Debati i plotë/ Dibranët ‘kryqëzojnë’ Ramën për platformën online: Kemi qeverinë këtu, pse ta fusim në telefon

Nov 12, 2017 | 8:37
SHPËRNDAJE

Regjistrohuni në platformën “Shqipëria që duam” dhe e ke qeverinë tënde në telefon dhe në xhep. Shkruaj dhe të vjen përgjigja nga ministrja e Arsimit. Brenda 10 ditëve do kesh përgjigje, shkruan ‘Panorama’.

rama

Bajram Limani, nga Golloborda: Ju falënderoj për premtimin e rrugës së Arbrit, por dhe për takimet që bën me popullin, që të qajmë hallet me ju. Unë kam një problem personal, kam djalin, ka mbaruar shkollën për Teknologji Informacioni në Vlorë dhe një vit master. Një drejtoreshë e “tepsisë së skrapit” që ka ngelur në Bulqizë, ma pezulloi nga puna.

Edi Rama: Tepsia aty është akoma, nuk ka ikur plotësisht..

Bajram Limani, nga Golloborda:… “Tepsia” e shkurtoi djalin tim sepse anëtarësia atje në fshat e emëroi kryetar partie dhe mori më shumë vota, rezultatin më të mirë. Pas dy javëve nga zgjedhjet, drejtoresha e pezulloi. Jam paraqitur te Ministria e Arsimit me gjithë djalin, kam bërë një kërkesë…

Edi Rama: Sa vjeç është djali, të lutem?

Bajram Limani, nga Golloborda: Djali është 24-25 vjeç.

Edi Rama: Po pse shkon me ty ai dhe nuk shkon vetëm?

Bajram Limani, nga Golloborda: E shoqërova se kam përvojë më shumë dhe e di si të sorollatin në zyra. Ministrja ishte e zënë, por më kontaktoi me drejtorin e kabinetit. Ai dha urdhër që brenda 24 orëve, kjo çështje të zgjidhet. Akoma djali është i papunë.

Edi Rama: Sepse është tepsia akoma..

Bajram Limani, nga Golloborda: Të falënderoj nëse tepsia shkon për skrap dhe të ecim përpara e të marrin të drejtën tonë. Faleminderit.

Edi Rama: Unë do merrem me tepsinë, ti lerë djalin të bëjë punën e vet se nuk lufton baba për çunin 24 vjeç. Baba me çunin 24 vjeç, sikur po e çon për dore në kopsht. Jepja telefonin atij me mustaqe, se ka dhe me mustaqe këtu në Dibër..

Banosh Murati nga Pollozhani: Falënderoj Kryeministrin Rama që solli ministrat në Dibër, nuk ka ardhur asnjë qeveri në Dibër. Kam probleme me disa prona, jam autokton në pronat e mia. Bashkia ia ka kaluar, Hipoteka nuk e jep dhe unë kërkoj dokumentet për pronat e mia, asgjë më shumë. Unë nuk kërkoj përshesh me kos, kur nuk kam lopë. Kjo qeveri duhet të zgjidhë punën e pronave, drita kemi, i paguajmë, ujë kemi, e paguajmë.

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Krahina jonë ka një problem shumë të madh, po i devijohet uji i liqenit të Sllovës, nuk e di a ju ka vënë në dijeni deputeti, zoti Beqja, që është burimi kryesor për ujin e pijshëm dhe vaditjen për 700 hektarë tokë. Uji po devijohet me një tunel për një hidrocentral që po bëhet aty. Ne kemi bërë dy protesta, kemi probleme madhore me firmën që bën punime aty.

Edi Rama: Tani më fal, kur ju thoni po devijohet uji me një tunel, çfarë problemi keni ju me tunelin?!

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Problemi është se po na merret uji kryesor, për vaditje dhe për ujë të pijshëm.

Edi Rama: Dakord, do të çojmë një ekip të Ministrisë së Energjisë që ta gjykojë çështjen në vend dhe ta…

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Kemi dërguar gjithë ato shpresa dhe s’kemi asnjë përgjigje.

Edi Rama: E kuptova, “Shqipëriaqëduam.al” është rruga, shkresat nuk e di unë se ku shkojnë. Portali është zgjidhja. Mos më thuaj se nuk ke telefon. Ku e ke?!

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Këtu në xhep e kam.

Edi Rama: Aty, të lumtë, fute qeverinë në telefon dhe çoje me… me…

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Unë e kam qeverinë këtu, pse ta fus në telefon (ilaritet në sallë).

Edi Rama: Dakord, më the që kam çuar shkresat, shkresat kushedi ku kanë shkuar. Prandaj të them, fute qeverinë në telefon kur mos të na kesh këtu, tani që na ke këtu, je në rregull.

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Realiteti është ky, a do të bëhet ndonjë gjë për këtë vend lali, se u morën pyjet, minierat…?

Edi Rama: Ta thashë, do të shkojë një ekip atje. Arben Dervishi, krahina Martanesh: Ekipet kanë qenë, por s’kanë dhënë asgjë zgjidhje.

Edi Rama: Ta thashë, do të vijë ekipi dhe do të vlerësojë, a keni të drejtë apo jo, se ndoshta edhe nuk keni të drejtë.

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Nuk kemi të drejtë për ujin e pijshëm?! Aq më shumë që ti e cilësove pak më parë rëndësinë e shfrytëzimit të ujit.

Edi Rama: Do të vijnë specialistët dhe do ta gjykojnë, a jua merr tuneli ujin, se ndoshta nuk jua merr, ndoshta jua merr. Unë nuk jam specialist, ata do ta thonë.

Arben Dervishi, krahina Martanesh: Faleminderit për përgjigjen.

Një qytetare: Unë jam me pension invaliditeti dhe po kërkoj punë, por është shumë e vështirë tani e 9 vjet për të gjetur një punë. Kanë kaluar katër kryetarë bashkie dhe asnjë nuk më ka dhënë zgjidhje, unë dua të jetoj me punë.

Edi Rama: Po çfarë pune kërkon ti se..?!

Qytetarja: Puna ime është shumë e vështirë, pastruese.

Edi Rama: Domethënë, të heqim një që është pastruese dhe t’ju vëmë juve në punë?!

Qytetarja: Jo, nuk jam dakord që të hiqet njeri nga puna, por kanë dalë të tjera në pension, ua kam treguar ja ku është vendi bosh dhe nuk më kanë futur.

Edi Rama: Do ta shikojmë dhe do ta diskutojmë këtë punë. Por kjo nuk mund të funksionojë kështu. Por duhet të kemi parasysh se fabrika në Maqellarë nuk gjen dot punëtorë, i duhen 200, aktualisht ka 60. Këta 60 që punojnë çfarë janë? Janë njerëz që në vend që të rrinë dhe të thonë “s’kam punë! E ka fajin qeveria!” shkojnë dhe punojnë. Punësimi nuk mund të zgjidhet vetëm me shtet, në asnjë vend të botës nuk punësohen qytetarët në shtet. Hapen fabrika dhe ndërmarrje dhe mbeten vendet bosh sepse njerëzit duan punë në shtet dhe të rrimë afër tepsisë, ishalla po më bie një pikë sherbet e ku mos të më kërkojnë llogari kur ike kur hyre në punë./Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura