Debati në Kuvend/ “Zhdukni kriminelët që na vranë baballarët”, Ruçi mbron dëshmorët: Lufta nder dhe krenari

Nov 5, 2019 | 15:14
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Fotot e heronjve të popullit kanë nxitur debat edhe në sallën e Kuvendit, gjatë seancës plenare ditën e hënë.

kuvend-partizanet

Ishte deputeti demokrat, Halit Valteri, i cili u përplas me kreun e Kuvendit, Ruçin, për fotot e heronjve, madje duke bërë thirrje që ato të hiqen nga aty ku janë vendosur sa më shpejt. Gjatë fjalës së tij për ligjin e rinisë, Valteri e kritikoi ashpër vendosjen e fotove, duke e konsideruar një provokim të hapur, i cili bëhet ndaj shtresës së të përndjekurve politikë dhe shembull të gabuar për brezin e ri. Valteri bëri thirrje që të hiqen nga bulevardi fotot, duke i quajtur dëshmorët si vrasës të baballarëve të disa prej deputetëve që janë në Kuvend.

HALIT VALTERI

“Të gjithë kemi kaluar në bulevard dhe nuk e di se si nuk ua vrasin sytë fotografitë e ca hajdutëve të Sigurimit të Shtetit, si: Koço Bako, Xhemal Kodra, Nexhip Bejko, Nuri Luçi dhe ky Fejzi Micolli ‘Hero i Popullit’, që luftoi Prek Calin. Nëse kjo është fytyra që doni t’i transmetoni rinisë me këto relikte komuniste, me këta kriminelë që na kanë vrarë baballarët dhe familjarët tanë, atëherë nuk na ngelet gjë tjetër, veçse të largohemi nga kjo sallë, se do të na detyroni të veshim shallin e pionierit dhe të bërtasim ‘Parti Enver’. Kështu që, z.Ruçi, do t’ju bëja thirrje si drejtues i Kuvendit të Shqipërisë, që t’i zhdukni ato fytyra të shëmtuara, që janë vendosur në bulevard dhe të na lini rehat që të mos na kujtohen sërish njerëzit që na kanë vrarë”, tha deputeti Valteri.

GRAMOZ RUÇI

Por kjo fjalë e ashpër e deputetit demokrat ndaj fotove të atyre që janë shpallur heronj të vendit, nuk u prit mirë nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ky i fundit, pas fjalës së Valterit, i tërhoqi atij vëmendjen për fjalorin e vrazhdë të përdorur nga foltorja e Kuvendit. Për Ruçin, përdorimi i një fjalori të tillë ndaj atyre që dhanë jetën në Luftën e Dytë Botërore për të çliruar vendin nga pushtuesit nazifashist, është i papranueshëm. Ai bëri edhe një herë thirrje që në kuadër të festimeve për 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit, të gjitha palët politike të bëhen bashkë për t’u dhënë heronjve të Luftës Antifashiste nderimin e merituar.

“Është e papranueshme të flisni në atë mënyrë dhe t’i kërkoni seancës së Parlamentit, me fjalorin më të papranueshëm si qytetar, prandaj do t’ju kërkoja që t’i tërhiqni fjalët që thatë. Lufta e Dytë Botërore dhe ata që dhanë jetën në këtë luftë i japin kombit shqiptar veçse krenari dhe lavdi, prandaj siç ju kam bërë thirrje që nga hapja e kësaj legjislature, do të ishte në nderin e çdo deputeti që në 75-Vjetorin e Çlirimit të vendit, të nderonte luftëtarët dhe të rënët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ata të mos bëheshin pjesë e retorikës politike në sallën e Kuvendit”, tha Ruçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura