DEBATI PA MEDIAT/ Doshi-Haritos: Po punëson PD-istët, socialistët mbeten rrugëve. Shehaj e Tatimeve është bërë si “Vejusha e Zezë” e Escobar

Feb 25, 2015 | 10:29
SHPËRNDAJE

Deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, nuk ka kursyer në kritikat e tij as ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, ku mungonte Kryeministri Rama.

Deputeti Tom Doshi/ Ministrja Milena Harito

Doshi i ka cilësuar konkurset për në administratë si një mundësi për të punësuar militantë të Partisë Demokratike.

“Nuk e di se me çfarë po merresh në atë Ministri zonjë, por di që nga ato konkurset e famshme të DAP-it, po fitojnë të gjithë PD-istët dhe socialistët mbetën rrugëve”, mësohet t’i jetë drejtuar Doshi Haritos, e cila nga ana e saj nuk i është përgjigjur.

Gazeta “Panorama” ka zbardhur të plotë debatin mes deputetit Doshi dhe kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi,

Tom Doshi

DEBATI I PLOTË DOSHI-RUÇI NË GRUPIN E PS

Tom Doshi: Erdha për t’i thënë disa shqetësime shokut Rama, por meqenëse ai nuk është këtu, po t’i them ty shoku Gramoz.

Gramoz Ruçi: Kryeministri kishte një axhendë të paparashikuar qeveritare, nëse ti do mund t’ia thuash atij në mbledhjen e ardhshme kur të jetë vetë, ose mund t’ia thuash dhe vetë tek për tek se e ti ke mundësi ta takosh.

Tom Doshi: Unë nuk jam nga ata që punojnë si celula, dhe as nga ata që hanë dreka dhe flasin në tavolina. Unë po shpreh këtu dhe një shqetësim që e kanë shumë nga deputetët prezentë këtu, dhe që kur të bëhet analiza do t’i shprehin edhe ata hapur mendimet e veta. Unë mendoj se duhet bërë një analizë e thellë e qeverisë, sepse ka ministra që kanë performancë shumë të dobët. Qeverinë duhet ta analizojë grupi parlamentar, ai që e ka votuar. Por, këta ministrat tanë nuk i përfillin më deputetët, madje nuk i hapin as telefonin sepse u duhen deputetët vetëm për fushata që të mbledhin vota. Këtë arrogancë nuk e kanë pasur as ministrat e Berishës. Ata ministra që nuk kanë mbështetjen e grupit parlamentar, duhet të ikin. Nuk punuam dhe sakrifikuam që të kemi këtë qeverisje sot dhe këta ministra. Ne në fushatë dolëm para njerëzve dhe u premtuam shumë gjëra. Madje, u premtuam se do t’u çonim ujë në çdo bimë në mënyrë bashkëkohore. Kurse, qytetarët tanë që na dhanë votën, nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre për të pirë. Si do të dalim para qytetarëve për të kërkuar votën? Varfëria është shtuar, ndërsa ministrat abuzojnë me pushtetin e tyre. Me këta drejtorë që abuzojnë do të fitojmë zgjedhjet vendore?! Drejtoresha e tatimeve, Griselda Blanco është bërë si “Vejusha e zezë” e Eskobarit, e cila ka vënë nënën, motrën dhe vëllain si sekserë që punojnë për përfitimet e tyre. Drejtoresha e doganave ka burrin e saj sekser. Kjo është e vërteta!

Tom Doshi-Milena Haritos: Nuk e di se me çfarë po merresh në atë ministri zonjë, por di që nga ato konkurset e famshme të DAP-it, po fitojnë të gjithë PDistët dhe socialistët mbetën rrugëve.

Gramoz Ruçi: Unë këto që the do t’ia përcjell Kryeministrit në rrugë institucionale dhe ai do të informohet për këto shqetësime. Besoj në mbledhjen e ardhshme, mund t’ia thuash dhe në sy.

Tom Doshi: Nuk ka nevojë t’ia thuash shoku Gramoz, sepse ka shumë këtu që ia kanë thënë ‘live’ Kryeministrit këto që thashë..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura

vera