Debati për ligjin në Kuvend, opozita: Po rishpronësoni pronarët

Nov 28, 2015 | 8:44
SHPËRNDAJE

Projektligji i qeverisë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kompensimit të pronave ka përplasur dje maxhorancën dhe opozitën. Pakica e ka quajtur nismën e qeverisë si rishpronësim të së drejtës, pasi, sipas tyre, ata nuk do të marrin truallin që kanë pasur, por do të shpronësohen me çmimin e pronës kur ajo është sekuestruar nga ish-shteti komunist.

komision-ligjesh1Gjatë debatit, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka theksuar se nuk do të bëhet kompensimi 100% për pronarët, por atyre do t’u jepet një kompensim i drejtë. “Gjykatat Kushtetuese kanë folur për një kompensim të drejtë, të arsyeshëm. Asnjëherë për shpërblim të plotë, apo kthim të plotë. Standardi që, kur është e mundur të kthehet fizikisht, e ruan dhe ky ligj”, tha dje Manjani.

Por për nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, qeveria duhet t’ua kthejë pronën njëherë pronarëve dhe t’i kompensojë me çmimet e vitit ’45. “Kjo qeveri ka vendosur që ta mbyllë historinë e pronës me sa më pak lekë, t’u thotë njerëzve: ju dhashë kaq, tani mbylleni gojën, këputni qafën!”, tha Bylykbashi.

DEBATET PËR LIGJIN E PRONAVE

Oerd Bylykbashi: Kjo qeveri ka vendosur që ta mbyllë historinë e pronës me sa më pak lekë, t’u thotë njerëzve: ju dhashë kaq, tani mbylleni gojën, këputni qafën!… Nëse nuk keni qenë të drejtë në mënyrën e kompensimit, nuk do të thotë që tani të bëjmë cirk mbi këtë që na ka kritikuar Gjykata e të Drejtave të Njeriut, dhe të kthejmë në “kompensim”. Nuk mund të thoni që unë të marr ty 10 mijë metra dhe të kthej ty 1 mijë metra, dhe është e njëjta pronë… Mos bëni piruete me fjalë, sepse me ligj po e shkatërroni pronën. Pronën ua keni marrë shqiptarëve dhe nuk doni t’ua ktheni sot.

Fatmir Xhafaj: Pasi e thatë ju, e morën vesh shqiptarët…

Oerd Bylykbashi: Të marrim një rast, zonjës Hysi i kanë sekuestruar më 29 nëntor në vitin 1944 një shtëpi me 3 dhoma. Meqë vlente 100 mijë lekë atëherë dhe sot 100 mijë lekëshi bën vetëm një dhomë, i kthejmë vetëm dhomën, dy dhomat e tjera i merr shteti. Ky është kompensimi. Ai që ka, le t’i mbajë dhe t’i gëzojë, kurse ju thoni kush ka shumë, t’ia marrim. Tatim i jashtëzakonshëm. Akoma me filmin “Ballë për ballë” jeni ju… Ajo që s’të duhet ty, thesin me grurë, do ta marrim ne. Prona kthehet e tëra. Jo të na thoni që po zgjidhim problemin e pronarëve, ju doni të zgjidhni problemin e buxhetit të shtetit.

Fatmir Xhafaj: Aq sa e zgjidhet ju në 8 vite… Dhe shikoni sot.

Oerd Bylykbashi: Ne marrim përgjegjësinë për atë, por ju nuk keni të drejtë të bini nën nivelin tonë.

Fatmir Xhafaj: Po më parë u thoni më fal pronarëve, pastaj hajde dhe në jepni leksion…

Oerd Bylykbashi: Ore nuk u them unë më fal për juve që ia keni marrë pronën.

Fatmir Xhafaj: Dakord more, por u thoni më fal për ato që s’bëtë në 8 vjet. Në 8 vjet, ju i shkatërruat ata.

Oerd Bylykbashi: Ju duhet të rrinit mbi nivelin e eficiencës tonë, por të bini nën të, kjo është e papranueshme. Gjykata Kushtetuese, për rastin e banesave me ish-pronarë, ka kërkuar që ajo t’i kthehet pronarit me vlerën aktuale të tregut. Pra, ju po bëni të kundërtën e Gjykatës Kushtetuese. Ju po ua merrni pronën ish-pronarëve dhe do t’u ktheni çfarë mendoni ju se është e vlefshme.

Ylli Manjani: I lëmë pronarët e ’45-s dhe marrim pronarët e sotshëm, që gëzojnë një titull pronësie dhe shteti, për arsye të nevojave publike, i shpronëson duke iu referuar hartës së vlerës. Pra, duke u marrë me historinë e ‘45-s, ndërkohë që jemi duke shpronësuar sot e gjithë vitin. Nuk ka asnjë kuptim që të përdorim një hartë për pronarët dhe një hartë për ish-pronarët. Dhe, prandaj, po themi të vijmë një standard unik. Dhe gjykatat Kushtetuese kanë folur për një kompensim të drejtë, të arsyeshëm. Asnjëherë për shpërblim të plotë, apo kthim të plotë. Standardi që, kur është e mundur të kthehet fizikisht, e ruan dhe ky ligj. Nuk e prek. Kjo është në emër të interesit publik, por pa i dëmtuar ish-pronarët. Sepse, qartësisht, 1 metër katror në ’45-n, po i njëjti metër katror sot, nuk ka të njëjtën vlerë. Patjetër që jo. Në qoftë se doni ta shikojmë në kushte laboratorike juridike, ky diskutim nuk mbaron.

Fatmir Xhafaj: Unë bie dakord në logjikën që ta kursejmë retorikën që nuk i shërben thelbit dhe konstruktivitetit për ligjin.

Oerd Bylykbashi: Me këtë që po bëni, po rishpronësoni pronarët, dhe do t’i jepni shtetit pronën tepricë, dhe do t’ua shpërndajë të tjerëve. Kush është ky shtet që bën rishpërndarje prone. Vazhdojeni kështu se ndoshta ju dalin llogaritë. Dakord jam me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ti përpara ktheja pronën, pastaj shpronësoja në mënyrë të drejtë. Për interesin publik, por më parë bëji pronarë sot. Jepua pronën. (Opozita largohet nga salla, ligji miratohet vetëm nga maxhoranca)

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura