Debati në komision/ Pallatet e reja, nuk ka më shitje pa hipotekë

Feb 9, 2016 | 8:15
SHPËRNDAJE

Regjistrimi në Hipotekë i kontratave të porositësve të apartamenteve do të kthehet në një detyrim si për ndërtuesit, ashtu edhe për blerësit, për të parandaluar shitjet e dyfishta. Detyrim do të jetë edhe regjistrimi i karabinasë së ndërtesës, që nuk ka qenë detyruese më parë.

ekonomiaDeputetët e Komisionit të Ekonomisë miratuan dje draftin me ndryshimet për regjistrimin e detyrueshëm të porosive për shitjet e apartamenteve, edhe të karabinave. Zv.ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, tha se ndryshimet synojnë ndalimin e mashtrimeve me shitjen disa herë të një apartamenti, por edhe abuzimeve që apartamente të shitura vendosen si garanci për marrjen e kredive.

Ai shtoi se, përveç shitjeve të dyfishta, janë konstatuar raste flagrante që këto skema kanë shërbyer edhe për financimin e terrorizmit jashtë vendit. Zv.ministri i Drejtësisë shpjegoi se amendimet e ligjit bëhen edhe për zgjidhjen e problemit të kredive të këqija. Sipas tij, një pjesë e madhe e kredive me probleme kanë kolateral pasuri të patundshme dhe kryesisht e përqendruar në sektorin e ndërtimit.

Isaraj shpjegoi se ndryshimet adresojnë zgjidhjen e këtyre problemeve me kthim të detyrueshëm të regjistrimit të kontratës së sipërmarrjes nga çdo palë, në të kundërt, bankat nuk mund të pretendojnë të drejta parësore ndaj palëve të treta që e kanë bërë këtë regjistrim.

Ndryshimet parashikojnë që shoqëria e ndërtimit do të ketë detyrimin ligjor për regjistrimin si të lejes të ndërtimit, ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes së porosisë, duke rritur sigurinë juridike për këtë kategori kolateralesh. Në draft parashikohet edhe regjistrimi i karabinatë.

Po ashtu, parashikohet që për rastet kur karabinaja kalon në pronësi të një banke kreditore, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e bankës, e cila ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri.

DEBATI PËR KREDITË

Diskutimet e projektligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme u shoqëruan me debate për nivelin e kredive të këqija. Zv.ministri i Drejtësisë tha se ndryshimet synojnë të forcojë sigurinë juridike të palëve të treta për përdorimin e kolateraleve, me qëllim uljen e nivelit të kredive me probleme.

Deputeti i opozitës, Ridvan Bode, tha se niveli i tyre është 21 për qind, kur ndërkohë duhet të ishin 15 për qind. Bode tha se kreditë e këqija janë ulur në mënyrë fiktive, ku deri tani 10 për qind janë ulur kreditë që nga viti 1992. Ai u shpreh se kreditë me probleme janë shtuar për shkak të pamundësive të kompanive për t’i kthyer ato. Por, për deputetin e Partisë Socialiste, Ervin Koçi, kreditë e këqija në qeverisjen e mëparshme u rritën 7 herë.

Ai krahasoi uljen e nivelit të kredive të këqija me rishikimin e tarifave doganore të skanimit të kamionëve në dogana, ku nga 39 euro, u ulën në 22 euro. Deputeti Bode e quajti krahasimin e pavend, por ai u tha deputetëve se në asnjë vend të rajonit, kamionët e mallrave nuk kalojnë pa u skanuar dhe se ky ishte një nga detyrimet që vendi duhet të përmbushte për liberalizimin e vizave.

Në debat ka ndërhyrë edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ku si kosto të liberalizimit të vizave ai përmendi edhe tarifat e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, përveç tarifave doganore të “Rapiscanit”. Kryetari i Komisionit premtoi se në fund të këtij muaji do të shikohen të gjitha kontratat e dhëna të koncesioneve.

DEBATI DJE NE KOMISION

Ridvan Bode: Kreditë e këqija u dukën sikur u përmirësuan, se u hoqën nga kontabiliteti 10 pikë përqindje që nga viti 1992, por që nuk mund të hiqeshin nga librat, sepse Tatimet nuk i lejonin, sepse do të paguanin më pak taksa në administratë. Ulja e tyre u bë fiktive me 10 pikë përqindje të GDP-së. Niveli i tyre duhet të ishte 14-15 për qind, por sot janë 21-25 për qind dhe kjo për shkak të pamundësisë së kompanive për të paguar kreditë. Bankat nuk japin kredi, sepse garancia e kthimit të kredive ka ardhur duke rënë.

Ervin Koçi: Në vitin 2005, kreditë e këqija ishin 4 për qind dhe kur ikët në 2013-n, ishin 25 për qind. I rritët me 7 herë kreditë e këqija dhe kjo nuk ka justifikim, dhe në raport me kreditë e dhëna, kreditë e këqija janë më të lartat në rajon. Kreditë e këqija më kujtojnë koncesionin e “Rapiscan”, që i vendosët taksë doganore çdo biznesi 39 euro, pastaj dilni në konferenca shtypi se pse paguan biznesi 22 euro për çdo deklaratë doganore. E njëjta histori është edhe kjo me kreditë e këqija.

Ridvan Bode: Në vitin 2005, niveli i kredive të këqija ishte 4 për qind e GDP-së, kurse niveli total i kredive ishte 7 për qind e GDP-së. Koncesioni i skanimit s’ka lidhje me kreditë e këqija. Më thuaj një vend tjetër në rajon që nuk kishte skanim. Në Shqipëri erdhi kompania më e madhe në botë që të hoqi vizat. Koncesioni i skanimit ishte një ndër detyrimet që duhej të plotësohej për heqjen e vizave. Dhe ajo çfarë paguhet për skanimin, nuk është taksë doganore, por është tarifë.

Erjon Braçe: E di sa u kanë kushtuar qytetarëve, sipas jush këto detyrimet për heqjen e vizave? 75 mijë lekë te pasaporta, 15 mijë lekë te karta e identitetit dhe 39 euro te skanimi për çdo faturë doganore. Duke filluar nga fundi i këtij muaji, do të fillojmë t’i analizojmë të gjitha ato koncesione.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura