DEBATI NË KOMISION/ Deputetët e PD kundër kreut të AMA: Ke mashtruar, duhesh nxjerrë prej leckash jashtë

Mar 26, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo, ka shkëmbyer dje replika të forta me kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Salaj, gjatë raportimit në Kuvend.

Kreu i AMA, Gent Sala, dje ne Komisionin e Medias

Edhe pse rendi i ditës ishte për raportin vjetor të AMA-s, Pollo ka kërkuar shpjegime nga kryetari i AMA-s për ato që ai i quajti mashtrim me kurrikulumin e depozituar në Kuvend. Sipas kreut të komisionit, Gentian Salaj ka qenë pjesë e një kompanie private për disa vite dhe këtë fakt e ka fshehur në CV.

“Deputeti Boçi ka pyetur ISSH-në me shkresë, konfirmon se në emër të zotit Gentian Salaj për periudhën në subjektin Dixhitalb sh.a. janar 2007- janar 2012 dhjetor janë derdhur shumat e pagave dhe të kontributeve shoqërore. Kjo përbën një mostregim të së vërtetës nga ana juaj”, ka thënë Pollo.

Nga ana tij, kreu i AMA-s ka theksuar se ka punuar për një vit e gjysmë në një kompani që para shtatë viteve ka qenë pjesë e “Top Medias” dhe se me Genc Pollon do përballej në gjykatë.

DEBATI NE KOMISION
Genc Pollo: CV-ja që ju keni paraqitur, ndërsa përmend punë- simin në ndërmarrje të ndryshme, nuk e përmend punësimin tuaj pranë operatorit Dixhitalb. Ndërkohë që deputeti Boçi ka pyetur ISSH-në me shkresë, konfirmon se ne emër të zotit Gentian Salaj për periudhën në subjektin Dixhitalb sh.a., janar 2007- janar 2012 dhjetor janë derdhur shumat e pagave dhe të kontributeve shoqërore. Kjo përbën një mostregim të së vërtetës nga ana juaj.
Alfred Peza: Më vjen keq që ju devijoni nga rendi i ditës, dhe ne jemi për këtë gjë. Nëse keni gjë tjetër mund ta fusim në kalendar dhe në një seancë tjetër mund t’i thërrasim zotërinjtë.
Bedri Hoxha: Është e papranueshme që ne në këtë komision të kapërdijmë një CV dhe mostregimin e të vërtetës nga një person që sot drejton AMA-n…
Alfred Peza: Shkoni në Gjykatë, lexoni procesverbalet.
Bedri Hoxha: Ne i kemi lexuar procesverbalet, dhe ja ku është CV-ja, zoti Salaj nuk deklaron asnjë ditë që ka punuar në Dixhitalb. ISSH tregon që ky person nuk ka thënë të vërtetën. Kjo nuk është normale që ne të kapërdijmë gënjeshtra këtu.
Fatmir Toçi: Ky komision po përdoret politikisht.
Gentian Salaj: Unë me zotin Pollo do të takohem në gjykatë, aty ku thotë që unë kam mashtruar me CV-në time. Unë me CVnë time s’kam bërë asnjë shkelje. Kam punuar për një vit e gjysmë në një kompani që quhet “I-solution” dhe po të ulësh kokën, e ke në CV aty para. Kjo kompani ka qenë pjesë e “Top Medias” para shtatë viteve. Nuk është fshehur asnjë gjë, nuk ka asnjë konflikt interesi. Unë mbaj përgjegjësi për çdo gjë. Zoti Pollo, po të them që bashkë do shihemi në gjykatë, se nuk mund të jenë sharlatanë dy persona. Është o njëri, o tjetri.
Genc Pollo: Kujdes me fjalët zoti Salaj!
Gentian Salaj: Jo nuk kam kujdes fare. Sepse këtu para se të jem kryetar i AMA-s, jam qytetar i Republikës. Duhet të ketë shumë kujdes kur thuhet se mashtron. Ul kokën dhe lexo CV-në, por ti përton të lexosh.
Genc Pollo: Këtu i drejtohemi me Ju njëri-tjetrit…
Gentian Salaj: Absolutisht, zoti Genci. I nderuar, kryetar Genci.
Genc Pollo: Zoti Pollo, kryetar i Komisionit…
Gentian Salaj: Genci emër është, çfarë problemi ka?!
Genc Pollo: Është çështje edukate.
Gentian Salaj: Pse të thuash emrin, është mungesë edukate?
Genc Pollo: Nuk jemi shokë dhe miq bashkë.
Gentian Salaj: Jo zotëri, të thuash mashtrues është deklaratë shumë e rëndë. Dhe unë kam hedhur një firmë ku them që çdo deklaratë është e drejtë. Dhe mbaj përgjegjësi penale për atë. Në këtë vend duhet të mësohemi të mbajmë përgjegjësi të gjithë, ju i pari.
Genc Pollo: Ju keni marrë rrogën te Dixhitalbi.
Alfred Peza: Ne nuk mund të jemi ekstra-gjykatë, por jemi Komision i Mediave. Nuk mund të gjykojmë atë që po shqyrton një gjykatë.
Genc Pollo: Besoj se në këto kushte nuk mund të vazhdojmë me mbledhjen. Mungesa e sqarimit nga kryetari e bën të pavlerë këtë mbledhje, të paktën për ata që respektojnë veten.
(Deputetët e opozitës largohen nga mbledhja)
Bedri Hoxha: Ti je mashtrues e kokrra e mashtruesit, ordiner! Ty duhet të të nxjerrësh prej leckash!
Fatmir Toçi: Do bëj propozim që zoti Salaj të jetë në të gjitha mbledhjet, që të ikni ju…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura