Debati i plotë/ Të përndjekurit përplasen me Alibeajn: Dyqanet tona i morën gratë e sigurimit

Nov 22, 2017 | 9:12
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ

Ish-të përndjekurit politikë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike janë bërë pjesë e një debati në lidhje me politikat që e djathta ka marrë gjatë kohës që ka qenë në pushtet për këtë shtresë.

enkelejd-alibeaj

Në konferencën “Ditët e Kujtesës”, të organizuar nga Jonila Godole, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me fondacionin “Konrad Adenauer”, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka shpjeguar nismat e ndërmarra nga PD në vite për shtresën e ish-të përndjekurve dhe ligjin që po përgatitet për përndjekjen penale të krimeve komuniste.

Përfaqësuesit e shtresës së ish-të përndjekurve politikë shprehën hapur pakënaqësinë për mënyrën e trajtimit nga Partia Demokratike duke vendosur shenjën e barazisë me të majtën.

Ne debatin qe e ka botuar sot te plote “Panorama”, deputeti i PD ka kerkuar “Mos na barazoni me të majtët, bëmë ligjin për dëmshpërblimin në 2007”. Alibeaj ka pranuar dhe renditur edhe deshtimet dhe ato qe nuk munden te bejne dot.

Por, Sokol Mirakaj (ish-i përndjekur politik) ka reaguar duke thene “Me të vërtetë, ajo që u bëtë ish-të përndjekurve ka qenë një poshtërim që u keni bërë”.

DEBATI I PLOTË

Enkelejd Alibeaj (Deputet i PD):

Në 2007 është miratuar një ligj nga ana e qeverisë së Partisë Demokratike për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Fati i mirë e deshi që unë të isha ministër i Drejtësisë në atë kohë, i cili ishte i ngarkuar në atë ligj. Por ky nuk ka qenë akti i parë i iniciativave shtetërore për të dëmshpërblyer të përndjekurit politikë. Që në 1992 ka pasur iniciativa të tilla. Shumica e dinë, nuk i kanë harruar ata që kanë përfituar për shpërblimet financiare (letrat me vlerë), për punësim, kjo ishte edhe një qasje e PD në mandatin e saj të parë për strehim dhe për shkollim. Një prej përfituesve të kësaj politike për shkollim jam edhe unë. Në 1993 kam përfituar një bursë si ish-i përndjekur politik për të vazhduar studimet për juridik. Në vitin 1997 priten si me thikë deri në 2005 iniciativat ligjore që u dedikohen ish-të përndjekurve politikë. Në 2007, PD rimori edhe një herë pas një periudhe letargjie çështjen e të përndjekurve. Gjatë hartimit të ligjeve ka qenë një proces konsultimi me të përndjekurit, ku jo gjithmonë është gjetur gjuha e përbashkët me ta. Kam edhe guximin të them se cilat ishin pikat e dobëta. Procesi i identifikimit dhe kualifikimit të ish-të përndjekurve politikë ishte një proces që pikën e gravitetit të grumbullimit të dokumentacionit nuk e mori shteti, Ministria e Drejtësisë, por iu la vetë të interesuarve. Ky ishte një defekt procedural, të cilat u përpoqëm t’i përmirë- sonim deri në 2013. Nuk besoj se ia arritëm, por e bëmë tentativën tonë.

Adrian Kati (Drejtor i Qendrës Shqiptare për viktimat e torturës)

Bëhet viti i 27-të që ne nuk po dimë ku jemi. Le ta fillojmë nga ish-ministri i Drejtësisë. Ju bëtë statusin e të përndjekurit politik, të cilin menjëherë e futët në sirtar, ju bashkë me socialistët. Ju dyqanet e ish-të përndjekurve në qendër të Tiranës ia dhatë për t’i privatizuar gratë e ishanëtarëve të Sigurimit. Shtëpitë e rezidentëve, të cilat i dha instituti i të përndjekurve, pas 2-3 viteve me ligjin e privatizimit ju i nxorët nga shtëpitë. Ju na keni thënë që në qendër të Tiranës do të vendosni një obelisk në nder të të përndjekurve politikë. Tani ka një problem. Të dyja partitë kryesore në Shqipëri asnjëherë nuk e kanë marrë përsipër integrimin e të përndjekurve politikë.

Enkelejd Alibeaj (Deputet i PD):

Pyetja që unë kuptova nga ju është kjo: A jemi ne njësoj, krahu i majtë me të djathtin? Pyetja që unë jua lexoj në ballë është kjo: A bëtë ju maksimumin kur ishit në qeverisje? Dhe unë po të përgjigjem. A kemi bërë ne maksimumin? Jo. Ne nuk bëmë aq shumë për lustracionin. Ne nuk bëmë aq shumë për pafajësinë. Ne nuk bëmë aq shumë për ndihmën financiare për të përndjekurit politikë. Por jo se nuk bëmë. Sepse ose ka bërë e djathta për arsimimin, ose s’ka bërë asnjë.

Simon Miraka (Anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve):

Pyetja ime është për të gjithë. A ka ndonjë kriminel në kohën e diktaturës komuniste në Gjermani, Poloni apo Rumani që të jetë bërë qytetar nderi i qytetit nga i cili është? Sepse ne në Shqipëri figurën numër 2 të krimeve në Shqipëri e kemi qytetar nderi në Mallakastër,meqë është nga ai qytet.

Aldo Bumçi (deputet i PD):

Unë e kuptoj zhgënjimin e të përndjekurve politikë. Por është shumë i rëndësishëm sheshimi dhe relativizmi i asaj që është duke mos thënë të vërtetën, është i dëmshëm. Të përndjekurit politikë, në qeverinë tonë të parë u punësuan me mijëra si anëtarë qeverie, deputetë, kryetarë bashkish, komunash dhe mijëra të tjerë në nivelet e tjera të qeverisjes. U dha shkollë, strehim, dëmshpërblim (letrat me vlerë).

Agron Tufa (drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit):

Kam një përgjigje për Aldon. Edhe mua më ka shqetë- suar shenja e barazimit. Barazim nuk ka dhe nuk mund të ketë nëse e trajtojmë këtë çështje kronologjikisht, gjërat që janë bërë. Ideja është që ne nuk arritëm të kurorëzojmë për disa faktorë. Ajo që unë do t’i jepja si kundërpyetje z. Bumçi do të jetë kjo: Si ka mundësi që këta njerëz që u liruan nga burgjet dhe i ndërpreu atë vendim të gjykatave në kohën e PD, të gjithë ata që u liruan nga burgu dhe dhanë mesazhin më kriminal dhe më të poshtër, me rikthimin e PD-së në Parlament në 2005 përse nuk u ringrit një akuzë? Unë jam ndier pleh në vetvete kur është varrosur Ramiz Alia me ceremonial shtetëror, me të shtëna topash dhe madje edhe me artikuj në shtypin shqiptar ku ca të djathtë e përcollën. Ata duhet të kishin marrë të paktën dënimin që meritonin. Kjo tingëllon çuditshëm, sepse në këtë sallë ka vetëm përfaqë- sues nga e djathta, duke e lënë të majtën të shkëlqejë me mosprezencën e saj. Më ka bërë përshtypje sërish që krahasuar me Parlamentin e ’92, Parlamenti i 2005 dhe 2013 pati dukshëm numër më të pakët të ish-të përndjekurve në listat e PD-së.

Sokol Mirakaj(ish-i përndjekur politik):

Unë do të bëja këtë pyetje, meqë z. Alibeaj tha se me të përndjekurit nuk u gjet rruga e përshtatshme, sepse u sorollatën me dokumentet. Me të vërtetë, ajo që u bëtë ish-të përndjekurve ka qenë një poshtërim që u keni bërë. Që të shkoje të dënoje tek ai që e ka dënuar sa e ka dënuar. Këtë e bënin me koshiencë këta politikanët tanë. Duhet të skuqen pak kur flasin. Duhet të emocionohen kur flasin për suksese, se gjendja që kemi është edhe produkt i tyre. Cili prej këtyre politikanëve, kur e pa që gjendja nuk po shkonte, tha: Urdhëroni çelsat, nuk mund të shes karakterin tim. Cili?

Enkelejd Alibeaj (deputeti i PD):

Unë jam një nga politikanët që ka bërë thirrje që ose do të duhet të skuqeshim, ose të hidhnim çelë- sat. Në 2008-n isha unë ai që më ra barra për ta aplikuar ligjin. Kisha dy zgjedhje, ose të emocionohesha dhe të hidhja çelësat, ose të bëja punën. Emocionohem, e di pse? Sepse jam krenar që në 1 vit e 8 muaj përfundova 20.165 dosje, kërkesa të të përndjekurve politikë për dëmshpërblim. Është pak, shumë pak. Dhe jo për arsye se unë kërkoj falje këtu, duhet të më kundërviheni mua dhe përfaqësuesve të PD-së. Por të paktën është një nga elementët që është ezauruar. Sot të paktën dihen kush janë ata që meritojnë shpërblimin. Unë jam një nga ata që kam hedhur edhe çelësat. Kur erdhi për t’u votuar në Kuvend përfaqësuesi i Sigurimit të Shtetit, për t’u votuar për në Gjykatën Kushtetuese, votova kundër, hodha çelësat.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura