Debati në mbledhje/ Harxhi i kujton Bashës paktin me Ramën, kreu i PD: Për atë vendim…

Apr 21, 2018 | 13:56
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Pas tensioneve ne mbledhjen e Keshillit te PD-se dhe largimit të Imamit nga mbledhja, ishte anëtarja e Këshillit Kombëtar, Edit Harxhi, ajo që bërë propozimet për pikën më të nxehtë të statutit, që lidhet me mandatin e kryetarit të partisë.

harxhi

Harxhi propozoi që kryetari të ketë mandat të kufizuar dhe të japë dorëheqje pas humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje. Gjithashtu, Harxhi kërkoi që kryetari të zgjidhet jo më përmes parimit një anëtar, një votë, por nga Kuvendi Kombëtar i PD-së.

Të dyja këto propozime u rrëzuan, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, kujtoi se në statut janë të përfshira instrumentet për shkarkimin e kryetarit, në rast se nuk ka një performancë të mirë.

DEBATI 

Edit Harxhi: Meqenëse kemi diskutuar për kryetarët e degëve, unë mendoj se për performancë të keqe nuk duhet të hiqen vetëm kryetarët e degëve, por edhe kryetari i partisë. Pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të partisë është një akt moral, të cilin çdo person i moralshëm pas një humbjeje duhet ta japë, ne kemi propozuar që dorëheqja të jetë e sanksionuar edhe në statut. Ky nuk është një propozim që lindi nga hiçi, pasi unë mund t’ju përmend shumë raste ku përdoret ky nen në partitë simotra. Partia Konservatore angleze është një nga këto raste, ku në vitin 2003, përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet, kryetari i partisë kaloi në një votëbesim. Kriza e Partisë Demokratike nuk është statusore. Propozimet që ne kemi bërë, nuk është se kemi kuptuar që kjo krizë kishte të bënte me statutin, por me krizën politike të lidershipit.

Lulzim Basha: Mekanizmat për të vlerësuar performancën kanë ndryshuar në të gjitha nivelet. Kryetari i grupseksionit mund të shkarkojë me vendim të Kryesisë, kryetarin e seksionit. Dega mund të shkarkojë kryetarin e grupseksionit. Kryesia e partisë në një degë mund të shkarkojë kryetarin dhe të bëjë zgjedhje dhe Këshilli Kombëtar, me gjysmat e votave, me vendim të Kuvendit Kombëtar të PD-së, mund të shkarkojë edhe kryetarin e PDSH. Pra, instrumenti për të shkarkuar dikë në lidhje me performancën, ekziston.

Edit Harxhi: Propozojmë që çdo aleancë apo marrëveshje duhet të marrë me patjetër, mendimin e Këshillit Kombëtar dhe jo të Kryesisë së partisë. Në marrëveshjen e 17-18 majit, ajo marrëveshje që ju nënshkruat, ishte një aleancë, pasi PD hyri në një qeverisje me kundërshtarin tonë politik dhe nuk u pyet askush.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë zonjë. Për atë vendimmarrje ka pasur konsultim dhe dakordësi të plotë me Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e partisë.

Edit Harxhi:Jo, jo, jo, kjo nuk është e vërtetë se ne kemi qenë dëshmitarë të atyre zhvillimeve. Grupi dhe Kryesia është njohur me vendimmarrjen, vetëm pasi ju dhe kundërshtari ynë politik kishin dakordësuar një marrëveshje për bashkëqeverisje.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura