Dialogu me tone kërcënuese/ Debati para takimit me Ramën, si e bindi Ruçi opozitën parlamentare të mos e braktiste Kuvendin

Jun 22, 2020 | 10:25
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Kuvendi i Shqipërisë mund të ishte përballur sërish me një situatë bojkoti. Ky ka qenë paralajmërimi që lëshuan krerët e tri grupeve parlamentare opozitare, Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në datën 10 qershor.

pjimage

Në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes zbulohet dialogu me tone kërcënuese nga të tre opozitarët, Murrizi, Musai dhe Stojku, drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla.

Në fillim, Murrizi dhe më pas dy opozitarët e tjerë ishin të qartë në mbledhjen se Reforma duhet të kalojë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën, pasi Këshilli Politik i krijuar në janar është një organ i jashtëligjshëm dhe nuk mund të merret për bazë.

Ai kërkonte që të bëhej sa më shpejt takimi me Kryeministrin Rama, në të kundërt, ai bashkë me 29 deputetët e tjerë që kishin firmosur do të bojkotonin mbledhjet e komisioneve të Parlamentit, si dhe Konferencën e Kryetarëve.

Më i ashpër nga të tre opozitarët ishte Edomond Stojku, i cili, Këshillin Politik, ku merr pjesa edhe opozita e bashkuar, e krahasoi me një kongres të sovjetëve dhe nëse maxhoranca do ta nënçmojë rolin e deputetëve në Kuvend, atëherë le t’i kërkojnë votat po në atë kongres, pasi ata nuk do ta ngrinin kartonin jeshil në seancën plenare.

Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij u shpreh mirëkuptues me kërkesat që kishin opozitarët, teksa siguroi se votimi i Reformës do të kalojë përmes komisionit në Kuvend, ku nevojitet konsensusi. Gjithashtu, ai i siguroi ata se do të priteshin në takim nga Kryeministri Rama po atë ditë, pasi kishte marrë garanci.

DEBATI I PLOTË:

Myslim Murrizi: Jam njohur me të gjithë rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, por përpara se të kaloj në diskutimet konkrete për rendin e përcaktuar, në emër të Grupit Parlamentar Demokrat kërkoj nga kjo Konferencë Kryetarësh një presion më të madh për t’u kthyer në normalitet Komisioni i Reformës Zgjedhore, duke parë se problemet e këtij komisioni dhe objekti i punës së këtij komisioni të mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, është në limitet e fundit të përfundimit të këtij mandati. Në emër të grupit që përfaqësoj, por edhe si një nga propozuesit e 39 deputetëve një vit më parë, që ky komision të ketë prioritet dhe bazë të punës së tij rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për sistemin zgjedhor dhe votën e emigrantëve. Nisur edhe nga fakti që me dy kolegët e mi, kryetarë të grupeve opozitare, zotin Stojku dhe zotin Musai, kemi bërë një kërkesë për të takuar kryetarin e maxhorancës për të bashkëbiseduar, sepse në Kuvend votat për ta kaluar çdo votim me shumicë të cilësuar i kemi ne. Prandaj, nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, por të respektohemi në respekt të asaj që përfaqësojmë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në këtë aktualitet politik. Ndaj, unë nuk mund të hesht nëse nuk kthehemi realisht në një normalitet të munguar, sepse prej kohësh Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk mblidhet dhe në çdo lloj artifici me të cilin kërkohet të zëvendësohet një institucion ligjor dhe kushtetues me një institucion antiligjor dhe hamullor, nëpër bunkerët e Pallatit të Kongreseve, unë nuk marr pjesë dhe do të tërhiqem nga kjo mbledhje. Ftoj edhe kolegët e mi opozitarë dhe kryetarët e komisioneve që përfaqësojnë opozitën në këtë Konferencë Kryetarësh, që derisa ne të takohemi me Kryeministrin dhe të mblidhet urgjentisht Komisioni i Reformës Zgjedhore për të shqyrtuar me seriozitetin që i takon institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, kërkesat legjitime në emër të 39 deputetëve të tri grupeve parlamentare, nuk mund të jem fasadë dhe nuk mund të rri në një Konferencë Kryetarësh për të vazhduar punën në normalitet, kur në fakt jemi në limitet e mbarimit të afatit të këtij komisioni, i cili është krijuar enkas për të sanksionuar votën e lirë, rregullat e lojës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Unë nuk do të jem pjesëmarrës në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve.

Gramoz Ruçi: Sigurisht, jeni sovranë në qëndrimet dhe vendimet që merrni, qoftë edhe duke u larguar nga Konferenca e Kryetarëve, por nuk është kjo rruga e duhur. Si Kryetar Kuvendi, unë nuk shikoj ndonjë diferencë mes atyre që thatë dhe kërkuat ju me të drejtë, se është legjitime kërkesa juaj, por ndërsa ju e artikuloni në rrugë institucionale sot në Konferencën e Kryetarëve. Kërkesën tuaj unë e kam artikuluar në seancën e javës së kaluar, që Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të mblidhet, me qëllim që kryetari i këtij komisioni të informojë komisionin, qoftë edhe për marrëveshjen e arritur dhe që komisioni, si i vetmi institucion i ngritur nga Parlamenti, duhet të përmbushë misionin e tij për të diskutuar të gjitha propozimet qoftë edhe të Këshillit Politik, qoftë edhe propozime të shumta, që kanë ardhur nga deputetë të veçantë apo nga grupe deputetësh në Komisionin e Reformës Zgjedhore, për të arritur në përfundim dhe për të nxjerrë produktin. Pastaj, ky produkt të depozitohet në Kuvend. E përsëris, siç e artikulova, brenda këtij sesioni parlamentar që në korrik, Kuvendi të miratojë ndryshimet apo Reformën Elektorale. Kështu, besoj se në këtë pikë keni mirëkuptimin e të gjithëve dhe unë si Kryetar i Kuvendit nuk kam mëdyshjen më të vogël që jam i detyruar, madje do të impenjohem edhe më shumë që komisioni të jetë funksional, ta përshpejtojë dhe të fitojë kohën e humbur, si dhe që komisioni të sjellë produktin e tij në Parlament.

Nimet Musaj: Dua t’u shpreh këtu edhe kolegëve të dinë se çfarë ne, deputetët e opozitës parlamentare, kemi kërkuar në takimin që kemi bërë me ndërkombëtarët. Këshilli Politik bëri një marrëveshje teknike, por nuk zgjidhi problemin e Reformës Zgjedhore; nuk demokratizoi jetën social-politike shqiptare; nuk demokratizoi partitë politike dhe mbi të gjitha, atë që ne e kishim si kauzën tonë, reformën dhe listat e hapura nuk i mori në konsideratë. Për këtë qëllim, i nderuar zoti Kryetar dhe të nderuar kolegë deputetë, ju kërkuam juve si përfaqësuesi ynë, ju jeni kryetari i të gjithë shqiptarëve, i Parlamentit Shqiptar, që duhet të negocioni sot edhe me Kryeministrin, zotin Rama, për një takim institucional, sepse na pritën ambasadorët dhe patjetër, ministri, Kryeministri i vendit tim duhet të na presë edhe ne. Edhe unë si kolegët e mi, zotërinjtë Murrizi dhe Stojku, bashkë me kryetarin e Komisionit të Shëndetësisë, që është përfaqësues i grupit tim politik, do të largohemi jo për të bojkotuar, i nderuar Kryetar, sepse ishim ne ata që erdhëm, pasi ish-kolegët tanë u larguan nga ky Parlament, por të gjithë së bashku duhet të dalim në konferencë shtypi dhe së bashku me kryetarët e grupeve do të deklarojmë jo vetëm mbështetjen për reformat e mëdha, jo vetëm mbështetjen që vendi ynë, Shqipëria, të shkojë drejt Bashkimit Europian, por të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën e mundshme në këtë situatë. Këshilli Politik nuk mori në shqyrtim asnjë nga kërkesat elementare të Bundestagut gjerman. As listat e hapura, as depolitizimin e komisioneve dhe as votimin e emigrantëve, që edhe maxhoranca e ka pasur si qëllim që të votojnë edhe shqiptarët jashtë atdheut. Të gjitha këto nuk u arritën. Për këtë qëllim, unë së bashku me kolegët do të largohemi, duke pritur përgjigjen nga Kryeministri.

Gramoz Ruçi: Faleminderit, zoti Musai! Këto gjëra ju i parashtruat edhe në takimin që zhvilluam së bashku para një ore. Për sa i përket kërkesës suaj për të takuar Kryeministrin dhe që unë jua premtova, nuk kam arritur të lidhem me të.

Edmond Stojku: Të nderuar kolegë, ju u njohët me vendimin që kanë marrë të tria grupet parlamentare. Si kryetar i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Drejtësi, i jam bashkuar nismës. Arsyeja pse i jam bashkuar kësaj nisme është sepse ne na pranuan të na takojnë ndërkombëtarët, dy ambasadorët e nderuar, Yuri Kim dhe Luigi Soreca, na pranuat ju, zoti Kryetar, si institucioni më i lartë në një Republikë Parlamentare, që gjetët kohën, vendin, pritët dhe dëgjuat opsionet tona. Për këtë ju falënderoj! Ne kërkojmë të ndjekim të gjitha hapat institucionalë, duke takuar të gjitha institucionet, mes tyre edhe Kryeministrin Rama, që është një nga faktorët dhe aktorët kryesorë të Reformës në Shqipëri. Pas stigmës 1-vjeçare të deputetëve të rinj të Parlamentit Shqiptar dhe pas sharjeve dhe anatemimeve pafund nga opozita joparlamentare, e cila braktisi institucionet, ne nuk mund të lejojmë degradimin e Kuvendit për shkak të mirëkuptimit tonë dhënë këtij komiteti politik të Komiternit, të cilin ne e konsideruam me mirëdashjen tonë të plotë si komitet konsultativ. Ne s’mund të lejojmë delegjitimimin e deputeteve të rinj, sepse delegjitimohet i gjithë Kuvendi. Në fund fare, Kuvendi është ai që vendos të kalojë ose jo Reforma Zgjedhore, me vota. Kuvendi ka ngritur një Komision të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili do ta shqyrtojë atë nen për nen, i cili do të shqyrtojë nëse do të ndryshohet apo jo sistemi zgjedhor, nëse do të politizohet apo jo sistemi zgjedhor, nëse diaspora do të jetë prezente në këto votime pas 30 vjetësh premtime, kur ata të jenë pjesë e këtij sistemi dhe njëkohësisht, po ky Komision i Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të diskutojë edhe listat e hapura e koalicionet zgjedhore. Pra, ne këtu do të diskutojmë besimin e publikut për Reformën Zgjedhore. Nëse ky Kuvend ka marrë përsipër të zëvendësojë rolin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, atëherë i bie që kryetari i Grupit Parlamentar, zoti Taulant Balla, t’i kërkojë votat te komiteti politik i Komiternit dhe le të shkojë t’i marrë ato vota në kongresin e sovjetëve, nga bijtë e moskotivit, sepse ne si deputetë të Parlamentit të Shqipërisë kemi vendosur të respektojmë institucionet, kemi vendosur të mendojmë për të ardhmen e këtij populli, për t’i dhënë mundësi, për të zgjedhur deputetin përfaqësues të zonës elektorale. Ju falënderoj për fjalën që më dhatë! Jam i detyruar të ndjek vendimin e marrë së bashku me tre kryetarët dhe anëtarët e grupeve parlamentare për të mos marrë pjesë në komisione, deri në takimin me Kryeministrin Rama.

Gramoz Ruçi: Një koment të shkurtër. Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nuk ndaloj, por përkundrazi, inkurajoj çdolloj dialogu, çdolloj bashkëpunimi, çdolloj ndërveprimi midis aktorëve dhe faktorëve politikë parlamentarë dhe joparlamentarë, veçanërisht sa u përket rregullave të lojës së sistemit apo të Kodit Elektoral. Është një traditë e kahershme e Parlamentit Shqiptar dhe kur vjen puna për Kodin Elektoral, duhet të merren në konsideratë të gjitha opinionet e të gjithë faktorëve parlamentarë dhe joparlamentarë. Kështu që, duke e parë në këtë këndvështrim, kam inkurajuar dhe kam mbështetur qoftë edhe dialogun e zhvilluar në atë që u etiketua si Këshilli Politik, por nga ana tjetër, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, jam i detyruar të zbatoj vetëm rregullat, ligjin, Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit Shqiptar. Në fund, pavarësisht nga ky dialog, ky bashkëveprim dhe ky bashkëpunim, produkti përkatës do të krijohet nga institucioni që ka krijuar Parlamenti, që është Komisoni Ad Hoc i Reformës Zgjedhore dhe Parlamenti Shqiptar në fund do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur në një mirëkuptim dhe konsensus, sepse minimumi duhen 84 vota.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura