Debati me dyer të mbyllura/ Ndikimi rus në politikë, kreu i SHISH: Kemi skeduar disa shoqata

Mar 28, 2018 | 10:23
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka zhvilluar dje seancën dëgjimore me kryetarin e komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, lidhur me raportin vjetor të këtij institucioni.

helidon bendo3

Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të informacioneve sekrete që iu shpërndanë deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Burime të “Panorama” pranë mbledhjes bënë të ditur se temë e diskutimit me kreun e komanduar të SHISH-it ka qenë dhe lidhur me debatin e influencave ruse në politikën shqiptare dhe në financimin e tyre. Mësohet se Helidon Bendo është shprehur para deputetëve se SHISH-i nuk ka informacion për ndikimin e Rusisë në politikën shqiptare.

“Nuk na rezulton që ka ndikim rus në partitë politike shqiptare”, ka thënë ai. Kreu në detyrë i SHISH-it është shprehur se shërbimet sekrete kanë skeduar një sërë shoqatash, të cilat bëjnë propagandë ruse në Shqipëri. Këto shoqata, të cilat financohen nga Rusia dhe që mësojnë gjuhën dhe traditën ruse në Shqipëri, janë në monitorim të vazhdueshëm nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ai ka folur dhe për aksionin e koordinuar me vendet e NATO-s për të dëbuar diplomatët rusë nga Shqipëria. “Ne jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për situatën e krijuar me Rusinë”, mësohet të jetë shprehur Bendo para deputetëve.

TRAFIKU I DROGËS

Seanca dëgjimore me kreun e SHISH-it, Helidon Bendon, në Komisionin e Sigurisë ka zgjatur rreth tri orë dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar informacione për lidhjet e politikanëve dhe Policisë me drogën, siç ishte rasti i kapjes së 613 kg kokainë në portin e Durrësit. Por më- sohet se shumë herë pyetjet e demokratëve kanë mbetur pa përgjigje nga Bendo.

Kryetari në detyrë i Shërbimit Informativ mësohet të jetë shprehur se “Mbjellja e drogës në Shqipëri këtë vit ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara”. Por këto deklarata kanë ngjallur reagimin e opozitës. Mësohet se deputetët e djathtë kanë përdorur si argument kapjen e tonelatave të hashashit dhe drogave të tjera në brigjet e vendeve fqinje. Burimet bënë të ditur se kreu i SHISH-it ka thënë se droga nuk është mbjellë këtë vit në territorin e Shqipërisë dhe se hashashi i kapur në vendet fqinje është drogë e magazinuar nga vitet e shkuara.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura