Debati i plotë/ Arta Marku në Kuvend nën breshëritë e opozitës, s’jep përgjigje për Tahiri-Xhafaj: Jeni lodhur

Jul 12, 2018 | 10:17
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ / Kryeprokurorja Arta Marku ka mohuar që të ketë ndërhyrë në çështjet që janë në hetim për zyrtarë të lartë, përfshirë edhe ish-ministrin Saimir Tahiri. E ftuar në Kuvend për të raportuar në lidhje me gjendjen e kriminalitetit përgjatë vitit 2017, kohë kur në krye të Prokurorisë ishte Adriatik Llalla, Marku foli për rezultate konkrete dhe arritje të Prokurorisë.

Marku

Por deputetët e opozitës, të cilët përpara mbledhjes iu drejtuan Ruçit me një kërkesë për anulimin e mbledhjes, kujtuan se Arta Marku është zgjedhur me vetëm 69 vota. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, theksoi se edhe një ministër kërkon 71 vota të marrë mandatin e tij për të qenë pjesë e qeverisë. Përgjigjet e shkurtra të Kryeprokurores dhe shpeshherë pohimi se nuk ishte në dijeni për ato që kishin interes deputetët e opozitës, tensionuan mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i kujtoi Markut se është në atë detyrë për t’i shërbyer partisë, pasi Kryeprokuror i vërtetë është Kryeministri Rama. Marku mohoi të ketë ndërhyrë edhe për dosjen e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas Markut, me ndryshimet në ligjin për Prokurorinë, të gjithë të drejtat për të vendosur për çështjet, u takojnë prokurorëve që i kanë në dorë ato

ligjet manja

DEBATI 

Edi Paloka: Nga raporti që lexuat zonja Marku, kuptova vetëm që z. Llalla paska punuar mirë. Nuk e di pse e paskeni hequr. Pyetjen e parë e kam në lidhje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. A ka patur kjo Prokurori, në kohën kur ju keni ardhur, çështje nën hetim që lidheshin me deputetë apo ministra socialistë? Ka pasur deputetë apo ministra të PS-së, që kjo Prokurori i përgjonte? Çfarë është bërë me këto dosje?

Arta Marku: Me reformën e sistemit të drejtësisë, Prokuroria ka pësuar ndryshime substanciale përsa i takon organizimit administrativ dhe procedural. Nga një institucion tërësisht i centralizuar që ka qenë, është bërë i decentralizuar. Prokurori i çështjes është titullari dhe përgjegjësi i padiskutueshëm i hetimit të çështjes që ka në hetim. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë në një hetim konkret apo të japë urdhra, udhëzime për çështje konkrete. Prokurori i Përgjithshëm mund të japë vetëm udhëzime për çështje të përgjithshme. Është në përgjegjësinë e secilit prokuror të fillojë një hetim, kryesisht duke u nisur nga informacione, nga burime të hapura apo të mbyllura, ta ndjekë këtë hetim, ta zgjidhë siç e çmon dhe vetëm gjykata është ajo që vlerëson vendimmarrjen e gjyqtarit. Ndërhyrjet e mia në çështje konkrete m’i ndalon ligji. Edhe çështja që ju pyetët, është e karakterit konkret. Më pyetët për ministra, deputetë. Unë nuk kam dijeni për këtë, nuk kam informacion dhe nuk kam detyrim ligjor ta kem një informacion të tillë.

noka

Edi Paloka: Pyetja e dytë lidhet me emërimet dhe shkarkimet që janë bërë në Prokurori. Krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe me atë ligj që iu zgjodhi Edi Rama dhe deputetët e PS-së, pretenduan se u zgjodhët. Ligjin besoj e njihni. Në bazë të atij ligji, ju nuk jeni Prokurore e Përgjithshme. Ushtroni funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, por nuk jeni organ kushtetues. Jeni një funksionare publike, që jeni zgjedhur sipas pikës 2 të nenit 109 sipas ligjit të Prokurorisë. Mbi çfarë baze janë bërë emërimet dhe shkarkimet në institucionin e Prokurorisë? Ne e kemi paralajmëruar që, arsyeja përse ju shkuat atje në atë karrige, ishte të hiqnin prokurorët që kishin çështje djegëse të ministrave dhe funksionarëve të PS-së. Juve kjo nuk ju bëri përshtypje dhe e vazhduat detyrën.

Arta Marku: Gjatë ushtrimit të funksioneve të mia si Prokurore e Përgjithshme e përkohshme, kam zbatuar me korrektesë Kushtetutën dhe ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vazhdimësinë e institucioneve. Kam bërë caktime të përkohshme. Pavarësisht kësaj, unë kam ndjekur disa procedura. Personat që kam emëruar kanë pasur Shkollën e Magjistraturës, kam marrë informacione nga institucione që disponojnë informacione dhe janë të karakterit sekret. Çdo vendimmarrje e imja kontrollohet nga gjykata. Të gjitha vendimet që janë marrë prej meje janë certifikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

arta marku

Edi Paloka: Pyetja e tretë lidhet me një çështje shumë të ndjeshme, lidhet me çështjen e Agron, Geron Xhafajt. Dhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me katër ditë vonesë, vetëm pasi Agron Xhafaj u largua nga Shqipëria. Si ka mundësi që Prokuroria e Tiranës u vu në mes të natës në funksion të një trafikanti të dënuar droge si Agron Xhafaj. Brenda 24 orësh u ngrit e gjithë Prokuroria në këmbë në 15 maj, me një shpejtësi të pahasur më parë. Prokuroria e Shkallës së Parë brenda një nate regjistroi padinë për kallëzim të rremë nga Agron Xhafaj, hodhi shortin e prokurorit, prokurori i caktuar mori në dorëzim dosjen dhe vlerësoi materialet fillestare, prokurori regjistroi hetim penal, vendosi të kryejë veprime hetimore, duke marrë dëshminë e Agron Xhafajt, prokurori mori në pyetje dëshmitarin Albert Veliu pa u bërë publik emri i tij, prokurori vendosi të caktojë edhe ekspertin, prokurori vendosi të pranojë mostrat e zërit të siguruara privatisht nga Agron Xhafaj dhe të gjitha këto, në mes të natës. A e keni marrë Kryeministrin Rama ta pyesni lidhur me ekspertizën e deklaruar prej tij? Pse nuk e zbatoni ligjin antimafia për Agron dhe Fatmir Xhafajn?

Arta Marku: Sa i takon çështjes së Agron Xhafajt, shpjegimi është i njëjtë si për pyetjen tuaj të parë. Unë nuk kam tagër ligjor të kem informacion për çështje konkrete. Gjithashtu, asnjë prokuror nuk ka tagër të japë njoftime për çështje konkrete.

Edi Paloka: Tagër për të lëvizur prokurorët që merren me hetimet e ministrave ju keni, ndërsa tagër për të ditur çështjet nuk keni? Këto nuk i ha njeri zonjë. Këtu nuk jeni për të mashtruar deputetët, por për të dhënë llogari. Jua thashë që në fillim që jeni zgjedhur në mënyrë antikushtetuese.

Xhemal Qefalia: Këtu s’po bëhen pyetje, po bëhen diskutime.

Spartak Braho: Çfarë pyetjesh janë këto more aman? Këta s’kanë marrë vesh akoma që kjo është bërë Kryeprokurore?

Ulsi Manja: S’kanë si e marrin vesh Baba Taku.

Flamur Noka: Aman se je dhe me shëndet delikat Spartak dhe nervozizmi i tepërt s’të bën mirë.

Spartak Braho: Ti nuk je jurist, lëri ata që janë juristë të flasin.

Flamur Noka: Tani po të flas si mjek, po të këshilloj për shëndetin.

Nasip Naço: Është bërë një debat ditët e fundit lidhur me studentët e Magjistraturës. A ndikon sipas jush mungesa e tyre në krijimin e KLP-së?

Arta Marku: Jam në dijeni të faktit që disa studentë kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës dhe që kërkojnë të emërohen. Kanë bërë edhe kërkesë zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Por për këtë çështje është marrë një iniciativë ligjore, kështu që unë nuk e shoh me vend të jap një mendim personal. Por unë nuk shoh që kjo çështje të ketë lidhje me krijimin e KLP-së. Sepse ajo krijohet pas mbarimit të fazës së rivlerësimit të prokurorëve.

Nasip Naço: Po shumë mirë, se këta na kanë thënë e keni bllokuar ju. Tani dua të di sa është numri i personave për vrasje në vitin 2017, që janë me gjykime në mungesë? Ju keni thënë në raport se e keni të shkëlqyer raportin me Policinë. Dua të di sa persona janë në kërkim për vrasje? E keni një listë të tyre? Emrat? Adresat? Sot që ne flasim janë në dijeninë time rreth 1500 persona në kërkim për vrasje.

ligjet

Ulsi Manja: Zonja kryeprokurore, përgjigjuni me aq sa e lejon sekreti hetimor. Se këto adresat e të kërkuarve për vrasje po t’i dinim, shkonim i kapnim, po nuk i dinim.

Klevis Balliu: Shtëpinë e Balilit e dinit, por kur shkuat atje nuk e gjetët, se shkuat pas 6 muajsh.

Arta Marku: Gjykime në mungesë për çështjet e vrasjeve janë 81. Janë pezulluar 99 vendime.

Nasip Naço: Sa kallëzime janë bërë nga Ministria e Brendshme apo Policia e Shtetit për raste korrupsioni?

Arta Marku: E kemi një informacion të tillë? Ja, sa ta gjejmë, se, sigurisht, që unë nuk mund ta them në moment.

Ulsi Manja: 148 çështje kanë qenë për veprën penale të korrupsionit. Por mund të përgjigjen edhe drejtorët kur bëhet fjalë për shifra.

Arta Marku: Unë e shoh që jeni lodhur, por Prokuroria ka punë.

Silva Caka: Foli prokurori…

Ulsi Manja: E kemi lexuar raportin, z. Naço, mos hajdeni pa përgatitur.

Nasip Naço: Përpara jush ishte ministrja e Drejtësisë. A është paraqitur zonja ministre e Drejtësisë për çështjen e Nezar Seitit?

Xhemal Qefalia: Këto s’janë pjesë e raportit.

Nasip Naço: Po mos ndërhy. Ju sikur e doni më shumë se ne, mos e mbroni sikur është në hall. Lëreni, se është e zonja e vetes.

Arta Marku: Në Prokurorinë e Përgjithshme nuk zhvillohen hetime. Pra, nuk ka si të thirret Ministria e Drejtësisë për një çështje hetimore të japë shpjegime në Prokurorinë e Përgjithshme. Nëse është thirrur në ndonjë Prokurori tjetër, unë nuk mund ta them. Për çështjen e ekstradimit e di se ka një çështje që ndiqet nga Prokuroria e Durrësit. Nga problematikat që shfaqi ai ekstradim, unë vetë kam kërkuar informacion nga Prokuroria e Durrësit për të ditur nëse ka elementë të veprës penale. Dhe kam marrë përgjigje që çështja është regjistruar. Detaje të çështjes unë nuk di.

Flamur Noka: Zonja të mos vijë të na tregojë përralla këtu. Prokurorët e emëruar nuk kishte të drejtë t’i lëvizte. Ka shkelur ligjin. Për gjërat që i ka detyrë institucionale na thotë, nuk e di. Duhet të na kthejë përgjigje për pyetjet që i bëjmë. A njeh Kushtetuta zgjedhje me 69 vota? Fakti që është zgjedhur me 69 vota, që edhe një ministër që është tërësisht politik nuk mund të zgjidhet, tregon se është prokurore private politike, pra PPP.

Myslim Murrizi: Zonja t’i japë përgjigje gjërave që di. Mua po më duket sikur po gjykojmë Adil Çarçanin për punën që kishte bërë Mehmet Shehu. Kjo ka ardhur të raportojë për 2017- n, ndërkohë që vetë është zgjedhur në dhjetor. Ne vetëm në 2018-n na kanë ndodhur ngjarje që s’na kanë ndodhur asnjëherë. Pyetja ime është, sa ka në Prokurori prokurorë nga organet e ish-Sigurimit të Shtetit? Sa punojnë ende sot? Dëgjova se keni goditur 17 banda. Këto banda janë pjesë e ansamblit prej 40 bandash që lançon Xhafaj në çdo studio, apo janë të tjera? A duhet të merret deklarimi i Xhafajt?

Arta Marku: Në momentin që një prokuror promovohet, pra, ngrihet në detyrë, e ka detyrim të bëjë një deklarim për pastërtinë e figurës. Për të gjithë kandidatët për KLP i kemi shpërndarë formularët dhe presim përgjigje.

Myslim Murrizi: Nuk dua të bëj replikë, por keni ende rreth 60 sigurimsa, që i kanë hequr thonjtë njerëzve në diktaturë dhe që sot janë ende te ndërmarrja jote.

Arta Marku: S’mund ta them këtë. Sa për bandat, ministri në dijeninë time flet për banda që janë evidentuar në 2018-n si banda aktive. Por ky është mendimi im si person.

Klevis Balliu: Mendimi yt si person nuk na duhet fare ne. Duam të dimë si prokurore.

Myslim Murrizi: A janë 40 banda?

Arta Marku: Nuk kam informacion.

Klevis Balliu: Ne prisnim Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, këtu na erdhi zonja “nuk e di”. Kjo nuk di asgjë! Gjithsesi, ke marrë përsipër të vish në vend të Edi Ramës, ju e dini. Prokuroria e Durrësit, s’ka ndodhur asnjëherë të vidhet godina e Prokurorisë. Prokurorja që ishte atje, shoqja juaj, në vend të merrej në hetim, ju e promovuat në Tiranë. Ju keni ardhur me argumente për punët që s’i keni bërë. Ti them unë punët që ke bërë. Nxore Saimir Tahirin nga burgu. Kjo është historia juaj si prokurore. Morët Mark Frrokun dhe e nxorët. Morët 12 kuksianë dhe i grabitët nga shtëpitë dhe u futën në burg se protestuan kundër qeverisë. Ku e keni Petrit Fushën, që i pushoi çështjen Erionit të Griseldës? Kjo s’ka faj që nuk di asgjë, sepse nëse doni Prokurorinë, duhet të vijë Edi Rama këtu sepse ai është kryeprokuror. Ajo zonja, me të vërtetë nuk di asgjë. Kjo erdhi dhe rezultoi zonja “Nuk e di”. Këtu na vjen një zëdhënëse e malavitës. Kjo ndodh në një vend, që drejtohet nga një i çmendur.

Ulsi Manja: Z.Balliu, ju tërheq vëmendjen për respekt të kodit të etikës.

Klevis Balliu: Unë ju tërheq vëmendjen për shkelje të ligjit.

Ulsi Manja: Në këto kushte, unë e mbyll mbledhjen.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura