Debati/ A e shiti Enveri Kosovën? Nexhmije Hoxha u përgjigjet akuzave: Ju rrëfej bisedat me Titon

Aug 6, 2018 | 7:00
SHPËRNDAJE

Nexhmije Hoxha, e veja e ish-diktatorit Enver Hoxha ka reaguar pas debatit te madh qe po behet mes historianesh se fundi lidhur me 75-vjetorin e Marreveshjes se Mujkes.

Nexhmije Hoxha

Vetem pak dite me pare ne nje speciale per “Panorama”, historiani Uran Butka, zbuloi letrën që Miladon Popoviç i dërgon Titos për presionin që i ka bërë Enver Hoxhës për të prishur marrëveshjen e Mukjes, duke numeruar argumentet, qe sipas tij, ishte pikerisht Enveri ai qe e shkaterroi marreveshjen.

Nderkohe, ne nje reagim te botuar sot ne gazeta DITA, Nexhmije Hoxha i jep pergjigje akuzave, duke publikuar edhe pjese nga bisedat qe Enveri ka bere me Titon per kete ceshtje shume te rendesishme.

“Nuk është aspak e vërtetë se Mukja u prish për çështjen e Kosovës dhe janë krejt pa baza mendimet që hidhen nga pseudohistorianë se gjoja Enveri e shiti Kosovën në Mukje. Jo vetëm në rastin e Mukjes, por në vijimësi e deri në fund të jetës Enveri ka menduar e luftuar për Kosovën, sikurse e kam shprehur në parathënien e shkruar nga unё, nё librin e djalit tim, Ilir Hoxhёs ”Kosova ёshtё Shqipёri”, të cilën ju mund ta botoni në gazetë. Aty është dhe përgjigja që unë u jap të gjithë atyre që thonë se Enveri e ka tradhtuar dhe shitur Kosovën”- shkruan ajo.

 

“Enver Hoxha, nën malin e shpifjeve, u akuzua edhe sikur “e shiti Kosovën”. Ngritja e një akuze të tillë nga spekulatorë hileqarë e disa politikanë të rrugëve, që erdhën në pushtet, ishte krejt absurde, sepse Kosova nuk ishte pronë e Enver Hoxhës, që as e kishte blerë dhe as mund ta shiste. Ajo ishte gjysma e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, që kishte historinë e saj, të vjetër e të re, mbi fatin e së cilës kishin vendosur Fuqitë e Mëdha në Londër, Berlin, Paris, në Jaltë e Potsdam dhe, më vonë, në Dejton e në Rambuje. As pas tre muajsh bombardime mbi Serbinë, nga fuqia më e madhe ekonomike e ushtarake e botës, SHBA e NATO, s’mund të thuhet se Çështja e Kosovës u zgjidh drejt e përfundimisht. Po të mos kishte krisur pushka e UÇK-së dhe, po të mos ishte treguar ajo frymë e lartë patriotizmi e solidariteti nga populli shqiptar i një gjaku, i ndarë artificialisht e padrejtësisht nga kufij të imponuar, nuk do të arrihej as kaq sa është arritur”- thote Nexhmije Hoxha, ne nje shkrim te saj per gazeta DITA.

Nexhmija shkruan se “Motivi kryesor, për të cilin është folur pak ose aspak publikisht, që shtyu Enverin me shokë t’i drejtohen PK të Jugosllavisë, ishte se në Jugosllavi ndodhej gjysma e kombit shqiptar dhe, në kushtet e agresionit të nazifashistëve italianë e gjermanë, duhej të bëhej çmos që zgjidhja e Çështjes së Kosovës të vihej në rrugë të mbarë. Të dy pushtuesit ndoqën një politikë djallëzore. U premtuan Kosovës dhe kosovarëve, gjithë shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, pavarësinë dhe bashkimin me Shqipërinë. Kjo lojë e nazifashizmit gjatë pushtimit të Jugosllavisë ishte shumë e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Enver Hoxha shkroi letra, shumë artikuj e trakte për të demaskuar këtë akt, për të bindur kosovarët e mashtruar dhe shqiptarët e tjerë në Jugosllavi se vetëm pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, përkrah popujve të Jugosllavisë dhe ushtrisë partizane të kësaj, do t’u jepte të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e tyre. Përndryshe, ata do të shtypeshin, do të përbuzeshin dhe do të dënoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesve”.

Duke u ndalur te Popovici, ajo thekson se “Është tjetër punë që, si kosovarët, edhe komunistët shqiptarë u tradhtuan pikërisht nga komunistët jugosllavë, tek të cilët, në fillim Enveri pati besim se, si komunistë-internacionalistë, duhej të ishin kundër qëndrimeve shoviniste e raciste të njohura të serbomëdhenjve ndaj shqiptarëve. Një komunist i tillë internacionalist, qe shoku i ngushtë i Enverit, malazezi Miladin Popoviç, i cili u eliminua nga UDB-ja, pikërisht sepse ishte mik i Shqipërisë dhe çështjen e Kosovës e shikonte si internacionalist”.

Bisedat me Titon 

Duke treguar qendrimin e mbajtur nga Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha tregon edhe pjese nga bisedat e bera me Titon.

“Udhëheqja jugosllave e dinte qysh gjatë Luftës se ç’mendonte Enver Hoxha për Kosovën, që i shpaloste në artikuj, nё traktet që i shkruante apostafat për Kosovën dhe në letrat që u dërgonte udhëheqësve kosovarë. Që në takimin e parë me J.B.Titon, gjatë vizitës së tij në Jugosllavi, në qershor të 1946-ës, Enver Hoxha i tha atij se “Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi, të banuara nga shqiptarët, i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen asaj”. Përgjigjja e Titos qe: ”Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë”. Enver Hoxha iu përgjigj: “Në rast se nuk e kuptojnë tashti, do ta kuptojnë më vonë”. E lau gojën Titoja me një “tash për tash”. Ndërkohë, presionet, shantazhet, komplotet nga ana e jugosllavëve vazhduan derisa arritën të përdorin “la manu militaru”, duke dërguar dy divizione në kufi me Korçën, gjoja për të na mbrojtur nga një agresion nga Greqia. Atëherë Enveri tha: “Ndal!””- tregon ajo.

Sipas saj, “nuk ishte më fjala për një sulm ndaj personit të tij, ishte një sulm ndaj Atdheut tonë të pavarur e sovran, një kërcënim serioz ndaj fitoreve të popullit tonë, të arritura me gjakun e 28 mijë bijve të tij më të mirë. Protesta e Enverit gjeti mbështetjen e Stalinit. Erdhi prishja me Jugosllavinë. Shpëtoi Shqipëria nga një “mik” i pabesë”.

Pjese nga letra e Popovicit qe zbuloi Uran Butka 

“Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve të PKJ në Shqipëri, prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes. Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj, edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave, së cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazez në Kosovë, M.Popoviçit, ishte i kuptueshëm.

Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copë-copë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës. Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brendshme vërtetohet edhe nga një letër që udhëheqësi real i PKSH-së, M.Popoviçi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇ që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura