DEBATI I PLOTE/ PD braktis komisionet, Ristani: Këtu lëviz lirshëm vrasësi Ilir Meta

Mar 5, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Opozita ka braktisur dje mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, duke ngritur si shqetësim denoncimet e deputetit socialist, Tom Doshi, se kreu i Kuvendit ka paguar për të vrarë dy deputetë. Deputetët e opozitës kanë theksuar se ndihen të pasigurt për jetën, për sa kohë që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nuk jep dorëheqjen dhe të hetohet nga Drejtësia. 

Sot ne Komisionin e Ligjeve

Demokrati Arben Ristani tha se deputetët janë në hall të madh pasi nuk mund të punojnë të qetë kur Ilir Meta është i lirë dhe lëviz nëpër korridoret e Kuvendit. “Ta marrim seriozisht këtë hall që kemi. Jemi vërtet të shokuar, të stresuar. Kam dalë sot me frikë nga banesa për të ardhur sot në këtë godinë. Dy deputetë të nderuar të këtij Komisioni janë tentuar të vriten sipas tyre nga kryetari i Kuvendit. Dhe të vijmë në këto korridore, ku shëtit i lirë një njeri që ka urdhëruar vrasjet e dy kolegëve, më besoni është e frikshme. Vrasës të tillë dhe njerëz të tillë na bëjnë të mendojmë që ndoshta edhe nën karriget tona mund të vendoset lëndë eksplozive. Ky njeri duhet të japë dorëheqjen dhe duhet të shkojë para drejtësisë, në mënyrë që dhe ne të jemi të qetë që nuk kemi një vrasës që na vërtitet korridoreve, por një njeri normal”, tha Ristani.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se opozita po ushtron presion ndaj Prokurorisë. “Ju po kërkoni ta devijoni procedurën, që në rastin më të mirë është duke u shqyrtuar nga Prokuroria dhe, në rastin më të keq, ju po i ushtroni presion publik Prokurorisë me deklaratat tuaja politike. Ju po flisni për një gjë hipotetike, ndërkohë që keni katër të vrarë në bulevard të pahetuar”, tha Xhafaj.

Por gjatë debatit kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, theksoi se akuzat e Doshit u hodhën poshtë nga dëshmitari, duke thënë se “memeci foli”. “Më dëgjoni mua, memeci foli. Memeci ka folur dhe ka thënë që janë sajesa. Mos u shpejtoni. Për merakun tuaj për votëbesimin e zotit Meta, mos kini merak, se do trajtohet me shumë kujdes”, tha Braho. Por sipas Ristanit, maxhoranca duhet t’i jepte zgjidhje shqetësimit të opozitës. “Na dëgjo mo burrë, se kemi hall, është frikë e madhe kjo punë”, tha Ristani.

Nga ana tjetër, deputetja e LSI-së theksoi se opozita e ka quajtur Tom Doshin “kryetrafikant” dhe “ordiner”, ndërkohë që pas akuzave për kreun e Kuvendit tani e merr atë seriozisht. Ajo theksoi se opozita nuk e ka problemin me hetimet, por me prokurorin Llalla, që në këtë rast nuk e quan dot “lavire bulevardi”. “Kam përshtypjen se problemi juaj me Prokurorinë nuk është se si do të jetë hetimi, por do të jetë se ju nuk e quani dot zotin Llalla ‘lavire bulevardi’ siç quajtët Ina Ramën”, tha Caka.

Mbedhja e komisionit

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, u shpreh se Tom Doshi, edhe pse mund të jetë njeriu më i zi, por nuk meriton të vritet nga kreu i Kuvendit. “Tom Doshi mund të jetë ai që ka thënë Sali Berisha, mund të jetë më i ziu në këtë botë, por për këtë arsye nuk meriton t’i vihet tritol në makinë nga kryetari i Kuvendit”, tha ai. Pas replikave, deputetët e opozitës u larguan nga salla, duke thënë “Vazhdoni me operacionin zjarri”.

Debati i plote ne Komision  

Oerd Bylykbashi: Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të merremi me çështje të tjera. Nuk mund të ndodhë kjo për sa kohë që në krye të Kuvendit është personi që akuzohet për tentativën për të vrarë dy deputetët. Nuk mund të ndodhë nëse kreu i Kuvendit nuk shkon para Drejtësisë dhe të zbardhë të vërtetën atje. Nuk mundet të hetohet ai me pushtet. Situata është aq e rëndë, saqë ne do të kërkojmë që Kuvendi të mos ndjekë procedurën normale deri sa kreu i Kuvendit të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga Parlamenti.

Fatmir Xhafaj: Zoti Bylykbashi, ju po kërkoni ta devijoni procedurën, që në rastin më të mirë është duke u shqyrtuar nga Prokuroria; Dhe, në rastin më të keq, ju po i ushtroni presion publik Prokurorisë me deklaratat tuaja politike. Ju po flisni për një gjë hipotetike, ndërkohë që keni katër të vrarë në bulevard të 
pahetuar.

Arben Ristani: Është një hall i madh ky që ju ka zënë…

Fatmir Xhafaj: Nuk është hall i madh. Në qoftë se ju quani një akuzë hipotetike me gjakun e katër njerëzve, ky nuk është halli im, është halli juaj.

Arben Ristani: Ta marrim seriozisht këtë hall që kemi. Jemi vërtet të shokuar, të stresuar. Kam dalë sot me frikë nga banesa për të ardhur sot në këtë godinë.

Fatmir Xhafaj: Mos more…

Arben Ristani: Dy deputetë të nderuar të këtij Komisioni janë tentuar të vriten, sipas tyre nga kryetari i Kuvendit. Dhe të vijmë në këto korridore, ku shëtit i lirë një njeri që ka urdhëruar vrasjet e dy kolegëve, më besoni është e frikshme. Vrasës të tillë dhe njerëz të tillë na bëjnë të mendojmë që ndoshta edhe nën karriget 
tona mund të vendoset lëndë eksplozive.

Fatmir Xhafaj: Futi një kontroll edhe bjer rehat!

Arben Ristani: Ky njeri duhet të japë dorëheqjen dhe duhet të shkojë para drejtësisë, në mënyrë që dhe ne të jemi të qetë që nuk kemi një vrasës që na vërtitet korridoreve, por një njeri normal.

Eduard Halimi: Lëre të mbarojë, o zoti kryetar!

Fatmir Xhafaj: Lëre ti, mos më bëj dërr-dërr kot!…

Spartak Braho: Muhabetet e sabahut të zotit Bylykbashi dhe zotit Ristani duhen vlerësuar seriozisht, veçanërisht që poshtë të ndenjurave mund të kemi ndonjë kallup dinamiti. Kush ju ka thënë juve që Ilir Meta do vriste X dhe Y, nga e keni marrë vesh?!

Arben Ristani: Ta jap unë përgjigjen…

Spartak Braho: Ju s’keni ça jepni asnjë përgjigje.

Arben Ristani: Një anëtar i këtij Komisioni ka akuzuar kryetarin e Kuvendit se ka dashur ta vrasë dhe i ka përgatitur atentat për ta vrarë.

Spartak Braho: Kush ju ka thënë, kush? Saliu e tha dje. Keni kurajo ta thoni?

Arben Ristani: Kolegu i komisionit e ka thënë, zoti Doshi e ka thënë publikisht.

Spartak Braho: Më dëgjoni mua, memeci foli. Memeci ka folur dhe ka thënë që janë sajesa. Mos u shpejtoni. Për merakun tuaj për votëbesimin e zotit Meta, mos kini merak, se do trajtohet me shumë kujdes.

Arben Ristani: Na dëgjo mo burrë, se kemi hall, është frikë e madhe kjo punë…

Fatmir Xhafaj: Dakord lëre të flasë, që t’i hiqet frika.

Oerd Bylykbashi: Unë jam i sigurt që dhe ti ke frike, o Fatmir.

Fatmir Xhafaj: Jo, për Zotin jo. As kam frikë dhe as kam për të pasur.

Arben Ristani: Të vjen dhe ty radha, pa merak.

Eduard Halimi: Ky komision duhet të mbajë një qëndrim ose të dalë në krah të deputetëve..

Fatmir Xhafaj: Të bëjmë rolin e prokurorit?

Eduard Halimi: Çfarë rendi dite të flasim ne, të vazhdojmë për krimet që kanë ndodhur para 100 vjetësh, po ne e kemi krimin këtu… Kemi një dëshmitar që po tregon shokët e vet. Me ata që ka ndarë deri dje pazaret, sot shoku tjetër i ngushtë i tij thotë që i paska bërë shantazh.

Silva Caka: I fabrikoni te SHQUP-i akuzat.

Arben Ristani: Kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, ka urdhëruar vrasjet. A e kuptoni që është e frikshme të rrish në këtë Parlament?

Fatmir Xhafaj: E kuptoj që jeni të shqetësuar për zotin Doshi ju, po…

Silva Caka: Dua t’i them diçka zotit Ristani.

Fatmir Xhafaj: Ja sa të kontrollojë diçka poshtë karriges…

Silva Caka: Zoti Ristani dhe zoti Bylykbashi, akuzat nuk fabrikohen dhe nuk vërtetohen në Komisionin e Ligjeve.

Oerd Bylykbashi: Akuzat i ka bërë një deputet i maxhorancës.

Silva Caka: Ju e dini mirë që një qeveri dhe një person nuk jep dorëheqje për akuza, të cilat nuk janë vërtetuar. Kam përshtypjen se problemi juaj me Prokurorinë nuk është se si do të jetë hetimi, por do të jetë se ju nuk e quani dot zotin Llalla “lavire bulevardi”, siç quajtët Ina Ramën…

Gent Strazimiri: Tom Doshi mund të jetë ai që ka thënë Sali Berisha, mund të jetë më i ziu në këtë botë, por për këtë arsye nuk meriton t’i vihet tritol në makinë nga kryetari i Kuvendit. Tom Doshi meriton një proces të rregullt ligjor.

Silva Caka: Je si ata majmunët që zvarritesh sa më një degë në një tjetër.

Gent Strazimiri: Kur të qepet shteti dhe paguan për të vrarë, as ti nuk je i sigurt, zoti Xhafaj. Vazhdoni me operacionin zjarri! 

Spartak Braho: Ju me operacionin pularia.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura