Debati për Butrintin/ Tabaku-Ramës: Të intereson leja për fshatin turistik në parkun kombëtar ndaj e mbron

May 23, 2022 | 21:58
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka replikuar me kryeministrin Rama gjatë seancës plenare këtë të hënë, ku diskutohej për Parkun e Butrintit.

joridatabaku

Në fjalën e saj Tabaku theksoi se kreut të qeverisë i intereson leja për fshatin turistik në parkun e Butrintit ndaj dhe e mbron atë.

Tabaku shtoi gjithashtu se kryeministri po përdor teknikën e kamuflazhit duke e hedhur fajin aty ku nuk duhet të jetë, pasi askush nga PD nuk ka sulmuar Fondin Amerikan dhe drejtuesin Michael Granof.

Fjala e Jorida Tabakut

Teknika e kamuflazhit, e hedhjes së fajit aty ku nuk duhet të jetë ndodhi edhe sot si në thuajse çdo seancë parlamentare.

Askush nga PD nuk ka sulmuar Fondin Amerikan dhe Granof, askush. Por nëse ai e ka përdorur Fondin Amerikan në rastin e kësaj marrëveshje është problem I tij.

Sot, Rama foli për gjithçka përpos se për Butrintin. Foli për Fondin Amerikan si ne gjoja e sulmojmë por jo për Butrintin. Nëse kishte diçka sot për të diskutuar ishte ajo e dhënies së një vendimi si investitor strategjik një kompanie për të ndërtuar në Parkun e Butrintit.

Iu dha të njëjtës kompani që aplikoi në dhjetor 2020 nga drejtoria që është në varësinë e ish ministres Kumbaro. Ajo drejtori I tha që nuk japim leje se është zonë e mbrojtur.

Në shkurt 2021, ky vendim ndryshoi dhe morri lejen për të ndërtuar një investim strategjik. Tani bëni llogaritë, nga 21 investime strategjike që janë dhënë 4 prej tyre janë në zona të mbrojtura.

Sot ky parlament duhet të kishte një debat se përse zonat e mbrojtura jepen për investimet strategjike. E thashë më herët, aeroporti I Vlorës është leje e dhënë në një zonë të mbrojtur. Sot ky parlament duhet të diskutonte pse dosja e Butrintit u mbajt sekrete? Përse e krijuan këtë paqartësi tek qytetarët? Përse dosja e Butrintit pati probleme për t’u bërë publike?

Nuk tha asnjë fjalë! U sulmua opozita që e ka fajin për të këqijat që ndodhin në këtë vend përpos Butrintit.

E kemi kundërshtuar projektin e stadiumit kombëtar sepse prishte një pjesë të peizazhit ikonë të Tiranës, mbase jam nostalgjike por ndjej trishtim kur prishen objekte dhe institute identitare të këtij qyteti.

Teatri është gropë sot pas 2 vitesh dhe nuk ka një të tillë, edhe stadium që zhvillohet një ndeshje e disa prej nesh do shkojnë por nuk e heq faktin se si u prish. Në shkelje të ligjit. U shemb një ndërtesë identitare e këtij qyteti.

Ne duhet të ishim në diskutim në lidhje me kërkesën për Komisionin e Posaçëm të investimeve strategjike. Ky duhet të qe diskutimi sot. Pse investitorët e Ramës pa sjellë asnjë të ardhur shtesë, pa punësime quhen strategjikë? Përse jepen këto vendime për disa investitorë që nuk janë të tillë?!

Që të eliminojmë çdo konfuzion, askush nga ne nuk mbron dot aferat korruptive siç I del ky. I ka dalë teatrit dhe shembjes së tij, I ka dalë inceneratorëve dhe tani I del Butrintit dhe jo se I intereson Fondi Amerikan I Zhvillimit por leja e Investitorit Strategjik

Kjo është një parodi e jashtëzakonshme. Foli për çdo gjë, deri Gerardo Bosio përmendi vetëm për Butrintin nuk foli.

Në fakt, çfarë kanë të përbashkët Investimet Strategjike me Butrintin? Do e zbulojmë po të ngresh Komisionin e Posaçëm për Investitorët Strategjikë që kemi kërkuar, mos e pengo dhe do e shohësh se çfarë lidhje kanë këto vendime me zonat e mbrojtura.

Bëjmë transparencë për të gjitha për çdo leje që është dhënë.

Për më shumë, të gjithë e kemi parë dhe lexuar një shkrim investigative të ditëve të fundit nga BIRN, foli për një projekt të titulluar “Jonian Heaven” që do të ndërtohet mu në brinjë të një zone që është park arkeologjik dhe park kombëtar. Është një projekt që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e ka kundërshtuar fort, pak njerëz që mbeten në administratë publike e kanë kundërshtuar.

Kurse përfaqësuesit e qeverisë thonë që nuk është pjesë e zonave të mbrojtura. Kë shtet të besojmë? AKZM apo qeverinë që mohon?

Por, të kthehemi tek estetika, nuk po bëjmë bisedë që ne e pëlqejmë të bukurën apo jo. Po bëjmë një diskutim nëse ne jemi për shkeljen e ligjit apo jo?

Ndiq rrugën ligjore për të miratuar dhe vazhduar një projekt.

Përse nuk e mirëmbajtje teatrin kombëtar? Përse nuk e restaurove atë? Përse nuk e mirëmbajtje stadiumin? Përse nuk e rindërtove siç qe plani stadiumin.

Do të dish çfarë lidhje ka Butrinti me Investitorët Strategjikë? Hap Komisionin e Posaçëm dhe do të ta tregojmë se çfarë lidhje kanë investimet strategjike me 4 zona të mbrojtura dhe do ta marrin vesh të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura