend Kapllanin. “Vrasës me pagesë janë. Pa thonjëza. Pavarësisht se ata nuk e përdorin koburen, pasi u është lagur baruti me kohë e me vakt. Po ata luajnë rolin e vrasësve me pagesë, falë kësaj lirie që kanë fituar. Dhe ky është një abuzivizëm me brirë…”, është shprehur ai.

Periudha e studimit, ligji: Përpara 1944-ës

I gjithë meraku i deputetit Braho duket se është Lufta Antifashiste dhe libri i Çelo Hoxhës, “Krimet e komunistëve”. “Kjo boja e zezë e Tufës kundër historisë sonë antifashiste, është si ajo boja e zezë që hodhën pardje banditët e Saliut në muret e Kryeministrisë. Ka një paralele të frikshme midis të dy gjesteve. Ca shkruajnë me bojë të zezë, ca që s’dinë të shkruajnë e hedhin nëpër mure. Të dyja palët i bashkon një nyje: shpirti fashist.Braho i ka quajtur botimet e ISKK “antiligjore”. “Emërtimi i këtij instituti me ligj është: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Pra, ka një veprimtari të përcaktuar qartë në kohë: 1945-1990. Ndërsa titulli i librit të botuar nga ky institut, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga i cili botuam pardje 265 emra si ‘kriminelë’ është ky ‘Krimet e komunistëve gjatë Luftës 1941-1945’. Ç’do ky institut me Luftën? A nuk është kjo antiligjore dhe e dënueshme?”, është shprehur ai në një intervistë për gazetën “Dita”.

Por në ligjin që përmend Braho, në nenin 3/a) ‘përkufizime’ shprehet qarqe që periudha e komunizmit llogaritet përpara datës së çlirimit. “’Periudha e komunizmit’ është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”, shkruhet në ligj. Pra, përkundër asaj që pretendon Braho, ISKK e ka të përcaktuar në ligj periudhën studimore, e cila shtrihet edhe përpara 29 nëntorit 1944.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura